Kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili dorëzuan në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kallëzimin ndaj Edi Ramës për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, dhe “Detyrimi për të kallëzuar provën”, të parashikuara nga nenet 301 dhe 304 të Kodit Penal.

Kallëzimi bazohet tek deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili, pas publikimit nga PD të audiopërgjimit që provon përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm, u shpreh se “UNË E KAM MARRË MBRËMË PËRGJIGJEN E ANALIZËS SHKENCORE TË KRYER NË NJË NGA LABORATORËT MË SERIOZË TË BOTËS” dhe se “NUK JEMI ABSOLUTISHT PËRPARA ASNJË LLOJ PROVE KOMPROMENTUESE PËR MINISTRIN E BRENDSHËM, POR PËRPARA NJË AKTI MASHTRIMI ME NJË MATERIAL JO AUTENTIK.

Deklarimi publik se Edi Rama disponon një përgjigje të një analize shkencore (pra provë – akt ekspertimi “privat”), duhet të ishte shoqëruar me paraqitjen menjëherë në organin e prokurorisë dhe dorëzimin e këtij dokumenti. Ndodhur në kushtet kur Kryeministri Edi Rama, jo vetëm nuk është paraqitur menjëherë në prokurori, por nuk ka bërë publike provën që disponon, atëherë ai duke fshehur një dokument (përgjigje e një analize shkencore), apo duke mos u paraqitur menjëherë në organin e prokurorisë për të dëshmuar/kallëzuar, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga nenet 301 dhe 304 të Kodit Penal. Për rrjedhojë prokuroria është e detyruar ta marrë atë në përgjegjësi penale.

Partia Demokratike beson se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë, prandaj i bën thirrje Prokurorisë së krimeve të Rënda të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim, për të vënë përpara përgjegjësisë penale Kryeministrit Edi Rama, siç ligji detyron.

Bashkëngjitur është kallëzimi i plote dhe deklaratat e grupit parlamentar te PD, Edmond Spaho dhe e keshilltarit ligjor te grupit, Gazment Bardhi. 

Deklarata e Kryetarit të grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho 

Sikurse e dini, para disa kohësh, opozita ka publikuar një audio-përgjim të një pazari, të një bisede për transaksione me drogën, i cili përfshinte edhe vëllain e Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj.

Mënjeherë pas kësaj, 24 orë më pas, Kryeministri në Grupin Parlamentar të PS-së, deklaroi që audio-përgjimi  është falso, është montazh dhe ai disponon provën e ekspertimit, të cilën e ka bërë në një nga laboratorët “më të njohur në botë”.

Dhe ndërkohë Prokuroria ka hapur një hetim penal për ata të cilët janë përfshirë në këtë çështje. Sipas Ligjit, mospublikimi i kësaj prove, i kësaj ekspertize, të cilën nuk e di, nëse Kryeministri e krijoi si mik i vëllait të Ministrit të Brendshëm, si mik i Agron Xhafës, apo si pjesë e Prokurorisë, ai ka detyrimin që ta dorëzojë këtë për të zbardhur të vërtetën, për të ndihmuar hetimin.

Në rastin konkret, duke mos e bërë publike Kryeministri jo vetëm që ka manipuluar opinionin publik, por po pengon zbardhjen e së vërtetës. Në bazë të ligjit ne iu drejtuam prokurorisë të hapë hetim penal ndaj Kryeministrit Edi Rama për pengim të së vërtetës, duke mos dorëzuar “provën në fjalë”, ekspertimit që ai “i ka bërë”, në një periudhë kaq të shkurtër kohe, “në një nga laboratorët më të mirë të botës”.

Këshilltari për çështjet ligjore në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi iu përgjigj pyetjes nëse ka dijeni për kryerjen ose mbërritjen e një aktespertimi nga laboratori në Romë.

“Ajo që kam unë dijeni është fakti që në momentin që Edi Rama, kryeministri i vendit, ka deklaruar që disponon një përgjigje të një analize shkencore, që sipas legjislacionit tonë, përbën provë, ka detyrimin në bazë të nenit 301 dhe 304 të Kodit Penal, të vijnë në këtë Prokurori dhe ta dorëzojnë. Fakti që nuk e ka dorëzuar do të thotë që ka konsumuar dy vepra penale. Për pjesën tjetër të hetimeve, sigurisht që ne jemi në pritje të përfundimit të hetimit nga Prokuroria, tek e cila personalisht, në mungesë të veprimit ndaj kësaj shkelje të ligjit nga ana e kryeministrit, nuk kam besim që do të nxjerrë ndonjë përgjigje të ndryshme nga ajo që ka thënë Kryeministri”,- u shpreh zoti Bardhi.