Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me Presidenten e Kroacisë, Kolinda-Grabar Kitaroviç.

Zoti Basha shprehu angazhimin e tij për të vijuar bashkëpunimin e suksesshëm  kur, si ministra të Jashtëm, së bashku me zonjën Kolinda-Grabar Kitaroviç, punuan me sukses për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Zoti Basha theksoi domosdoshmërinë e ngritjes së marrëdhënieve shqiptaro-kroate në nivele strategjike për rajonin. “Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me konstatimin e mungesës së problematikave por duhet të investohemi në thellimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në rrafshin politik dhe ekonomik. Dy vendet tona duhet të jenë promotore dhe mbështetëse të fuqishme të avancimit të vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, rritjes së bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perendimor”- theksoi Basha.

Lideri i opozitës e cilësoi një zhvillim shumë pozitiv marrjen e ftesës për anëtarësim nga Maqedonia dhe shprehu mbështetjen për përfundimin me sukses të marrëveshjes për çështjen e emrit dhe anëtarësimin e saj të plotë në një kohë sa më të shkurtër të mundshme në NATO si kontribut i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet në rajon.

Zoti Basha i ka cilësuar të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin idetë për shkëmbime territoresh të cilat sipas tij çojnë drejt hapjes së kutisë së Pandorës.

Gjatë takimit me Presidenten kroate, Basha vuri në dukje nevojën e Shqipërisë për të marrë nga Kroacia ndihmë për procesin e integrimit evropian, duke theksuar se sfidat kryesore për Shqiperinë janë shteti ligjor, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sistemi gjyqësor i pavarur dhe funksionues në të gjitha shkallët.