Deklaratë e deputetit Gent Strazimiri

Raporti i antidrogës italiane për vitin 2017 provoi zyrtarisht se Edi Rama ka mashtruar shqiptarët, Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur shpalli vitin e kaluar se qeveria e tij e ka hequr Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit.

Konkluzioni i antidrogës italiane se “Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të marijuanës me destinacion tregjet italiane dhe evropiane”, si dhe konkluzioni se “trendi i dyfishinit të konfiskimeve vjen nga droga e kutivuar në Shqipëri”, tregon se mbështetja politike për organizatat kriminale të kultivitimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri është rritur para dhe pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar.

Raportin e antidrogës italiane, që konfirmon se grupet kriminale shqiptare kanë dalë në pah edhe për trafikun e kokainës, nuk e ka shkruar Partia Demokratike, por raporti konfirmon të vërtetën që Partia Demokratike po u thotë shqiptarëve prej më shumë se 10 muajsh : se nga kanabisi është kaluar tek kokaina dhe se qeveria e Edi Ramës është garant për paprekshmërinë e bosëve të drogës në Shqipëri!  Duke përdorur brutalitetin dhe paranë e tyre pistë të drogës, Rama mban pushtetin, pasurohet dhe pastron në ekonomi paratë e drogës.

3.4 milionë euro me Toyota Yaris nuk janë rastësi.

618 kg kokainë apo 180 milionë euro në Portin e Durrësit nuk janë rastësi.

Moskapja e bosëve të drogës në të dy rastet nuk është rastësi.

Prandaj nuk është rastësi mashtrimi i Ramës për shpalljen e fitores së luftës kundër kanabisit dhe heqjen e Shqipërisë nga harta e kultivimit të kanabisit.

E vërteta është se Edi Rama e ka hequr Shqipërinë nga harta e vendeve anëtarë të Bashkimit Europian.

Nëse do të kishte vullnet politik, Edi Rama duhet të arrinte të paktën rezultatet e qeverisjes së Partisë Demokratike në luftën kundër trafikimit të drogës, që siç thuhet në raportin e antidrogës italiane kapën vlerën më të ulët te tyre në vitin 2011.

Kultivimi dhe trafikimi i drogës, si dhe pastrimi i parave të pista nga organizatat kriminale me mbështetje qeveritare janë dy nga arsyet kryesore pse Shqipërisë nuk iu hapën negociatat!

Dhe as kanë për të na u hapur në 2019-ën, sepse Edi Rama është përfituesi kryesor i parave nga kultiivimi dhe trafikimi i drogës, është forca e krimit, që bën prej 5 vjetësh ligjin në Shqipëri!

Mediat kryesore europiane tani po e shprehin hapur se “paratë e drogës janë bërë para të politikës në Shqipëri”.

Shqiptarët, por dhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë më asnjë dyshim se kjo qeveri e ka lidhur fatin e saj me krimin dhe drogën, duke tradhëtuar interesat e vendit. Tani është koha  ta largojmë, për t’i hapur Shqipërisë rrugën europiane.