• Gjykata e Strasburgut konfimoi se sekseri i Ramës, shantazhoi gjykatësin Ledi Bianku   
  • PD letër drejtuar Strasburgut: Qeveria “Rama” po shpronëson për herë të dytë pronarët, për të pasuruar një grup personash nën termin “pronarë të rinj”

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, N/KRYETARJA E KOMISIONIT TË EKONOMISË DHE FINANCAVE, JORIDA TABAKU

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut konfirmoi dje zyrtarisht se qeveria shqiptare ka tentuar të ushtrojë presion dhe e ka konsideruar të papërshtatshme këtë ndërhyrje. Cdo gjë tjetër nga ana e qeverisë dhe prokurorisë është propagandë.

Përfaqësues të qeverisë shqiptare, nën emrin dhe frymëzimin e drejtë për drejtë të Kryeministrit Rama kanë kërkuar të ndikojnë në vendimin e Gjykatës Europiane në lidhje me shqyrtimin e Ligjit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Një përpjekje e tillë jo vetëm që është e turpshme dhe fyese për një qeveri që këndon refrenin e Reformës në Drejtësi, por mbi të gjitha është edhe akti më domethënës i asaj çfarë përfaqëson Rama dhe qeveria e tij. Prandaj, jo rastësisht komunikimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe emërimet e qeverisë shqiptare pranë kësaj gjykate, janë tërësisht partizane dhe politike. Qëllimi i këtyre emërimeve ka qenë dhe mbetet krijimi i një linje informacioni të drejtpërdrejtë nga Gjykata tek Rama.

Arsyeja se përse qeveria dërgoi z. Biba si një mesazher lidhet me një çështje të rëndësishme; pronën!

Kjo nuk është diçka e re për qeverinë në trajtimin e çështjes së pronës, për këtë arsye këtë pranverë Partia Demokratike ka informuar Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për veprimet arbitrare të Qeverisë dhe mjetet ligjore të përdorura duke cenuar rëndë drejtën e pronës nga viti 2014 e në vijim.

Politika e ndjekur nga ana e Qeverisë Shqiptare nuk ka qenë në asnjë rast në drejtim të zgjidhjes së problemit të pronës. Qeveria “Rama” është angazhuar në drejtim të shpronësimit të dytë të pronarëve, në shërbim të pasurimit të një grupi personash nën termin “pronarë të rinj” që në fakt janë uzurpues të paligjshëm të pronave.

Konkretisht:

–        Kryeministri Rama që prej vitit 2014 nuk ka zbatuar vendimin pilot dhe jurisprudencën e  GJEDNJ në lidhje me çështjen e ekzekutimit të vendimeve përfundimtare në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave.

–        Po i njëjti njeri që prej vitit 2014 është përpjekur për të eliminuar pronarët nga kthimi dhe kompensimi fizik i pronës. Fillimisht ajo përdori transferimin e fondeve nga Agjencia e Kthimit Kompensimit të Pronave tek Ministria e Bujqësisë për t’i transferuar ato kundrejt vlerës 1 euro tek investitorët, klientë të qeverise.

–        Qeveria e kryeministrit Rama miratoi Ligjin për Investime Strategjike që i jep shtetit autoritetin të ndërhyjë në marrëdhënien mes një pronari të tokës dhe investitorit privat. Ligji në fjalë i jep akses të tepruar qeverisë duke cenuar sigurinë juridike të pronarëve. Megjithëse Partia Demokratike përgatiti amendamente këto nuk u miratuan.

–        Miratimi i dy VKM-ve të njëpasnjëshme brenda pak muajsh që i japin autoritet qeverisë që të mos ia kthejë pronën të zotit por t’ia japë atë një investitori strategjik, i cili e fiton me pa të drejtë.

–        Vetë kryeministri Rama u investua personalisht për të miratuar Ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, që bie në kundërshtim me Kushtetutën. Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë për plotësimin e boshllëkut të krijuar nga shfuqizimi i disa dispozitave të këtij ligji nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për më shumë se 2 vite.

Për këtë qëllim në Partinë Demokratike ka funksionuar një grup i posaçëm pune që ka identifikuar këto e shkelje të tjera të Kushtetutës, të ligjeve e të drejtës së pronës. Ne kemi përgatitur një informacion të plotë e të detajuar se si prona e pronarëve po grabitet me ligje të veçanta. Që nga pronat në jug e deri tek Teatri Kombëtar në mes të Tiranës rruga që ndjek Rama është e njëjtë.

Vendimet e njëpasnjëshme të Ramës tregojnë qartazi synimin për të tjetërsuar me të gjitha mënyrat pronën e pronarëve të ligjshëm. Arsyet e vërteta që lidhen me Ligjin e ri të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës nuk janë pamundësia e qeverisë për të kthyer pronën apo për ta kompensuar. Por është mos dëshira për të regjistruar pronat, për të krijuar një fond të konsoliduar fizik dhe financiar e deri në mungesë vullneti për t’u koordinuar mes institucioneve që merren me pronat.

Përgjatë këtyre muajve, kemi parë se si qeveria ka shpronësuar dhe ka zhvlerësuar me çmime qesharake prona në qendër të qytetit për t’ua dhënë atë oligarkëve dhe tarafit të saj.  Partia Demokratike ka parë dhe ka identifikuar me dhjetëra vendime që japin për 1 euro pronën e pronarëve të ligjshëm, të cilat do t’i bëjë publike në ditët në vijim.

Nga sa më sipër është tejet e kuptueshme përpjekja qesharake e një qeverie të korruptuar që përpiqet të ndikojë vendimin e një Gjykate.

Beteja jonë për të drejtat e pronës dhe pronarëve do të vazhdojë derisa atyre t’u jepet një zgjidhje e plotë dhe përfundimtare konform këshillave të GJEDNJ dhe mbi të gjitha konform të drejtës hyjnore të njeriut për të trashëguar pronën e tij.

Partia Demokratike, nuk ka për të lejuar që pronarët e ligjshëm të këtij vendi të kompensohen me çmime qesharake të Enver Hoxhës, ashtu siç do të bëjë Rama dhe qeveria e tij.

 

*Bashkëngjitur Letra Strasburg Shqip, Letra Strasburg Anglisht