Opozita nxjerr jashtë nga Komisioni i Kulturës Erjon Veliajn, i cili hyri në mënyrë të paligjshme në dëgjesën e kërkuar nga opozita me Ministren e Kulturës për projektligjin që shemb teatrin Kombëtar dhe i jep tokën e tij dhe prona të tjera publike kompanisë së lidhur me Ramën dhe Veliajn.

Sqarimi i Kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi pas largimit të Veliajt dhe bojkotit të PS.

Shembja e Teatrit Kombëtar është një prej aferave më të mëdha korruptive. Është një proçedurë ekstraligjore që ka zgjedhur Edi Rama, për të shpërndarë përgjegjësinë edhe me deputetët e vetë për të mbuluar një pazar shumë të madh që ai ka bërë me kompaninë “Fusha”.

Për këtë caktuam të hënën e kaluar, në të cilën Ministrja refuzoi të paraqitet. Vetë Ministrja propozoi që të vinte përpara këtij Komisioni në datën 19 ose 20.

Ne vendosëm që ta kishim në datën 19 duke i bërë një shkresë tjetër zyrtare, sepse të gjitha i kemi të firmosura, të vulosura, me numër protokolli. Një shkresë tjetër zyrtare, ku e ftonim ministren, të vinte, të jepte sqarime për këtë projektligj abuziv antiligjor, sepse shkel një sërë ligjesh të tjera, siç është ligji për koncesionet dhe Partneritetin – Publik-Privat, ligjin për vetëqeverisjen vendore, Ligjin për pronat, gjithashtu është një projektligj antikueshtetues, pasi shkel nenin 3, nenin 113, nenin 116 të Kushtetutës.

Duke pasur parasysh që, ne si deputetë të opozitës në këtë Komision por jo vetëm, edhe grupet parlamentare tonat, qoftë të PD dhe LSI, jemi shumë të shqetësuar për këtë projektligj të propozuar nga Edi Rama, vendosëm që ta mbanim sot dëgjesën me Ministren e Kulturës, e dakordësuar nga të gjitha palët.

Përderisa në këtë projektligj, që në fakt e kanë shkruar si me këmbët e pulës, i jepej një rol shumë i madh negociatori kryetarit të Bashkisë ,i cili do të ishte ai vetë, në bazë të termave të referencës, të hartuar nga kompania “Fusha”, e cila përcakton edhe kushtet e kontratës, atëherë ne vendosëm që Kryetari i Bashkisë të thirrej në këtë Komision për të dhënë edhe ai sqarimet e tij si drejtues i Bashkisë për të dhënë informacionin për deputetët e këtij komisioni, për rolin e tij dhe rolin e Bashkisë në pjesën e negocimit, si kryetar i grupit të negocimit. Të negocimit i thënçin, se s’ka negociata, është një pazar i mbaruar dhe dihet edhe fitimet kush i merr, kush nuk i merr, vetëm ndarja e fitimeve nuk dihet, sa merr Rama, sa merr Veliaj, si ndahen fitimet.

Ky është një partneritet jo PPP, por Rama-Veliaj-Fusha.

Vendosëm që kryetarin e Bashkisë ta thërrisnim të mërkurën, pra nesër në orën 10.00.

Për sqarim Rregullorja e ka shumë të qartë, se 1/3 e deputetëve të një Komisioni mund të thërrasë për dëgjesë të gjithë krerët e institucioneve për të dhënë informacione dhe sqarime të mëtejshme për një projektligj, për një iniciativë ligjore, për një implementim të ligjit apo çdo çështje që ata e kanë nën institucionin që drejtojnë.

Përderisa ishte caktuar që ministrja sot, kryetari i Bashkisë nesër, me urdhër të Ramës, deputetët e mazhorancës, në një akt të paprecedentë, sollën një kërkesë mbi kërkesë, ndërkohë që rregullorja e përcakton qartë që, sapo bëhet kërkesa e 1/3 së anëtarëve, futet në rendin e ditë. Nuk ka më votim kalendari sepse rregullorja dhe Kushtetuta kanë përcaktuar hapësirat e opozitës. I kanë lënë hapësirë opozitës, por tentativa e sotme ishte që t’i mbyllej goja opozitës.

Dhe për fatin tonë shumë të keq, edhe si qytetarë të Tiranës dhe si deputetë, sot roli i ishte caktuar Erjon Velisë që të vinte i paftuar, që të vinte në shkelje të ligjit dhe rregullores.

Prania e tij ishte e paligjshme dhe jo vetëm kjo, por të tentohej të uzurponte këtë mbledhje, të shkatërronte këtë mbledhje të Komisionit vetëm e vetëm që t’i hiqnin mundësinë që rregullorja dhe Kushtetuta ia ka dhënë opozitës, për të bërë transparencë, mbi këtë vjedhje shumë të madhe që po i bëhet, duke tjetërsuar pronën publike, për t’ia dhënë privatit, për përfitime personale marramendëse.

Ajo çka ndodhi këtu mendoj se është rrëzimi i shtetit ligjor. Kryetari i Bashkisë erdhi i paftuar për të uzurpuar parlamentin. Është parë e dëgjuar më parë kjo gjë? Kemi një kryetar Bashkie i cili i hakërrehet oficerëve të gardës. Sot kishim oficerë të gardës, që në vënd që të bënin detyrën e tyre dhe të mbronin deputetët, sot oficerët e gardës kanë marrë urdhër nga Edi Rama dhe Veliaj për të mbrojtur kryetarin e Bashkisë, duke iu kundërvënë deputetëve të Kuvendit. A është parë a dëgjuar ndonjëherë kjo?!

I kam bërë thirrje Gramoz Ruçit që të ndërhynte për të zhbllokuar situatën që e krijoi në mënyrë të dhunshme konfliktuali Erion Veliaj që kishte marrë sot për turp këtë rol.

Është për të ardhur keq që kryetari i Kuvendit nuk ndërhyri për të zhbllokuar situatën duke mos kryer funksionet e tij.

Është për të ardhur keq që drejtuesi i gardës nuk ndërhyri për t’i dhënë urdhër oficerëve të gardës për të nxjerrë jashtë Erjon Velinë.

Erjon Veliaj ta harrojë që mund të hyjë në këtë sallë apo në këtë godinë, apo në të gjitha godinat që i përkasin sovranit. Ta harrojë që mund të bëjë arrogantin dhe dhunuesin.

As paratë e oligarkëve, as paratë e bosëve të drogës nuk e bëjnë dot Erjon Velinë që të shkelë mbi Kushtetutën dhe rregulloren dhe të prishë mbledhjet e këtij Komisioni apo procesin parlamentar.

Ne do ta ngremë çështjen e gardistëve të cilët nuk ndërhynë, në shkelje të ligjit. Do të bëjmë edhe një kallzim penal për të gjithë oficerët që nuk ndërhynë për të mbrojtur deputetët, por u vunë në urdhrat, në shkelje të ligjit, nën urdhrat e kryetarit të Bashkisë. Gjithashtu atë çka ndodhi sot, ne do t’ia tregojmë të gjitha ambasadave, delegacionit të BE-së, Parlamentit Europian dhe të gjitha institucioneve të tjera të BE-së.

Erjon Veliaj mund të bëjë çfarë të dojë në zyrën e tij, por nuk mund ta bëjë dot këtu. I çorientuar krejtësish,t ai ka dhënë një deklaratë se PS zhvillon qytetin sa herë është në drejti të tij.

Në tre muajt e parë janë dhënë  231 leje ndërtimi. Ajo çka po bën Erjon Veliaj me Tiranën është krimi më i madh që po i bëhet Tiranës.

Sa herë që PS vjen në pushtet, Tirana shkatërrohet, Tirana betonizohet.

Dhe tani duke larë edhe paratë e drogës që ata e mbollën, e korrën, e eksportuan dhe tani duan të bëjnë pastrimin e parave.

Të gjitha projektet që i nisi Lulzim Basha, merita e vetme e Erjon Velisë është që i privatizoi dhe i shpalli si të tijat.

Projekte që i bllokoi Edi Rama dhe del Erjon Veliaj sot duke u dukur si një kryetar bashkie që po bën punë për Tiranën, por pas fasadës me ngjyra e biçikleta, me pemë që po mbjell, po vjen vdekja e qytetit të Tiranës. Nuk them, vetëm vdekja kulturore, vdekja historike por edhe në kuptimin fizik të fjalës. Sepse ai me gjithë këto ndërtime, me betonizimin e Tiranës po shkakton një krim shumë të madh. Po shkatërron Tiranën.