Fjalimet e plota të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Parlament.

Të dashur qytetarë,
Në këtë seancë gjeni shprehjen më të qartë të kapitullimit dhe të rënies së qeverisë së krimit dhe të drogës, ku mungojnë dy nga kokat kryesore të aleancës së pushtetit me krimin, Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj.
Kërkesa e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është e qartë dhe e kuptueshme për ju si kryetar i Kuvendit për deputetët, për median, për çdo qytetar, kjo seancë nuk duhet të vazhdojë pa praninë e këtyre të dyve këtu.
Llogaridhënia e të cilëve në këtë moment kyç dhe kritik për nesërmen, për vendimmarrjen europiane është një detyrim moral dhe politik.
Nqse kanë vendosur të mos vijnë më në këtë sallë, atëherë le ta çojnë deri në fund.
Të largohen sot dhe të çlirojnë Shqipërinë nga aleanca e krimit me pushtetin që është pengesa numër një për integrimin europian të vendit.
Këtë shqetësim jua kanë shprehur fare qartë ditën e martë përfaqësuesit më të lartë gjermanë, përfaqësueses së Partisë Socialiste gjatë vizitës së saj në Bundestag.
Natyrisht më kanë informuar edhe mua.
Jam informuar hollësisht për qëndrimet e Bundestagut, të Kancelarisë, të Elysee-së, të Binnenhof-it dhe të kancelarive të tjera europiane.
Shumë më mirë se disa prej jush këtu natyrisht i painformuar nuk është as ai që nuk është dhe as ai tjetri aty.
E dinë fare mirë se çfarë duhet të bëjnë.
Ai (i drejtohet Fatmir Xhafës) duhet të largohet një orë e më parë dhe ky tjetri (Ramës), duhet të marrë përgjegjësi.
Ka katër javë që skandali i vëllezërve Xhafaj, njëri kokë e krimit të organizuar në Vlorë dhe në mbarë Shqipërinë, dhe tjetri Ministër i Brendshëm që e mbron dhe i mundëson aktivitetin kriminal ka pushtuar vëmendjen e opinionit publik dhe natyrisht partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Ka katër javë që Edi Rama dhe fatmir Xhafaj, i fshihen të vërtetës.
Ka katër javë që kjo sallë, institucionet e këtij vendi, kjo parti politike, mbahen peng për të mbrpjtur Agron Xhafajn dhe Fatmir Xhafajn.
I mban peng Edi Rama.
E vërteta është se këtë të hënë dhe të martë isha në Berlin jo në vizitë klandestine siç bëni ju, as të paguar me milionat e drogës të kanabis – diplomacisë suaj por i ftuar nga autoritetet më të larta gjermane për të diskutuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend, 6 javë pas largimit të Edi Ramës nga Berlini, jo vetëm që s’ka shkuar drejt përmirësimit, por ka shkuar drejt përkeqësimit.
Se Sajmir Tahiri ashtu siç paralajmëruam, u lirua si pjesë e paktit mafioz Rama-Tahiri dhe e njëjta skemë po ndiqet, për të mbrojtur vëllezërit Xhafaj.
Dhe se në këto kushte është e paimagjinueshme që Bundestagu apo cilido institucion tjetër europian, të rekomandojë atë që kemi kërkuar ju dhe ne.
Hapjen e negociatave.
Ju me pretendimin se Shqipëria e meriton për shkak të reformave që keni bërë dhe ne me fakte dhe argumenta se pavarësisht që në vend të shoni përpara, keni shkuar mbrapa në raport me demokracinë, shtetin ligjor, luftën kundër krimit, luftën kundër korrupsionit, hapja e negociatave është instrumenti i vetëm i cili mund të garantojë presion maksimal ndaj bandës që qeveris sot pa ligj dhe pa Kushtetutë në këtë vend.
Z. Kryetar, pezullo seancën, thirr këtu Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën.

Pjesa e dytë

Zoti Ruçi e shoh që keni dështuar në përpjekjen tuaj për të sjellë në këtë sallë dy personazhet kryesore të skenarit kriminal për mbrojtjen dhe pandëshkueshmërinë e Ministrit të Brendshëm, yllit 4-vjeçar të Edi Ramës, Saimir Tahiri dhe për mbrojtjen e klanit mafioz të vëllezërve Xhafaj. Pyetja që na shtohet është se cfarë kanë këta të dy më të rëndësishme që nuk vijnë sot në Parlament të përballen me opozitën, të përballen me qytetarët, të përballën me median? Përgjigjen për këtë na e kanë borxh ata. Natyrisht nëse refuzojnë të vijnë në këtë seancë, jemi gati të jua japim me fakte konkrete dhe prova të padiskutueshme se çfarë gjëje të rëndësishme ka Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj tani që nuk e lejojnë të vijnë këtu në këtë sallë, që nuk e lejojnë të mbledhë qeverinë. Që nuk e lejojnë të qeverisë por që i kanë detyruar të dy, dhe pjesën më të madhe të kësaj qeverie të gangrenizuar nga krimi dhe lidhjet me trafiqet e drogës, të shpenzojnë gjithë ditën dhe gjithë natën e tyre në skenarë kriminalë të shkatërrimit dhe të fshehjes së provave për hetimet për Saimir Tahirin. Për hetimet që duhet të zhvillohen për Agron Geron dhe Fatmir Xhafajt dhe natyrisht për hetimin që duhet të kishte nisur një prokurori po ti kishte mbetur një fije pavarësie, ndaj Edi Ramës si pjesëmarrës në një skenar kriminal në kuptimin penal të fjalës, jo në kuptimin politik, për të zhdukur provat, për të penguar drejtësinë në hetimin e Agron Xhafajt, një prej kokave të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në Vlorë dhe në mbarë Shqipërinë. Ndaj dhe njëherë duke mirëkuptuar pafuqinë tuaj, i bëj thirrje Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës të dalin nga vrima ku janë strukur, të vijnë këtu e të përballen me të vërtetat ose ti japin fund makthit të tyre duke dhënë edhe formalisht dorëheqjen. Sepse praktikisht janë dorëhequr nga çdo detyrë kushtetuese dhe ligjore, e vetmja detyrë që kryen nga mëngjesi deri në darkë është mbrojtja e krimit dhe aferave kriminale ku janë zhytur e po zhytën dita ditës.
Thërrit Edi Ramën, Fatmir Xhafën të përballen me opozitën, të përballen me të vërtetën!
z.Ruçi ju flisni për një realitet që ekziston vetëm në kokën tuaj, as në këtë sallë, as në këtë vend në asnjë qytet, në asnjë fshat nuk vepron më as ligji, as Kushtetuta. Këtu në këtë sallë e keni “therur” Kushtetutën më 16 dhjetor për të emëruar kukullën tuaj në krye të Prokurorisë të Përgjithshme duke dhunuar reformën në drejtësi, për të vënë në krye të Prokurorisë një njeri i cili të garantonte atë që po ndodh; lirimin e Saimir Tahirit, shkatërrimin e hetimeve, provave, ekstradimin e paligjshëm të dëshmitarëve të çështjes për të bllokuar dhe mbrojtur me çdo kusht Agron Xhafajn, Fatmir Xhafajn. Sepse kjo është e vetmja mënyrë se si mund të mbrohet kreu i kësaj pune, kreu i kësaj kupole Edi Rama.
Ju flisni për ligjin, ndërkohë që Florin Onuzin, babin e tre fëmijëve që s’ka asnjë lekë për t’i mbështetur, për t’i blerë bukën e jo më për të blerë librat dhe këpucët për ti çuar në shkollë e la të pësonte atak kardiak në qelitë e burgut, sepse u ngrejt kundër trarit që i vutë tek dera e shtëpisë. Saimir Tahiri na pinë birra nga ballkoni në ish-Bllok me kapot e drogës dhe krimit të përfshirë këtu edhe vëllain e kryeministrit.
Katër të tjerë i mbani akoma në qeli, me qindra shqiptarë i mbani në qeli, shpeshherë në shkelje flagrante të ligjit dhe dhunime mizore të të drejtave të tyre kushtetuese nga një tufë horrash të maskuar nën uniformën e Policisë së Shtetit, që po turpërojnë gjithë atë trupë njerëzit që duhet t’i shërbejnë ligjit dhe sot kanë vetëm një qëllim, t’i shërbejnë makthit dhe anktheve të Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Saimir Tahirit.
Prandaj siç e kuptoni nuk jeni në pozicion të negocioni me mua për zbatimin e rregullores kur ju jeni bashkëpërgjegjës për dhunimin e Kushtetutës dhe të ligjit.
Edi Rama dhe Fatmir Xhafa nuk kanë asnjë punë të rëndësishme tani përveçse të shpëtojnë lëkurën e tyre, mision ky krejtësisht i pamundur.
Dëgjojeni mirë!
Mision i pamundur! Kësaj rradhe proçka që keni bërë ka marrë erën dhe nuk ka lobist dhe miliona droge të vënë…
Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj po i fshihen medias, po i fshihen qytetarëve si dy burracakë, si dy njerëz të përfshirë në një komplot, në një skenar kriminal për të penguar hetimet, për të penguar drejtësinë.
Nuk iu mjafton kapja e Prokurorisë, nuk iu mjafton Arta Marku, as Donika Prela, nuk iu mjafton as kamxhiku i vetingut që përdorën për të liruar Saimir Tahirin.
Jua thanë, meqë keni shumë qejf ti referoheni ambasadorit Lu këto tre vitet e fundit, pse nuk iu referuat kur tha se po bëhet presion.
Kush e bëri presionin për të liruar Saimir Tahirin?
Unë e bëra?! PD e bëri?! Opozita e bëri?!
Kush e bëri presionin për të liruar Saimir Tahirin ? Kush e bëri presionin ndaj gjyqtarëve? Kush ofroi para gjyqtarëve?
Kush ndihet i kërcënuar nga Saimir Tahiri në arrest shtëpie apo në burg? Kush investon miliona për të liruar Saimir Tahirin? Kush takohet fshehtësi me Saimir Tahirin?
Është i njëjti njeri i cili ideoi largimin e Dritan Zaganit në azil dhe ngriti në piedestal krye trafikantin e drogës Saimir Tahiri.
Është i njëjti njeri, është Edi Rama prapa këtij skenari kriminal dhe korruptiv për të penguar hetimet ndaj Agron Xhafajt, për të penguar drejtësinë të bëjë punën e saj dhe për të mbrojtur vëllain tjetër të familjes mafioze, për turp të Zotit faqe kësaj bote akoma ministër i Brendshëm i Shqipërisë.
Ndaj thirri këtu një orë e më parë! Le të vijnë këtu dhe të ballafaqohen me të vërtetat. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë më të rëndësishme se sa drama e një republike të rënë, pa demokraci, pa shtet ligjor, pa Kushtetutë, pa ligj, por një korporatë politiko-kriminalo-oligarkike që ka zaptuar gjithçka në këtë vend.
Ndaj s’ka nevojë ta hapësh fare mikrofonin se më ndjekin live në Facebook, ka ikur koha kur mund të kontrollonit sipas qejfit zërin e kundërshtarit tuaj politikë. Edhe një herë ia drejtoj këtë thirrje të drejtpërdrejtë dy burracakëve që fshihen: Ejani këtu dhe përballuni me të vërtetat! Përballuni me të vërtetat sot këtu! Dilni nga vrimat ku jeni fshehur! Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj ejani përballuni me të vërtetat !

Pjesa e tretë

Z. Ruçi ndërkohë që Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj vazhdojnë të fshihen vrimave të miut për të mos u përballur me të vërtetën, ndërkohë që ata po bëjnë gjithçka për të mos u përballur me të vetmen aulë ku dëgjohet zëri i opozitës pa filtra e medias së kapur dhe analistëve të blerë me paratë e drogës, vazhdon avazi i nisur prej 3-4 ditëve i qeverisë bamirëse.
Edi Rama iu hoqi ndihmën ekonomikë 30 mijë familjeve, i hodhi në mes të katër rrugëve dhe para dy ditëve na u ul në një mexhlis të stisur për gjoja bamirësi. Natyrisht këto gjëra të shëmtuara ndodhin në dy lloj vendesh; ndodhin në vende ku injoranca sundon mjerimin dhe varfërinë, ndodhin dhe në territoret e mafias, bamirësia e stisur, e shtirur është një ndër aktet e mafias për përmirësimin e imazhit.
Paradoksi i njëriut që iu hoqi bukën 30 mijë familjeve, qindra prej të cilëve i kam vizituar personalisht, ciniku i cili bënte sikur nuk shihte baballarët që shisnin gjakun e trupit për të ushqyer fëmijët, jetimët pa pritur na holloi zërin, na përkundi shtatin dhe na mori pozat e Nënë Terezës.
Kjo është një shëmti që duhet dënuar me forcë nga çdo shoqëri e emancipuar, nga çdo njeri me ndërgjegje qytetare dhe patriotike, qoftë me 8-vjeçare, me shkollë të mesme e në veçanti nga ata të paktë intelektualë që i kanë mbetur vendit.
Sa për talasemikët e sapo përmendur këtu do të mjaftonte 1/10 e parave që ka shpërdoruar dhe vjedhur Edi Rama, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri për t’u kujdesur për tre gjenerate për talasemikët e gjithë Mesdheut.
Ndaj lërini këto poshtërsira, këto hipokrizira, ky është poshtërim për talasemikët, poshtërim për të varfrit. Këtu ka një dhe vetëm një problem, shteti i kapur nga krimi. Ndaj thirri të vijnë këtu dhe të përballen me të vërtetat dhe faktet.

Pjesa e katërt

Zonja dhe zotërinj,
Të dashur qytetarë,
U mbushën plotë katër javë e disa ditë që nga publikimi i fakteve se vëllai i Ministrit të Brendshëm, i dënuar për trafik droge, jo vetëm mbrohej por i sigurohej liria dhe të gjitha kushtet me mbështetje policore, pulitike dhe qeveritare, për të vazhduar aktivitetin kriminal të trafikut të dragës në Vlorë dhe mbarë Shqipërinë, për të vazhduar aktivitetin kriminal të pastrimit të parave të pista të krimit dhe të drogës përmes aktiviteteve kriminale të pikave të basteve, të ;lojërave të fatit dhe të ndërtimeve në Shqipëri, në Maqedoni e gjetkë.
Kaluan katër javë dhe asnjë masë nuk është nërmarrë nga Prokuroria, asnjë distancim nga pushteti, nga Edi Rama, dhe vëllkai i tij i cili për faqen e zezë të vendit dhe turpin e pashlyeshëm të kësaj qeverie, mbetet rasti unik dhe i vetëm në botë, ku Ministri, përgjegjës për të zbatuar Ligjin Antimafia, është vetë subjekt i Ligjit Antimafia.
U bënë katër javë që Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj i japin mbrojtje dhe mbështetje të përditshme krimit, trafikut dhe bandave të lidhura me qeverinë.
Tahiri sot është në liri.
Xhafaj mungon sepse nuk i del koha mes shkatërrimit të provave, intimidimit të dëshmitarëve, kërcënimit të gazetarëve, survejimit të opozitës dhe joshjes me qindra mijëra euro të drogës të kujtdo se mendon se mund ta nxjerrë nga halli i madh që i ka rënë në kokë.
Kapja e prokurorisë, presioni i vazhdueshëm i drejtësisë i denoncuar edhe nga partnerët tanë strategjikë, janë vepra të drejtpërdrejta të një njeriu i cili është urdhëruesi dhe arkitekti i lirimit të Sajmir Tahirit, i mbajtjes së Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme dhe i mbështetjes së vazhdueshme, përkrahjes pa kufi ndaj bandave dhe organizatave kriminale me të cilat e ka lidhur fatin e vetë politik.
Për Tahirin, për Xhafën, por në esencë për veten e vetë, Edi Rama po bllokon integrimin europian të Shqipërisë.
6 javë më parë në Berlin e mori të qartë mesazhin se negociatat rrezikohen nga ajo që konsiderohet si luftë e pamjaftueshme ndaj krimit dhe korrupsionit, nga kapja e shtetit dhe moszbatimi i ligjit.
Nga fakti që politikanëve të zbuluar dhe të provuar si të lidhur me krimin, Edi Rama u jep mbrojtje dhe mbështetje duke shkelur rregullat e parlamentit, kushtetutën, dhe ligjet, duke shndërruar parlamentin në gjykatë, siç bëri për Sajmir Tahirin.
Është e papranueshme për Europën të ulet në tavolinën e bisedimeve një vend që ka në krye një qeveri që e renditi vendin në 20 më të korruptuarit e Botës.
Pas kthimit nga Berlini, për t’i hedhur hi syve dhe në përputhje të plotë me paktin e paralajmëruar nga opozita Rama-Tahiri, ky i fundit që vrapo sa iu mbajt fryma për të mos djegur mandatin, vetëm një javë më parë, papritur pas një takimi kokë më kokë me Edi Ramën në Tiranë, të dokumentuar nga burime të besueshme dhe prova të pakontestueshme nga opozita, na dha dorëheqjen.
Dha dorëheqjen pasi mori garancitë se do të dorëzohej në mënyrë të kontrolluar tek drejtësia nën thundrën e Edi Ramës.
Dhe kështu ndodhi.
10 ditë arrest shtëpie, birra dhe qofte në ballkon dhe tani liri totale për Sajmir Tahirin.
Ministrin e Brendshëm që për katër vite e shndërroi Shqipërinë në strehë të krimit të organizuar, në prodhuesin dhe eksportuesin kryesor të kanabisit dhe pikë kyçe poër trafikun e kokainës dhe heroinës.
Burg për kuksianët, azil politik, përndjekje për Dritan Zaganin.
I njëjti skenar po ndiqet, por tashmë me përmasa thellësisht më kriminale, për të shpëtuar vëllezërit Xhafaj nga drejtësia.
I njëjti arkitekt, i njëjti urdhërues.
Edi Rama ti i ke shpallur me veprimet, vendimet dhe mosveprimet e tua, marrjen në mbrojtje shtetërore të vëllezërve Xhafaj, të Agronit të dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg dhe vëllait të tij Ministrit për faqen tënde të zezë, akoma të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, njësoj siç bëre me Habilajt dhe Tahirin.
Edi Rama, ti i ke mundësuar Fatmir Xhafajt që t’i sigurojë vëllait trafikant, lirinë në Shqipëri edhe pse duhej të ishte në burg prej pesë vitesh sipas vendimeve të autoriteteve italiane.
Edi Rama ti bën sikur nuk sheh dje dhe sot, që Ligji Antimafia nuk zbatohet sepse nuk e zbaton autoriteti përgjegjës Fatmir Xhafaj, i cili në një moment të vetëm ndershmërie në 40 e ca vjet të karrierës së tij politike që nga Partia e Punës si hetues i sigurimit të shtetit dhe sekretar i rinisë komuniste, si Ministër Drejtësie dhe si Ministër i Brendshëm, pohoi se teorikisht e kap Ligji Antimafia, por praktikisht jo. Praktikisht e kishte fjalën për ty Edi Rama me mbështetjen që i jep ti.
Që ligji të mos jetë i barabartë për të gjithë.
Që një qytetar pa mbështetje politike, pa lidhje me politikanët, me të pushtetshmit, me të fortët, gjobitet, shoqërohet në polici, keqtrajtohet, dhunohet, shtyhet drejt vetëvrasjes, torturohet dhe të vritet.
Por një njeri që sot duhej të ishte nën kontrollin rigoroz të Ligjit Antimafia, jo vetëm që nuk e bën këtë, por e pengon qëllimisht nga pozitat e Ministrit të Brendshëm.
Edi Rama ti dhe Fatmiri u kujdesët që Agroni të vazhdonte me aktivitetin kriminal të drogës natyrisht s’kishte pse të pendohej, me burg u dënua, asnjë ditë nuk bëri.
Natyrisht nuk kishte përse të de motivohej, Ligji Antimafia, nuk ia merr pasuritë e krijuara përmes drogës dhe krimit.
Ti Edi Rama, njësoj si me Sajmir Tahirin, vendose të bësh dorëzimin e kontrolluar të Agron Xhafajt.
E largove në fshehtësi dhe me urgjencë, për t’ia fshehur drejtësisë në Shqipëri dhe për të manipuluar procesin penal ndaj tij.
Këtë vendim ti Edi Rama e shpalle publikisht vetëm disa orë pasi shqiptarët dëgjuan qartë dhe pastër, pa asnjë dyshim materialet e siguruara nga hetimi gazetaresk se Agron Xhafaj e vazhdon aktivitetin e tij kriminal edhe gjatë kohës që vëllai i tij është ministër i Brendshëm dhe ti zgërllitësi i madh je Kryeministër.
Largimi në fshehtësi dhe në urgjencë e Agron Xhafajt është ekspertiza më e qartë se ti Edi Rama ke patur dijeni për trafikun e drogës nga Agron Xhafaj.
Tani shqiptarët do të marrin vesh shumë shpejt. Pra sot është ora për t’i thënë shqiptarëve të vërtetën e një skenari kriminal ku është përfshirë drejtpërdrejtë ky njeri, dhe ai tjetri që mungon aty. Skenar i dënueshëm nga Kodi Penal, skenar për të bllokuar hetimet, për të manipuluar provat, ky që qesh dhe ai aty që mungon janë sot dhe duhet të merren që sot si të pandehur për pjesëmarrjen në një skenar kriminal të manipulimit të hetimeve me prova të pakundërshtueshem që disponohen nga opozita, nga Partia Demokratike.
Brenda orëve Edi Rama e shpalli audiopërgjimin falso, por nuk iu shpjegoi kurrë shqiptarëve se ku e bëri akt ekspertizën e tij të cilën e ka shpallur brenda ditës kur çoi me urgjencë Agron Xhafajn në drejt të Italisë.
Pra, Edi Rama vendosi që hetimin penal ndaj Agron Xhafajt ta drejtonte personalisht i vëllai i tij, ministri i Brendshëm. Vetëm kështu mund të siguronte Edi Rama që prokuroria do ti bindej pa asnjë mëdyshje urdhërvve të tij dhe vendimeve të Prokurorisë do të ishte ai që paralajmëroi dhe paracaktoi Edi Rama natën e parë të publikimit të fakteve.
Në fakt kjo ndodhi, Prokuroria nuk guxoi të deviojjë asnjë centimetër nga skenari kriminal i hartuar nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Prokuroria “Rama-Xhafaj-Marku” lejoi largimin nga Shqipëria të Agron Xhafajt pa guxuar ta marrë atë në pyetje si trafikant droge, pa e nxjerrë me zë dhe figurë përpara shqiptarëve dhe pa e ballafaquar për asnjë çast me dëshmitarët e çështjes.
Prokuroria “Rama-Xhafaj-Marku” pranoi në fshehtësi të plotë mostrat e zërit të regjistruara privatisht në mes të natës, edhe pse për tu realizuar ekspertiza kërkohet që regjistrimi të kryhet në të njëjtat kushte dhe me të njëjta pajisje siç është bërë përgjimi fillestar.
Prokuroria “Rama-Xhafaj-Marku” vuri në dispozicion të trafikantit në mes të natës prokurorët e Prokurorisë së Tiranës të cilët nuk guxuan të kërkonin asnjë provë që zëri i regjistruar si kampion eksperimental është apo jo i Geron Agron Xhafajt.
Prokuroria “Rama-Xhafaj-Marku” brenda natës me 15 maj 2018, me urdhër të treshes Rama-Xhafaj-Marku regjistroi kallëzimin penal të Agronit për kallëzim të rreme. Brenda natës hodhi shortin për caktimin e prokurorit, brenda natës prokurori mori në dorëzim dosjen dhe shqyrtoi materialet fillestare, brenda natës Prokurori vendos të kryejë veprime hetimore siç ishte administrimi i të dëshmisë së Agron Xhafës. Brenda natës prokurori vendosë të marrë në pyetje dëshmitarin Albert Veliu ende pa u bërë publik identiteti i tij, por natyrisht Prokuroria e kishte marrë vesh personalisht nga Agron Xhafaj.
Brenda natës Prokurori vendos ekspertin, brenda natës Prokurori vendos të pranojë mostrat e zërit, brenda 24 orëve vendos ta transferojë çështjen tek Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Spidi Gonzales, të gjitha këto u bënë për 24 orë. Për 24 orë Spidi Gonzales, Arta Marku u vu në lëvizje sepse skenari kriminal i Edi Ramës parashikonte fshehjen jashtë Shqipërisë të Agron Xhafajt. Më tej prokuroria “Rama-Xhafaj-Marku” transferoi materialet nga Prokuroria e Tiranës tek Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila vetëm pasi u sigurua që Agroni ishte larguar nga Policia, ishte larguar nga Shqipëria me nderime policore vendosi të regjistronte procedim penal 4 ditë pasi ishin publikuar materialet audio të hetimit gazetaresk.
Më tej ky “Rama-Xhafaj-Marku” ndërmorin skenarin kriminal të shantazhit të dëshmitarëve dhe denoncuesve duke mos guxuar kurrë ndërmarrjen e veprimeve hetimore që zbardhin të vërtetën brenda 24 orëve.
Prokuroria “Rama-Xhafaj-Marku” dërgoi për eskpertim materialet që i caktoi ky, Edi Rama dhe ia dorëzoi të gatshme përmes Agron Xhafajt, dërgoi për ekspertizë materialet e çështjes atje ku urdhëroi ky, Edi Rama, duke mos guxuar që ta zgjidhte ajo vetë laboratorin. Sepse laboratorin ajo vetë e kishte zgjedhur në Surrel, laboratorin e Surrelit, dhe analiza është bërë gati për tu shpallur duke injoruar çdo precedent të mëparshëm të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët tanë, Byronë Federale të Hetimit që e përdorin si Jasminë kacavjerrëse për të mbuluar aferat. Por kësaj radhe nuk ia çuan Byrosë Federale të Hetimit sepse Edi Rama është në krye të zbatimit të një skenari kriminal.