Deklaratë e nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj

Partia Demokratike tregoi dje me fakte, bazuar në raportin zyrtar të shërbimeve inteligjente sesi organet e vettingut po konfirmojnë në detyrë gjyqtarë të kapur në flagrancë me përgjime në afera korruptive.

Gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor është vlerësuar nga institucionet përgjegjëse dhe shërbimet inteligjente si i papërshtatshëm me detyrën dhe duhej shkarkuar nga organet e vettingut.

Ky fakt tregon se organet e vettingut po mbajnë në sistem gjyqtarë të korruptuar sipas urdhrave të Edi Ramës, i cili hesht dhe fshihet përballë provave të qarta që zbulojnë çdo ditë projektin mafioz të tij për kapjen e drejtësisë nëpërmjet gjyqtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

Në 10 Prill 2018 institucionet përgjegjëse i kanë përsëritur organeve të vettingut papërshtatshmërinë e gjyqtarit Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në raportin zyrtar, institucionet që verifikojnë pastërtinë e figurës, i kujtojnë organeve të vettingut se “përfshirja e këtij gjyqtari në veprime korruptive është përcaktues i integritetit profesional të tij dhe që tregon për pastërtinë e figures së çdo gjytqtari dhe prokurori”.

Si ka mundësi që Edi Rama nuk shqetësohet kur një gjyqtar i kapur në përgjime në aferë korruptive, jo vetëm nuk u shkarkua nga detyra, por iu hap rruga për të kandiduar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, që është qeveria e gjyqësorit?!

Si ka mundësi që ai u shet shqiptarëve për pastrim të Pallatit të Drejtësisë procesin që konfirmon në detyrë gjyqtarë të korruptuar?!

Edi Rama do të vazhdojë të heshtë për këto pyetje dhe për faktet e bëra publike, sepse tani maska e tij si reformator i drejtësisë ka rënë!

Shqiptarët po shohin çdo ditë se Edi Rama është arkitekti i farsës me vettingun, sepse atij i duhen gjyqtarët e korruptuar për zbatimin e projektin mafioz të kapjes së sistemit të drejtësisë për ta vënë atë në shërbim të mbrojtjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar, më të cilin qeveris vendin.