Të nderuar bashkëqytetarë,

kam kënaqësinë e madhe të mirëpres sot në selinë e Partisë Demokratike dy miq të shquar të Shqipërisë Reinhold Lopatka, Kryetar i Komisionit të Çështjeve Europiane dhe Nënkryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin austriak  dhe z. Michael Hammer zv/Kryetar i Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Parlamentin austriak.

Në vizitën e tyre dy parlamentarët e shquar të Austrisë mike kanë ndërmarrë një sërë takimesh dhe, gjatë takimit me përfaqësues të opozitës dhe gjatë takimit që kanë patur këtu me mua, kemi diskutuar për prioritetin më madhor kombëtar, negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në emër të opozitës, në emër të Partisë Demokratike kam përsëritur qëndrimin tonë të qartë, të prerë duke i kërkuar miqve tanë të bëjnë gjithçka që negociatat për anëtarësim të hapen, ky vendim të merret në Këshillin Europian në fund të këtij muaji.

Natyrisht shqetësimet për gjendjen politike në vend mbeten, veçanërisht sa i përket kapjes së politikës, kapjes së pushtetit nga krimi, kapjes së drejtësisë nga pushteti dhe problemeve që kjo ka shkaktuar për shtetin ligjor, për shtetin e së drejtës dhe për ekonominë.

Por pikërisht për këto arsye duke mos e fshehur të vërtetën, iu kemi thënë miqve tanë austriakë që ne e dimë fare mirë se kemi probleme serioze, jemi të angazhuar si opozitë për t’i zgjidhur këto probleme, kemi nevojë për ndihmën austriake dhe ndihmën europiane për t’i zgjidhur këto probleme, ndaj kërkojmë hapjen e negociatave si një instrument presioni dhe kontrolli ndaj qeverisë me qëllim që Shqipëria të përparojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, në luftën kundër korrupsionit, në zhbërjen e kapjes së shtetit nga krimi dhe në një drejtësi të pavarur e cila nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e lidhur me krimin dhe korrupsionin.

Dua të falenderoj me këtë rast, Sebastian Kurtz, Kancelarin e Republikës së Austrisë, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë dhe qëndrimin e tij të qartë pro hapjes së negociatave dhe të falenderoj nga zemra dy bashkëbiseduesit dhe dy miqtë e nderuar sot në Tiranë, zyrtarët e lartë, përfaqësuesit e lartë të parlamentit austriak.

Dhe tani dëshiroj t’i jap fjalën zotit Reinhold Lopatka.

Deklarata e Reinhold Lopatka, Kryetar i Komisionit të Çështjeve Europiane dhe Nënkryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin austriak

Zonja dhe zotërinj!

Siç e dini, Austria e ka mbështetur gjithnjë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Dhe ne jemi të lumtur që të marrim presidencën e Këshillit Europian në vijim pas Bullgarisë dhe për vazhduar në rrugëtimin e filluar. Padyshim, që në jemi pro hapjes së negociatave në Këshillin Europian në fund të qershorit. Ky është një qëndrim i ndarë nga të gjitha partitë e Parlamentit Austriak dhe të gjithë ne e mbështesim këtë qëndrim pro Shqipërisë edhe të kancelarit Kurz. Sot kemi pasur mundësinë të shkëmbenim me parlamentarë si të shumicës parlamentare, ashtu edhe të opozitës dhe me kënaqësi konstatoj se hapja e negociatave mbështetet nga të dyja palët. Kryetari Basha e konfirmoi këtë mbështetje të hapjes së negociatave në takimet tona, ashtu si edhe nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi.

Megjithatë më duhet të theksoj se ne jemi të shqetësuar për çështjen Xhafaj. Rasti i ministrit Xhafaj duhet të hetohet në mënyrë të besueshme në mënyrë që të mbështesë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Qytetarët austriakë janë të shqetësuar përsa i përket krimit të organizuar shqiptar në Europë. Duhet luftë kundër  elementëve kriminalë për të stabilizuar funksionimin e ligjit, Kushtetutën, e cila është shumë e rëndësishme për ne.

Top Channel: A jeni ju në dijeni për një plan të mundshëm për ngritjen e një kampi refugjatësh në Shqipëri, i referohem disa publikimeve në media të ndryshme që kanë qarkulluar nga dita e djeshme dhe sot të cilat citojnë disa deklarata të Kancelarit Kurzt, ku nuk përmendet shprehimisht Shqipëria por lihet një lloj dyshimi. Nga biseda që keni pasur me miqtë austriakë, a keni ju një informacion shtesë për një gjë të tillë?

Basha: Unë kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me partnerët tanë duke përfshirë kancelarin austriak Kurz dhe të tjerë përfaqësues të qeverive perëndimore edhe mbi këtë problem. Shqetësimi për sa i përket Shqipërisë dhe aktivizimit të ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike”, ka të bëjë me a është e aftë Shqipëria me këtë gjendje të shtetit ligjor, në këtë gjendje luftës ndaj korrupsionit dhe krimit, që konsiderohet e pamjaftueshme, të përballojë një krizë të tillë. Ne si opozitë jemi të angazhuar plotësisht për të dhënë kontributin tonë dhe nga ana tjetër kemi bërë fare të qartë që, ashtu si në luftën kundër trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore,  luftën kundër korrupsioni qeveritar, diferenca bëhet nga mungesa e vullnetit politik apo nga ekzistenca e vullnetit politik. Opozita, Partia Demokratike, ka demonstruar katërcipërisht vullnetin politik për t’u përballur me të vërtetat, jo për t’i fshehur ato dhe as për të pretenduar se nuk ekzistojnë, ndërsa një qeveri, e cila, deri më dje, mohonte krimin, drogën, kultivimin dhe trafikun e saj, në vlerësimin tonë, nuk ka as besueshmërinë, as vullnetin politik dhe as potencialin për të mobilizuar kapacitetet shtetërore. Ndaj një dimension i tillë kapërcen kufijtë e vendit tonë, natyrisht nuk mund të jetë kurrsesi një vendim i vetëm një personi, aq më pak, nëqoftëse kjo serviret një karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Europës, nga skandalet Tahiri, Xhafaj dhe lufta e pamjaftueshme kundër drogës dhe krimit.

Report TV: Gazeta “Shqiptarja.com”, ka zbuluar se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është vetë ofruar një personi cili ka pretenduar se ka qenë ai  që ka folur me dëshmitarin X, ose Albert Veliun. A keni informacion se kush është ky person?

Basha: Jo, por me siguri artikulli është shkruar në Surrel, kështu që bëjani pyetjen kryeministrit.