• Prokuroria po ndjek skenarin e Edi Ramës duke heshtur dhe duke mos nisur hetimet për Taulant Ballën, mikun e tij trafikant droge dhe këdo që ka shkelur ligjin e prokurimit publik për t’i dhënë miliona euro punë publike një të dënuari si anëtar i organizatave kriminale.

    DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEPUTETI LUÇIANO BOÇI

Arrestimi 7 ditë më parë nga autoritetet greke i trafikantit të rrezikshëm të drogës, Edmond Bego, nxori në dritë faktin tronditës se ai i shndërrua në biznesmen të fuqishëm ndërtimi, duke përfituar miliona euro nga buxheti i shtetit, pasi lidhi miqësi familjare me Taulant Ballën.

Por qeveria dhe prokuroria kanë zgjedhur të heshtin përballë fakteve, në mënyrë që të mbulojnë me harresë të vërtetën e përfitimit të miliona eurove nga një trafikant droge në kundërshtim flagrant me ligjin e prokurimit publik.

Prokuroria, e cila po provon çdo ditë se i shërben krimit të organizuar të lidhur me pushtetin, po ndjek skenarin e Edi Ramës, duke mos nisur hetimet për Taulant Ballën, mikun e tij trafikant droge dhe këdo që ka shkelur ligjin dhe i ka dhënë atij miliona euro punë publike.

Prokuroria hesht, pavarësisht se Partia Demokratike ka paraqitur fakte që provojnë shkeljen e ligjit për t’i dhënë të paktën 14 milionë euro mikut me 5 emra i Taulant Ballës.

Neni 45 i Ligjit për Prokurimin Publik parashikon qartë përjashtimin nga një punë me para publike të çdo ofertuesi, kur ka të dhëna se ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për pjesëmarrje në organizata kriminale.

Prokuroria hesht si shërbëtore besnike e krimit me pushtet, pavarësisht se miku familjar i Taulant Ballës, i dënuar me 21 vjet burg si trafikant i rrezikshëm droge, ka përfituar pasuri nga disa punë publike në kundërshtim me ligjin, duke nisur me 10 milionë euro nga rruga e re Tiranë-Elbasan.

Vetëm në 7 muajt e parë të këtij viti, nën mburojën politike të Taulant Ballës dhe më shkelje të plotë të ligjit të prokurimt publik, që skualifikon automatikisht të dënuarit, pjesë e organizitave kriminale, trafikanti i drogës ka përfituar:

• 641 milionë lekë nga OST për mirëmbajtje rrjeti

• 1 miliard lekë sërish nga OST për nënstacionin Librazhd

• 3 miliardë lekë nga OSHEE për disa kabina elektrike

Dhe, pavarësisht faktit që i ka përfituar 10 milionë ruro dhe 6.4 miliardë lekë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik, që skualifikon të dënuarit, anëtarë të organizatave kriminale, si miku i Taulant Ballës, prokuroria hesht!

Heshtja e organit të prokurorisë është një këmbanë e fortë alarmi se tashmë Shqipëria është nën diktaturën e krimit të organizuar, që jo vetëm qeveris vendin nëpërmjet Edi Ramës, por kontrollon edhe çdo institucion të pavarur në vend.