Jorida Tabaku denoncoi me fakte konkrete korrupsionin në nivelet më të larta në qeveri. Gjatë ndërhyrjes në Komisionin e Ekonomisë, Tabaku, vuri në dukje se korrupsioni është një nga pengesat kryesore për hapjen  e negociatave.

“Në periudhën 2014-2018, qeveria ka dhënë më shumë se 36 mijë tendera, ndër to, me negocim pa shpallje janë dhënë  pothuajse 10 mijë tendera. Një në tre tendera jepet pa garë. Pothuajse 250 milionë euro jepet pa konkuruar. “

Tabaku tha se nëse ligji do të zbatohej,  do të kursehehsin të paktën 60 milionë euro, një fond i mjaftueshëm për të ndërtuar jo 1 teatër, por 2. Jorida Tabaku ngriti si shqetësim kryesor mungesën e Gjykatës Kushtetuese, e cila, siç theksoi nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, është nxjerrë jashtë funksionit që opozita dhe qytetarët të mos kenë ku të godasin vendimet antikushtetuese.

“Ligji i veçantë për Aeroportin e Vlorës nuk çohet dot në Gjykatë Kushtetuese. Ligji i veçantë për shembjen e Teatrit Kombëtar nuk çohet dot në Gjykatë Kushtetuese, VKM-ja abuzive për Air Albania nuk çohet dot në Gjykatë Kushtetuese. Edi Rama po shndërrohet në një diktator”- u shpreh Jorida Tabaku, e cila vuri në dukje se edhe për Bashkimin Europian është e papranueshme nisja e negociatave me një vend ku nuk ekziston Gjykata Kushtetuese.