· Verdikti gjerman është se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave dhe se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë. Ky është lajmi më i keq për shqiptarët, të cilët po mbahen peng nga Edi Rama.

· Shqipërisë nuk i vendosen vetëm kushte, por për herë të parë, edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi të bërë nga Edi Rama.

· Vendimi mund të kishte qenë edhe më i keq, nëse opozita nuk do të kishte këmbëngulur për hapjen e negociatave, duke pranuar të vërtetën që e di Gjermania dhe partnerët e tjerë se Shqipëria nuk mund të qeveriset nga krimi dhe oligarkët, se Tahiri duhet të jetë në burg, se Xhafaj s’mund të jetë Ministër i Brendshëm.

· Cili është ndryshimi që Maqedonisë i rekomandohet hapja e negociatave pa kushte nga Bundestag-u dhe Shqipërisë i vendosen kushte të rënda të parecedenta për asnjë vend tjetër të Ballkanit? Cila është arsyeja??? Shqiptarët e kanë të qartë arsyen: Edi Rama, i zhytur në krim dhe korrupsion është e vetmja arsye pse Shqipërisë i vendosen kushte të rënda, të paprecedenta për asnjë vend tjetër të Ballkanit.

· Vetëofrimi i Edi Ramës për 600 mijë refugjatë bëhet kundër interesave të Shqipërisë dhe vetëm për të mbajtur pushtetin e tij me shpresën se Europa do t’i harrojë drogën, krimin, korrupsionin. E bën me shpresën se do të blejë prapë heshtjen e Europës me refugjatë. Koha e Edi Ramës kur blen heshtjen e Europës, ka marrë fund mbrëmë me konsensusin gjerman.

· Sot është dita që shqiptarët të pyesin vetën: Cila është përgjegjësia jonë? Sepse një popull ka qeverinë që meriton. Vetëreflektimi i shqiptarëve do të na bashkojë në një drejtim të vetëm: mobilizim kombëtar dhe qytetar për të larguar një orë e më parë Edi Ramën, këtë tradhtar të interesave kombëtare dhe popullore.

 

FJALA E KRYETARIT BASHA GJATË NDËRHYRJES SË PARË

Kjo mazhorancë dhe kjo qeveri e falimentuar politikisht, moralisht, e zhytur dhe e lidhur me krimin, po mundohet të japë përshtypjen se gjithçka po ecën normalisht.

Edi Rama mbrëmë është informuar, sikundër jam informuar edhe unë, për një ngjarje të hidhur dhe me pasoja të tmerrshme për fatin e negociatave, për fatin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ai ka ardhur sot këtu të bëjë të paditurin, akoma më keq, të fshehë të vërtetën apo ta manipulojë atë përmes mediave të kapura prej gryke me favore, joshje, shantazhe qeveritare.

Mbrëmë, vetëm 24 orë pas samitit Franko-Gjerman dhe takimit Merkel-Makron, kristiandemokratët dhe kristiansocialët gjermanë, aleatët, partia jonë simotër, anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe socialdemokratët gjermanë, aleatët dhe partia simotër e Partisë Socialiste dhe anëtarë të Partisë Socialiste Europiane, kanë rakorduar qëndrimin e tyre sa i përket hapjes apo jo të negociatave për Shqipërinë.

Zonja dhe zotërinj, ashtu si Edi Rama e di fare mirë, lajmi nga ky rakordim është më i keqi që shqiptarët mund të prisnin.

Është një lajm që Shqipëria nuk e meriton.

Është verdikti gjerman tashmë, jo dhe vetëm i Gunther Krichbaum, as thjesht dhe vetëm i Johan David Vadeful-it, as thjesht dhe vetëm i kristiandemokratëve, por i qeverisë gjermane, i mazhorancës gjermane, konservatorë e socialistë së bashku, se Edi Rama ka gënjyer.

Se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat.

Se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave.

Në këtë rezolutë e cila do të bëhet zyrtare, javën e ardhshme të martën, për herë të parë Shqipërisë nuk i vendosen thjesht dhe vetëm kushte por edhe një proces kontrolli që demonstron pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi të bërë deri më sot nga Edi Rama apo nga hallka institucionale të blera e të korruptuara nga ai.

Kjo është një ngjarje dramatike për Shqipërinë.

Shqiptarët, populli më proeuropian që i meriton hapat drejt integrimit europian si asnjë vend tjetër në Ballkan, mbahet peng nga një kryeministër… (mbyllet mikrofoni)

FJALA E KRYETARIT BASHA GJATË NDËRHYRJES SË DYTË

I ftoj mediat të më ndjekin përmes transmetimit në facebook.

Këta që zgërdhihen këtu janë përgjegjësit bashkë me këtë (Ramën), për këtë mandatë që ka marrë Shqipëria dj, nga vendi më i madh anëtar i Bashkimit Europian, nga Gjermania e kancelares Merkel, por siç e shikoni, nuk u bën përshtypje. Shikojeni si sillen dhe zgërdhihen.

U bëhet qejfi që Shqipërisë nuk i hapen negociatat.

Qeshin, fërkojnë duart se në fund të fundit ky ka qenë qëllimi, të shmangin me çdo kusht e me çdo çmim mbikëqyrjen e rreptë europiane që vjen me hapjen e negociatave.

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur qytetarë,

Kjo që shikoni sot, është shfaqja më e shëmtuar e falimentit moral të një mazhorance që erdhi me lekët e drogës dhe të krimit dhe s’u bë kurrë mazhorancë e votave të shqiptarëve.

Shikojeni.

Bojkotojnë opozitën, bojkotojnë Kuvendin, bojkotojnë Komisionet e Kuvendit, kjo ka një dhe vetëm një arsye: Edi Rama asnjë ditë nuk ka qeverisur për qytetarët e aq më pak me qytetarët.

FJALA E KRYETARIT BASHA GJATË NDËRHYRJES SË TRETË

Shihni mirë të dashur qytetarë se çfarë po ndodh edhe në këtë sallë.

Ka më shumë se një vit që ndodh anembanë Shqipërisë. Heqin zërin e opozitës, pastaj fusin një zhurmues për të ndërprerë edhe valët e internetit. Në mënyrë që të pengojnë transmetimin e fjalës së opozitës, përmes medias sociale.

I ftoj qytetarët shqiptarët e të shohin se cilat vende ndalojnë internetin për të ndaluar fjalën, për të ndaluar të vërtetën. Cili vend tjetër përveç Shqipërisë së Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Fatmir Xhafës dhe Sajmir Tahirit heq internetin që të mos dëgjohet e vërteta?

Është një listë e shkurtër vendesh të falimentuar të shkatërruara, të varfëra, të mjeruara. Këtu e kanë degdisur edhe këta Shqipërinë sot.

Përse e heqin fjalën?

Sepse po thoja një të vërtetë që e di sot e gjithë Gjermania, e gjithë Europa, e di edhe ky që mbrëmë  dhe hesht dhe e mban të fshehtë, sepse këtij kryeministri, që është edhe kryeprokurori, edhe kryegjyqtari edhe kryeredaktori i mediave shqiptare, duhet t’iu diktojë mediave që negociatat po hapen por s’kemi datë.

Vendimi i djeshëm i Gjermanisë, është verdikti më i qartë që negociatat nuk hapen për një arsye të vetme sepse Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet, sepse Edi Rama nuk ka bërë detyrat e shtëpisë dhe jo vetëm kaq, por ka gënjyer dhe mashtruar pacipërisht.

Kjo është arsyeja se përse mbrëmë konservatorët dhe socialdemokratët gjermanë morën këtë vendim.

Mund t’ju them edhe këtë se vendimi mund të kishte qenë edhe më i keq po mos të kishte qenë për insistimin tonë si opozitë.

Shikoni si zgërdhihen. Ata që zgërdhihen më shumë njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them. Dhe ka porositur një Toyota Yaris, por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda.

Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt.

Kryemashtruesi këtu shkonte dhe u thoshte, ne s’kemi probleme, s’kemi krim, s’kemi drogë, reformat po ecin, drejtësia po pastrohet, krimi po luftohet, korrupsioni po luftohet, ekonomia po ecën, ku në fakt e vërteta është ajo që di çdo shqiptar dhe nuk ka nevojë ta thotë opozita.

Ju kemi thënë se ato që dini ju:

  • Se kemi një kryeministër dhe një Ministër të Brendshëm të kapur nga krimi janë të vërteta;
  • Se Shqipëria është e renditur e 11 nga fundi i botës për korrupsion nga agjencia përkatëse, është e vërtetë.
  • Se këtu paratë e taksapaguesve shqiptarë, më të varfërit e Europës vidhen me kamionë nga Edi Rama dhe oligarkët

janë e vërteta.

Ne i njohim këto probleme. Ndryshe nga ky balerini që vjen vetëm për ekspozita për t’ju mashtruar sepse mendon se në Europë mund të shkohet me mashtrime.

Ne u kemi thënë partnerëve tanë ndërkombëtarë se ne i njohim këto të vërteta. I pranojmë këto të vërteta.

Por, pikërisht për shkak të këtyre të vërtetave kemi nevojë më shumë se kurrë për ndihmën tuaj. Është ky qëndim i yni i cili të paktën ka çuar në një formulim të tillë, ku Shqipërisë nuk i thuhet një jo e prerë, por derisa të plotësohen kushtet:

Derisa Sajmir Tahiri të jetë aty ku e kanë vendin trafikantët e lidhur me drogën; derisa Shqipëria të mos ketë një Ministër tjetër të Brendshëm i cili harxhon gjithë ditën e tij duke mbrojtur vëllain e tij trafikant të dënuar droge dhe kokën e krimit të organizuar në Vlorë. Derisa qeveria t’i kthehet njerëzve, derisa të kemi një bashkëqeverisje me qytetarët dhe jo një bashkëqeverisje me krimin dhe oligarkët.

Këto janë kushtet e një vendi që i do vetëm të mirën Shqipërisë.

E një vendi ku taksapaguesit e të cilit gjermanët kanë paguar më shumë se çdo komb tjetër në këto 27 vite, për zhvillimin tonë ekonomik, për demokracinë, për shtetin ligjor.

Kjo është e vërteta për të cilën sot i hoqën mikrofonin opozitës dhe hoqën e prenë internetin në një akt kriminal, që po të kishte shtet këtu, ai që e bëri duhej të shoqërohej për në polici, sepse administrata e parlamentit thotë nuk e bëmë ne.

Por dihet kush e bëri.

E bëjnë ata jo që përfaqësojnë njerëzit, por janë kukulla të bindura të Edi Ramës dhe aleancës së tij me krimin. Ky është thelbi.

Bashkëqeverisja me krimin, Rama-Krim, është arsyeja përse Gjermania ka marrë këtë vendim të qartë dhe të prerë.

  • Jo derisa të vendosen para drejtësisë politikanët e lidhur me krimin dhe politikanët e korruptuar.
  • Jo, derisa të luftohet trafiku i drogës, kultivimi i saj dhe Shqipëria të mos jetë eksportuesja kryesore e kokainës, heroinës dhe kanabisit në Europë.
  • Jo, derisa të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme që të mund të garantohen përmes një reforme zgjedhore që një herë e përgjithmonë, i jep fund farsave elektorale me shitblerjen e votës, me përdorimin e parave të pista të krimit dhe të drogës, për të blerë zgjedhjet.
  • Jo, derisa të ketë një reformë të vërtetë në drejtësi, me gjyqtarë e prokurorë që nuk mbrojnë Sajmir Tahirin dhe Fatmir Xhafën e vetë Edi Ramën, por ndëshkojnë krimin dhe korrupsionin.

Këto nuk janë më thjesht dhe vetëm qëndrimet e konservatorëve europianë apo gjermanë, ky është konsensusi konservator dhe socialist. Dhe nuk ka asgjë këtu kundër Shqipërisë apo kundër shqiptarëve, nuk ka këtu albanofobi.

Përkundrazi, a një shqetësim të madh për një vend ku 97% e shqiptarëve duan dhe e meritojnë integrimin europian por “Ali Baba me 40 hajdutë”  e mban peng dhe ditë për ditë shkon në drejtim të kundërt me gënjeshtra me mashtrime, me kërcënime, me hallishverishe.

Ky i cili largoi 500 mijë shqiptarë, tani që ia ka zënë rrota bishtin dhe që nuk e shpëtojnë dot as milionat e eurove që paguhen nga paratë e drogës dhe të korrupsionit me rrjetin e tij të lobistëve të korruptuar anembanë Europës dhe botës, ky tani ofron Pazar që të marrë 600 mijë sirianë.

500 mijë shqiptarë i çoi refugjatë, por është gati të marrë 600 mijë sirianë. Kjo është fantazma që sillet tani nëpër Europë.

Sillet vërdallë dhe lutet që Shqipëria të bëhet kazani i plehrave të botës.

Armët kimike, sillini në Shqipëri.

Mbetjet dhe plehrat, sillini në Shqipëri.

ISIS-in silleni në Shqipëri.

Dhe tani është vetëofruar për 600 mijë refugjatë sirianë.

Ky, qeveria e të cilit me 2 gisht shi falimenton, dorëzohet, kërkon ndihmën e botës, të NATO-s, për të përballuar situatën, deklaron se qenka i gatshëm për të ndërmarrë një operacion emergjence, që nuk e përballojnë dot as vetë vendet e Europës, sepse nuk ka asnjë pikë përgjegjësie dhe nuk ndjen asnjë pikë keqardhje për bashkëqytetarët e tij që po largohen nga Shqipëria.

E ka thënë vetë, e shikoni si e rreh gjoksin.

Një njeri që thotë mirë bëjnë që ikin shqiptarët papritur i vjen keq për sirianët për emigrantët e vendeve të tjera.

Në fakt nuk i vjen keq, nuk i bëhet vonë këtij as për sirianë, as për afganë, se këtij nuk i bëhet vonë për shqiptarët, s’i bëhet vonë as për ata që ka në krah, vetëm për veten e tij.

Vetëm për pushtetin e tij.

E bën me shpresën se do t’i harrojnë drogën.

E bën me shpresën se do t’i harrojnë krimin,

E bën me shpresën se do t’i harrojnë korrupsionin.

E bën me shpresën se do të blejë prapë heshtjen e Europës me refugjatë.

Harroje, se koha jote ku blen heshtjen e Europës, ka marrë fund!

Mbrëmë ka marrë fund një herë e përgjithmonë.

Ai është guri që i varet në qafë qeverisë tënde të dështuar të paaftë, të korruptuar, të lidhur me krimin, pengesës numër një dhe kryesore për Shqipërinë europiane, por po e bën këtë edhe për para, se kampet e refugjatëve janë tendera.

Kudo ku ky vetëofrohet për plehrat, për inceneratorët, gjithçka ka paranë.

Kampe refugjatësh, do të thotë, tendera ndërtimi. Do të thotë tendera furnizimi. Do të thotë tendera mirëmbajtje. Do të thotë më shumë para për Edi Ramën dhe oligarkët e tij.

Si munden që t’i besohen këtij, jo 600 mijë, por 6 refugjatë, kur dihet fare mirë se Shqipëria ka sot flotën më të rrezikshme për trafikun e drogës që nesër mund dhe do të shndërrohet në trafikun e qenieve njerëzore.

Kjo është arsyeja, të bëjë Shqipërinë kamp refugjatësh.

Një vend që është burim dhe tranzit i trafikut të qënieve njerëzore, në një vend burim tranzit dhe pikë kyçe të trafikut të drogës, në një vend të falimentuar nga korrupsioni, 600 mijë refugjatë janë një treg për më shumë trafik, për më shumë drogë, më shumë para në xhepat e krimit të organizuar të lidhur me Edi Ramën.

Për të bindur që ta kthejë Shqipërinë e varfër dhe të falimentuar në një kamp refugjatësh, Edi Rama, po përdor edhe një tezë skandaloze, po thotë që kemi përvojë me refugjatët që kemi pranuar me kosovarët në fillim.

Është e vërtetë që Shqipëria ia doli të përballojë krizën e shpërnguljes së kosovarëve  me zemër dhe dashuri, siç e ka thënë kryeministri i asaj kohe, jo me qeveri.

Kosovarët u strehuan në shtëpitë e vëllezërve të tyre në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, dhe jo në kampe refugjatësh. Qytetarët e Tiranës ndejtën në rradhë me orë të tëra për t’i pritur në familjet e tyre.

Ky njeri nuk njeh as atdhe, as familje, madje i quan kosovarët refugjatë dhe mburret se me kosovarët paska përfituar përvojë për të mbajtur refugjatët në kamp.

Shpërdorimi i dashurisë së shqiptarëve për njëri-tjetrin për të kthyer Shqipërinë në një kamp refugjatësh, është jo vetëm shenjë e mungesës së dashurisë për vendin e këtij njeriu, por dëshmi se për pushtet dhe para, Edi Rama shkel mbi gjithçka.

Zonja dhe zotërinj,

Dua ta them sot qartë dhe shkoqur

Partia Demokratike, opozita qëndron fuqishëm prerë dhe vendosmërisht, për largimin e Fatmir Xhafajt. Fatmir Xhafaj do të ikë. Agron Xhafaj është trafikant droge në Itali dhe Shqipëri.

Refugjatët sirianë, nuk e shpëtojnë dot.

Nuk e shpëtojnë dot as prokurorët që po montojnë një skenar qesharak dhe idiot si ato që montonte Fatmiri kur ishte hetues i Sgurimit të Shtetit dhe detyronte me tërtura të pafajshmit, të pranonin që ishin të fajshëm.

Nuk e shpëton dot as propaganda.

Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama vetëm sa po e fundosin më shumë veten e tyre.

Unë dhe PD po presim me qetësi të shohim se ku do t’i çojë dëshpërimi dhre budallallëku i tyre.

Këtu paska një parlament ku zbatohen rregullat??? Këtu paska një parlament ku garantohet rregullorja, rregullat, ligji??? Në fakt këtu asgjë nga këto nuk bëhet.

Të gjithë  shqiptarët e kanë të qartë se cili është ndryshimi. Cili është ndryshimi që Maqedonisë i rekomandohet hapja e negociatave pa kushte nga Bundestag-u dhe Shqipërisë i vendosen kushte të rënda të parecedenta për asnjë vend tjetër të Ballkanit?

Cila është arsyeja???

Arsyeja është një dhe vetëm një: Edi Rama.

Një kryeministër i lidhur me krimin dhe i zhytur ne krim, që kryeson sot një qeveri rekord të korrupsionit.

Një qeveri e cila ia ka dalë në vetëm tre vite e gjysëm ta kthejë Shqipërinë në prodhuesin më të madh të emigracionit për frymë në planet.

Më shumë emigrantë largohen nga Shqipëria si përqindje e popullsisë se nga çdo vend tjetër i botës duke përfshirë Sirinë, Afganistanin dhe vendet e tjera të luftës civile e të mënxyrave të tjera që s’mund t’i rrokë mendja njerëzore.

Përse? Sepse ky ka kryer një krim të pafalshëm , jo thjesht ka destabilizuar shkatërruar ekonominë, jo thjesht dhe vetëm ka mbyllur ditë për ditë qepenat e bizneseve që nuk përballojnë dot taksat, tarifat më të larta në Europë, për popullin më të varfër të Europës.

Jo thjesht dhe vetëm e ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Mesdheut, në Kolumbinë e Europës.

Por ka vrarë shpresën.

Ky është krimi më i rëndë, ky është epitafi i këtij eksperimenti të dështuar dhe me kosto që quhet Edi Rama dhe Rilindja e tij kriminale.

Ndaj, të dashur qytetarë, ndërkohë që vendimi për moshapjen e negociatave dhe kushtet e vendosura Shqipërisë flasin më qartë se çdo fjalim i imi, i demokratëve, apo i kundërshtarëve tanë, sot është dita, t’i bëjmë një pyetje vetes.

Cila është përgjegjësia jonë?

Një popull ka qeverinë që meriton.

A meritoni ju një kryeministër dhe një qeveri e cila pengon aspiratën mbarëkombëtare, demokratë dhe socialistë, toskë e gegë, muslimanë e të krishterë, për të qenë pjesë e Europës?

A meritoni ju një qeveri dhe një kryeministër i cili nga mëngjesi deri në darkë ushtron vetëm dy aktivitete: allishverishe me oligarkët për drogë, për kulla, për pastrim parash, për pushtetin e tij dhe propagandë në të cilën ia ka kaluar për minutazh edhe regjimit komunist.

A meritoni ju shqiptarë një njeri i cili me urrejtjen e verbër ndaj jush dhe ndaj vendit është gati të shesë gjithçka, është gati ta kthejë vendin në një kazan plehrash për inceneratorët e Benit e të Klodit e të vetat.

Është gati ta kthejë vendin në një kamp gjigant në vend që të punojë për të kthyer 500 mijë shqiptarët e larguar prej tij.

Për të sjellë këtu 600 mijë sirianë është gati të shesë gjithçka mjafton që të qëndrojë në pushtet.

Kjo është pyetja që duhet t’i shtrojmë sot vetes.

Jam i bindur se përgjigja do ta na bashkojë në një drejtim të vetëm: Mobilizim kombëtar dhe qytetar për të larguar një orë e më parë këtë tradhtar të interesave kombëtare dhe popullore.