• Në Europë shkohet vetëm duke përqafuar të vërtetën. E vërteta është se nuk ka hapje negociatash me Shqipërinë.  Ka një shtyrje të vendimit me 1 vit dhe, në qoftë se kushtet nuk plotësohen, prapë nuk ka hapje negociatash. 
  • Kushtet për Shqipërinë janë shtuar nga 5 në 13, sepse kemi një kryeministër që, në vend të ndëshkonte krimin dhe korrupsionin, bashkëqeverisi dhe përfitoi prej tyre. 
  • Gjermania kërkon kontroll rigoroz të plotësimit të 13 kushteve. Kjo është arsyeja pse vjen në Korrik Komisioni Europian. 
  • Qëndrimi i Gjermanisë 24 orë pas vendimit: “Deri në qershor 2019 nuk ndodh asgjë sa i përket negociatave, vendet duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Konferenca e parë e negociatave mund të bëhet në fund të 2019 vetëm në varësi të progresit të arritur dhe aprovimit nga Këshilli. Nuk ka hapje të negociatave përpara se të ketë një vendim të Bundestagut”. 
  • Me Edi Ramën, që zgjodhi Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën dhe vjedhjen e shqiptarëve përpara interesit të shqiptarëve për integrimin europian, Qershori i vitit tjetër do të jetë edhe më keq se ky Qershor. 
  • Esat Toptan, Haxhi Qamil dhe Hamza Kastriot kemi vetëm Edi Ramën, njeriun që zgjodhi të tradhëtojë interesat e shqiptarëve, për hir të fatit të vet politik personal që e ka të lidhur me krimin. 
  • Asgjë nuk do të ndryshojë sa kohë që Edi Rama është kryeministër. Bashkimi Europian nuk do t’i hapë negociatat për sa kohë krimi, korrupsioni dhe droga janë të vetmet produkte të kësaj qeverie. 
  • Detyra jonë kryesore nuk është të korrigjojmë projektin kriminal të Rilindjes, por është që së bashku me shqiptarët të formulojmë zgjidhjen politike e cila mund dhe do të zhbllokojë integrimin e bllokuar europian. Mundësia jonë e vetme për të ecur përpara është ta largojmë sa më parë qeverinë dhe kryeministrin e kapur nga krimi dhe oligarkia. 
  • Le të fillojmë ta kërkojmë Europën brenda vetes tonë si opozitë. Le të ndërtojmë së bashku një aleancë të madhe të vlerave europiane. Kjo është një sfidë e madhe për të cilën ju siguroj që unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur ta marrim përsipër. 
  • Le ta nisim betejën për të vërtetën sot e të mos e ndalim derisa ta çlirojmë vendin nga kjo e keqe. Derisa ta largojmë Edi Ramën dhe klikën e tij të korruptuar e t’i japim vendit qeverinë që do të bëjë të mundur plotësimin e aspiratës sonë për Shqipërinë si gjithë Europa.

Fjala e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha, në Parlament. 

Zoti na e ka dhënë përgjigjen.

Nuk e ka kufizuar budallallëkun që të durojmë këtë e të kuptojmë në kurrizin tonë, në kurrizin tuaj se çfarë ndodhë kur zgjedh apo pranon të të vjedh votat një mashtrues, një hajdut, një njeri i lidhur me krimin si askush në ë vite, si ky që sapo la sallën.

Për këtë arsye po na teston Zoti e do të vazhdojë të na testojë derisa të ngrihemi në nivelin e sfidës dhe të marrim fatin tonë në duart tona.

Deri në atë moment ky do të vazhdojë të pëllasë në këtë sallë pa dhënë asnjë llogari, do të vazhdojë t’ju fyejë nëpër lëndina, nëpër qytete e në telefon me gjuhën e rrugaçit, që s’e ka dëgjuar njëri në ë vite nga goja e një kryeministri.

Do të vazhdojë t’ju shesë sapunin për djathë; moshapjen e negociatave për hapje negociatash; kriminelët për ministra të brendshëm, hajdutët për ministra financash e fkonomie.

Do të vazhdojë t’jua shesë:

  • Mjerimin që ju rritet dita-ditës si sukses të pakundërshtueshëm,
  • Pasigurinë e rrugëve, shkollave si gjendjen më normale në botë
  • Mjerimin e shëndetësisë si përparim,
  • Arsimin në ditën e tij më të zezë si arritje speciale të rilindjes.

Vëllezër e motra, zonja dhe zotërinj,

Sot e nesër është mbledhja e Këshillit Europian. Askush përveç Këshillit Europian nuk mund të hapë negociatat.

Të hënën dhe të martën Këshilli i Përgjithshëm, i përbërë nga ministrat e Jashtëm,  mori në shqyrtim rekomandimin pa kushte të Komisionit Europian që Shqipërisë t’i hapen negociatat.

Në muajt pararendës Edi Rama brodhi cep më cep duke rrahur gjoksin se në Shqipëri nuk ka më krim, nuk ka korrupsion, nuk ka drogë, nuk ka ministra të lidhur me krimin, nuk ka drejtësi të kapur politikisht, se këtu shteti i së drejtës funksionon normalisht e duke kërkuar kësisoj se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave.

Në të njëjtët muaj edhe ne opozita shkuam kryeqytet e më kryeqytet, e në veçanti aty ku policitë e vendeve anëtare e dinë fare mirë se që prej ditës që Edi Rama është bërë kryeministër tre gjëra janë rritur në vendin e tyre;

  • eksporti i krimit shqiptar,
  • eksporti i drogës shqiptare
  • numri i shqiptarëve që kërkojnë azil politik apo shkojnë si emigrantë të paligjshëm.

Këto janë tre arritjet e vetme të Edi Ramës në 5 vite të qeverisjes më të zezë në 30 vite që ka njohur vendi.

“Çfarë kërkoni? Si mund të kërkoni hapjen e negociatave në kushte të tilla?”, ka qenë pyetja e drejtë, e sinqertë e atyre që nuk kanë kursyer as paratë e taksapaguesve të tyre për të ndihmuar Shqipërinë, që e duan Shqipërinë dhe i duan shqiptarët, por që janë sot më të vetëdijshëm se kurrë që ky vend drejtohet nga një qeveri e lidhur me krimin dhe që, së bashku, kanë kapur drejtësinë dhe kanë shkaktuar kolapsin ekonomik, vrasjen e shpresës që është arsyeja kryesore për fluksin e emigrantëve drejt vendeve të tyre.

Përgjigjja jonë po kështu ka qenë e qartë. Ndryshe nga ky që nuk duroi dot se nuk i mbajnë leqet, leqet e gënjeshtrave s’i mbajnë më dhe e la sallën, ndryshe nga ky, ne i kemi thënë: “Po është e vërtetë, nuk i mohojmë këto probleme, të cilat janë rritur dhe rriten nga dita në ditë, por kjo është një arsye më shumë që të punojmë së bashku për t’i zgjidhur ato. Ne kemi nevojë për ndihmën e Europës,  kemi nevojë për ndihmën tuaj.”

Ndaj hapja e negociatave do të sillte edhe më shumë mbikëqyrje dhe monitorim, që të mos mos kemi më ministra të Brendshëm si Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj, të lidhur me krimin drejtpërdrejtë apo përmes familjarëve të tyre, që të mos kemi më Polici të Shtetit ku gjysma e kupolës është në kërkim nga drejtësia si bashkëpunëtore në trafikun e drogës, që të mos kemi më një kryeministër, ministra të fnancave dhe të ekonomisë, infrastrukturës, energjetikës që vjedhin me kamionë përmes partneritetit publik privat, që është në fakt skema e pastrimit të parave të pista.

Kemi nevojë për më shumë dhe jo për më pak Europë.

Pas kësaj përpjekje, erdhi Samiti i Sofjes. Në këtë samit, në Samitin e Partive Popullore u tha qartë: konkluzioni është se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, ka gënjyer, ka mashtruar, edhe ka kërcënuar me Rusi e me Kinë, me ekstremizëm islamist, me refugjatë dhe me çdo lloj kërcënimi, por detyrat e shtëpisë nuk i ka bërë.

Ka bërë atë që bën me gangsterët e tij, kur shkon në fushatë për të vjedhur votat dhe mendon se kështu do të shkojë edhe në Europë; duke mashtruar, duke gënjyer, duke kërcënuar.

Përgjigjen e ka marrë të qartë: Në Europë nuk shkohet duke gënjyer. Në Europë nuk shkohet duke mashtruar. Në Europë nuk shkohet duke kërcënuar.

Në Europë shkohet vetëm duke përqafuar të vërtetën dhe e vërteta është ajo që Këshilli i Ministrave e ka vendosur të zezën mbi të bardhë: Nuk ka hapje negociatash me Shqipërinë.  Ka një shtyrje të vendimit me 1 vit dhe, në qoftë se kushtet nuk plotësohen, prapë nuk ka hapje negociatash.

Nuk janë më 5 kushtet fillestare, janë 13 sa i përket Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian dhe, akoma më shumë, sa i përket vendeve anëtare.

Qytetarët duhet ta kuptojnë: vendimin për të hapur negociatat e marrin vendet anëtare. Mjafton një vend anëtar të shfaqë rezerva dhe vendimi nuk merret. Vendet anëtare kanë insistuar, më i madhi ndër vendet anëtare, Gjermania ka insistuar që jo vetëm do të ketë një kontroll rigoroz të plotësimit të 13 kushteve, jo vetëm Komisioni Europian do ta bëjë nga fillimi detyrën. Prandaj vjen në korrik, jo për t’i krehur bishtin Edi Ramës, tradhtarit të interesave të shqiptarëve, që për Fatmir Xhafën, për Agron Xhafën, për Saimir Tahirin ia mbylli negociatat shqiptarëve edhe këtë vit, por për të kontrolluar kushtet dhe zbatimin e tyre.

  • Sa kohë kemi një ministër të Brendshëm, i cili harxhon gjithë kohën e tij duke mbrojtur vëllain e tij kriminel droge,
  • Sa kohë të kemi paraardhësin e tij në liri, sepse Edi Rama tmerrohet, në qoftë se ai shkon atje ku e ka vendin dhe bilbilos për rolin e Edi Ramës në mbulimin e Shqipërisë me kanabis dhe kthimin e saj në eksportuesin kryesor të drogës në Europë,
  • Sa kohë kemi një qeveri që nga mëngjesi deri në darkë planifikon vetëm vjedhjen e shqiptarëve dhe pronave të tyre, siç po ndodh me Teatrin Kombëtar, për të pastruar paratë e drogës, Qershori i vitit tjetër do të jetë edhe më keq se ky qershor.

Europa na e ka bërë të qartë; është në dorën tuaj shqiptarë, është në dorën tuaj nëse doni Europën, duhet të luftoni krimin, duhet të luftoni korrupsionin, duhet të luftoni drogën, duhet të keni gjyqtarë dhe prokurorë që nuk mbrojnë, por ndëshkojnë politikanët e lidhur me krimin, politikanët e korruptuar, që zhvasin vendin, buxhetin e shtetit dhe pronat e vendit.

Nuk është kot edhe kushti shtesë, e ka thënë qartë si drita e diellit: Europa nuk do të tolerojë më zgjedhje si këto që ka bërë Edi Rama, zgjedhje të manipuluara, vota të blera, angazhim të ushtrisë së kriminelëve dhe narkotrafikantëve për të shkatërruar vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sepse ja ku na sjell, në një kabinet, në një kryeministër i cili nuk ka asnjë përgjegjësi para njerëzve.

Vjen këtu dhe flet si e “ëma e Zeqos majë thanës”, sepse nuk ka asnjë përgjegjësi ndaj qytetarëve, nuk e lidh asgjë me fatin tuaj. E lidh gjithçka me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh me të cilët e ka marrë pushtetin dhe për të cilët e ka pushtetin bashkë me veten e tij.

Kryemashtruesi, politikani më mashtrues në ë vite pluralizëm vetëm me 9 maj 2018 tha tekstualisht: “Ne po punojmë që të hapim negociatat që në qershor, por është shumë e rëndësishme që ky hap të ndodhë edhe në dhjetor, mjafton që të jetë brenda vitit 2018-të. Kjo sepse vitin e ardhshëm është periudhë zgjedhjes në BE dhe unioni mund të përballet me një sërë ndryshimesh gjë që mund të komplikojë rrugën tonë drejt integrimit”,  – mbyll citimin.

Kjo është ajo që tha një muaj e gjysëm përpara. Dje kur e pa se nuk kishte asnjë shqiptar që të besonte gënjeshtrën, mblodhi grupin parlamentar dhe ministrat që t’ua shiste gënjeshtrën atyre, se me këta e ka kollaj, se tundin kokën për çdo gjë që thotë ky. Edhe kur u thotë “fluturon gomari”, thonë “po fluturon gomari”. “Janë hapur negociatat, po janë hapur, urra”.

Me standartin e tyre mund të përfundojmë si Koreja e Veriut që shpalli se kishte fituar kampionatin botëror të futbollit. Në qoftë se do t’i lëmë aty do të përfundojmë! E vërteta është fare ndryshe, Këshilli Europian nuk do të vendosë sot për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Këshilli Europian do të respektojë konsensusin e vendeve anëtare, i cili është i qartë si drita e diellit.

Vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë do të shqyrtohet edhe njëherë në qershor të vitit 2019-të. Një vit, sepse Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, sepse Shqipërisë i janë shtuar kushtet. Sepse kemi një kryegënjeshtar si kryeministër, sepse kemi një njeri i cili në vend që të ndëshkonte e të largonte ministrat e lidhur me krimin e korrupsionin, i mbron dhe i promovon sepse është vetë autori dhe përfituesi i skemave të tyre.

Kjo është arsyeja se pse Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Ndaj Esat, Haxhi Qamil dhe Hamza Kastriot kemi një dhe vetëm një njeri. Njeriun që zgjodhi të tradhëtojë interesat e shqiptarë, të tradhëtojë aspiratën tonë për të qënë pjesë e familjes së madhe europiane, për hir të Habilajve, të Balilajve, të Xhafajve. Për hir të Saimir Tahirit, për hir të një grushti kriminelësh me të cilët e ka lidhur në mënyrë të pazgjidhshme  fatin e vet politik dhe personal.

Ky është tradhtari i vetëm në këtë sallë. E ka bërë me vetëdije të plotë, është zgjedhja e tij. Është zgjedhja e tij, ka qënë zgjedhja e tij dhe tani nuk ndahet dot nga kjo zgjedhje që ka bërë. Është e kotë që të presim, është i njëjti njeri:

  • që i solli kriminelët këtu në këtë sallë dhe i bëri deputetë,
  • që i bëri kriminelët kryetarë bashkish e u dha pushtet, që u vuri kriminelëve policinë në dispozicion.
  • që u vuri kriminelëve në dispozicion pasuritë e Shqipërisë për t’i tjetërsuar me PPP-të e për të pastruar paratë e pista të krimit,
  • që vuri në dispozicion kupolën politike të PS-së, sa për të bërë drogë aq për të pastruar para.

Ato Yaris-it janë maja e ajsbergut, prandaj e kemi euron në pikën rekord sot në raport me lekun. Sepse ditë për ditë në të gjitha pikat kufitare, pushtetarët socialist sjellin paratë e pista të drogës dhe dalin garant për paratë e pista të drogës që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare.

Kjo po ndodh për një dhe vetëm një arsye: sepse Edi Rama prej kohësh ka tradhtuar aspiratën tonë për të qënë jo vetëm si gjithë Europa, por edhe fatin dhe ekzistencën e vetë vendit. Është e kotë të shpresojmë se kjo do të ndryshojë sa kohë që Edi Rama është kryeministër. Kjo nuk do të ndryshojë dhe nuk mund të ndryshojë, nuk mundet. Është e pamundur që Edi Rama ta ndryshojë këtë ekuacion dhe, papritur, të zgjedhë Europën e të lëshojë Fatmirin, Saimirin e kupolën e drogës.

Është e pamundur që Edi Rama të kthejë milionat e eurove që ka marrë ryshfet nga aferat korruptive me oligarkët nga stadium tek Teatri. Nga PPP-të e konçesionet!

Është e pamundur të presim që e keqja që ka zënë rrënjë me projektin kriminal të rilindjes të ndalet.

E vetmja mënyrë që kjo e keqe mbahet në këmbë është duke e thelluar të keqen.

Ndaj sot në vigjilje të këtij vendimi të hidhur është më e qartë se kurrë se detyra jonë kryesore, nuk është të korrigjojmë projektin kriminal të Rilindjes, as të riedukojmë e rehabilitojmë Fatmirin, Saimirin, Agronin, Arbenin, Damianin apo vetë kapobandën, por është që së bashku me shqiptarët të formulojmë zgjidhjen politike e cila mund dhe do të zhbllokojë integrimin e bllokuar europian. Padyshim nuk mund të kalojë pa përfshirjen e socialistëve të ndershëm shqiptarë, të atyre që nuk kanë në tavolinat e tyre, po aq të varfra sa edhe të pjesës tjetër të popullsisë, frutet e helmuara të bashkëpunimit me krimin. Të atyre që nuk e lidhin ekzistencën e tyre nga mëngjesi në darkë me shoqërinë me kriminelë. Të atyre që nuk ua pinë gjakun shqiptarëve me aferat korruptive dhe humbasin çdo fundjavë qindra mijëra euro në kazinotë e Maqedonisë dhe të Selanikut. Të atyre që nuk u kanë vënë kazmën aspiratave të shqiptarëve për shpirtkazmërinë, makutërinë e shpirtit të tyre të shitur tek djalli. Duhet të jetë patjetër një bashkim kombëtar, por mund dhe do të nisë vetëm atëherë, kur e keqja që ka zënë rrënjë në atë karrige dhe në gjithë Shqipërinë, të jetë mundur e të jetë larguar. Që ta bëjmë këtë duhet ta fillojmë me pranimin e të vërtetës.

  1. Bashkimi Europian nuk do t’i hapë negociatat për sa kohë krimi, korrupsioni dhe droga janë të vetmet produkte të kësaj qeverie.
  2. Bashkimi Europian nuk do t’i japë dritën jeshile të besimit, një kryeministri që është faktuar si tutori dhe protektori i krimit dhe i drogës në këtë vend. Bashkimi Europian nuk do t’i hapë dritën jeshile një vendi që nuk garanton themelin e Demokracisë: zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
  3. Bashkimi Europian nuk mundet t’i hapë dyert një vendi ekonomia e të cilit ka rënë pre e peshkaqenëve të krimit dhe oligarkëve dhe ku nuk ka një investim të huaj serioz në pesë vite qeverisje dhe ku oligarkët fitojnë gjithçka, nga PPP-të deri tek tenderat e zyrave të qeverisë, duke rrënuar e shkatërruar biznesin e vogël e të mesëm, shtyllën e ekonomisë, nga dita në ditë. Duke shkaktuar papunësi, varfëri, rritje çmimesh, rritje të kostos së jetesës dhe dëshpërimit.

Tradhtari i Shqipërisë nuk është ai që denoncon krimin, drogën dhe korrupsionin.

Tradhtari i Shqipërisë ai që e solli drogën, krimin dhe korrupsionin. Është ai që zgjodhi dhe zgjedh aleancën me krimin, drogën dhe korrupsionin para hapjes së negociatave dhe fatit të shqiptarëve. Ka një dallim shumë të madh midis Griseldës, historisë së gruas së Elvis Roshit që vuri një jastek në bark, deklaroi pastaj se e abortuan me forcë demokratët në mënyrë që Edi Rama dhe Erjon Veliaj të vraponin në Bruksel e të gënjenin miqtë e Shqipërisë dhe denoncimit të të këqijave që ua kanë zënë fytin shqiptarëve dhe që po e mbysin çdo ditë në mjerim, në pamundësi, në padrejtësi.

Ka një ndryshim shumë të madh në luftën për të nxirë imazhin e vendit, që të mos bëheshim anëtarë të NATO-s, që të mos hiqeshin vizat për shqiptarët, dhe përpjekjes për t’u thënë europianëve, ndryshe nga ky që mban me të padrejtë skeptrin e krye sunduesit të vendit, ne opozita, i njohim problemet tona. E dimë se pa i zgjidhur ato nuk ka Europë. Jemi këtu për t’ju kërkuar ndihmën tuaj dhe për të bashkëpunuar me ju me vizionin tonë dhe platformën tonë dhe mbi të gjitha me pastërtinë tonë, për një Shqipëri të çliruar nga krimi.

Qeverisja e kapur nga krimi, drejtësia e kapur nga qeveria, ekonomia në faliment, janë tre fondamentalet. Pa zgjidhjen e këtyre tre problemeve, nuk ka e nuk mund të ketë Shqipëri europiane.

Ja çfarë thotë Gjermania 24 orë pas marrjes së vendimit, moshapjes së negociatave dhe shtyrjen e vendimit për hapjen e negociatave ose jo deri në qershor. Citoj, si duhet lexuar vendimi i Këshillit Europian: “Deri në qershor 2019 nuk ndodh asgjë sa i përket negociatave, vendet duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë, implementimi do të vëzhgohet dhe vlerësohet nga Komisioni. Është e paqartë se çfarë do të ndodhë në qershor 2019, por jo negociatat. E qartë është që Këshilli, si edhe këtë vit, edhe në qershor 2019 do të merret me paketën e zgjerimit dhe do të nxjerrë përfundimet. Konferenca e parë e negociatave mund të bëhet në fund të 2019 vetëm në varësi të progresit të arritur dhe aprovimit nga Këshilli”. “Procesi i negociatave’, vazhdon dokumenti të cilin e citoj fjalë për fjalë, “fillon në fund të 2019, gjithmonë nëse janë arritur përparimet e nevojshme sipas pikëpamjes së Këshillit. Vendimi për hapjen e negociatave në Konferencën e parë”, vijon dokumenti zyrtar gjerman “është edhe në varësi të procedurave të parlamenteve kombëtare”, citohen konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm. “Këtu”, vazhdon dokumenti gjerman, “do të pyetet edhe Bundestag-u përpara se Këshilli të dalë me qëndrimin e tij në dhjetor 2019. Kjo do të thotë”, përfundon dokumenti zyrtar gjerman, “nuk ka hapje të negociatave përpara se të ketë një vendim të Bundestag-ut”, që është natyrisht, e drejta dhe detyrimi kushtetues i Parlamentit gjerman.

E gjithë pjesa tjetër është propagandë bajate e atyre që nuk shohin krimin, korrupsionin dhe drogën. E atyre, të cilët po mundohen që edhe dështimin e tyre ta shesin si sukses. Të atyre që ju kemi thënë dhe jua përsërisim, që në këtë mënyrë nuk ndihmoni as Edi Ramën, as Shqipërinë. Realiteti është ky. Kjo është e vërteta. Këtë paralajmërova prej janarit. Këtë paralajmërova këtu nga kjo foltore, kur u ktheva nga Sofja. Këtë paralajmërova para një jave dhe ja ku është fakt i pakundërshtueshëm.

Zonja dhe zotërinj,

Kushtet e Këshillit Europian për hapjen e negociatave tregojnë qartë se përqasja e Edi Ramës natën në krevat me krimin, drogën dhe korrupsionin dhe ditën duke u hequr si europian vetëm me retorikë, ka falimentuar. Se qeveria e tij ka dështuar. Se përqasja e fasadave ka dështuar. Se Europa ka hedhur poshtë fasadat dhe ka vënë gishtin në plagë. Shqipëria duhet të zgjidhë problemin e krimit. Shqipëria duhet të zgjidhë problemin e korrupsionit. Shqipëria duhet të zgjidhë problemin e drogës para se të pretendojë t’i hapen negociatat.

Dy vjet më parë e njëjta histori. Pas dy vjetësh e njëjta histori. Tani duhet të presim të paktën dhjetorin e vitit 2019 dhe kjo vetëm nëse përsëri i plotësojmë kushtet.

Pra, ky nuk është lajmi më i keq. Lajmi më i keq nuk është shtyrja deri në dhjetor 2019. Lajmi më i keq është se, në qoftë se nuk e largojmë këtë qeveri, rezultati do të jetë i njëjtë. Prapë do të mblidhemi në këtë sallë me kim Jong Un-in që do të bërtasë “Fitore”, bashkë me teveqelët  e tij dhe me një Shqipëri akoma më të varfër, akoma më të padrejtë akoma më të zbrazur.

Prandaj sot është dita ta themi qartë dhe hapur se Edi Rama dhe qeveria e tij me aktin e djeshëm ka falimentuar në çdo aspekt.

Është i vetmi kryeministër në ë vite që nuk ka asnjë arritje të vetme sa i përket integrimit europian të Shqipërisë. Është e vetmja qeveri, e cila e kapur thellësisht nga interesat e krimit dhe të oligarkisë, vetëm sa do e thellojë të keqen, nëqoftëse e lëmë të vazhdojë.

Prandaj mundësia jonë e vetme për të ecur përpara është ta ndryshojmë sa më parë, ta largojmë sa më parë dhe na pret një detyrë shumë më e madhe.

Nuk shkohet në Europë duke u sjellë si satrap oriental, nuk shkohet në Europë duke u sjellë si kllouna me fasada, ekspozita, atlete dhe poture për të mbuluar krimin, drogën, korrupsionin. Nuk shkohet në Europë, duke vjedhur, varfëruar popullin tënd gjithë ditën me tabiate orientale dhe një herë në muaj, duke bredhur në kryeqytete e duke folur si europian. Sepse ia kanë pirë lëngun. E dinë, që ky që flet si europian nuk është gjë tjetër veçse një despot i vogël oriental që po shkatërron themelet e bashkëjetesës demokratike, zgjedhjet, shtetin ligjor, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Prandaj, duhet ta kuptojmë mirë se thjesht dhe vetëm largimi i Edi Ramës nuk është zgjidhja. Pa largimin e tij nuk mund të ketë zgjidhje, por edhe vetëm largimi i tij nuk është zgjidhja. Ajo që na lypset është një përqasje krejt e re. Një përqasje europiane. Një qeverisje europiane. Një sjellje europiane ndërtuar mbi kultin e së vërtetës, jo kultin e gënjeshtrës, mbi transparencën, jo errësirën, si ajo që shoqëron çdo vendim si ajo që përfshin për grabitjen e Teatrit Kombëtar, si vendimi i fundit makut i klikës hajdute në pushtet. Duhet të përqafojmë vlerat europiane. Pa përqafuar vlerat europiane, Europa vetëm do të na largohet ditë pas dite.  Le të fillojmë ta kërkojmë Europën brenda vetes tonë si opozitë.

Kjo është një ftesë edhe për ata socialistë të ndershëm që nuk kanë zhytur turinjtë, duart apo brrylat në çorbën e prishur të krimit dhe të drogës. Dhe natyrisht për të gjithë shqiptarët, fermerë, biznese të vogla e të mesme, të papunë e në veçanti për rininë. Për rininë dhe po kështu për elitën e vendit, për intelektualët, për artistët.

Le të fillojmë ta kërkojmë Europën brenda vetes tonë.

Le të ndërtojmë së bashku një aleancë të madhe të vlerave europiane që janë në esencë vlerat shqiptare të drejtësisë, të moralit të shëndoshë, të të vërtetës, të respektit për njëri – tjetrin, të respektit për ligjin, për Kushtetutën, për liritë themelore. Të një raporti të ri midis qeverisë dhe qytetarit, ku kjo e para nuk mund të jetë kurrë më pronare e fatit të njerëzve por shërbëtore e fatit të tyre. Të një vendi ku shkelja e Kushtetutës dhe shkelja e ligjit të mos shoqërohet me gajasjen e Kryeministrit dhe institucioneve të tjera të vendit, por të çojë drejtpërdrejt në pasoja ligjore dhe penale sikundër në çdo vend tjetër normal europian apo që do të bëhet pjesë e Europës.

Kjo është një sfidë e madhe për të cilën ju siguroj që unë dhe Partia Demokratike jemi të vendosur ta marrim përsipër. Ndaj dua të ftoj të gjithë shqiptarët sot në këtë ditë të zezë për vendin, në këtë ditë kur retë e refuzimit kanë eklipsuar shpirtrat dhe mendjet tona, të kuptojmë që pas reve ka gjithmonë një rreze dielli, një rreze shprese. Ta kuptojnë se ky është momenti kur ëndrra jonë europiane do të jetë më fortë se kurrë për ta çarë, për ta davaritur renë e zezë të Edi Ramës dhe Rilindjes së tij të bërë një me krimin, për të patur besim, se po të jemi të gjithë bashkë kundër së keqes nuk ka asnjë mundësi dhe asnjë rrugë tjetër për të keqen po se të largohet e të davaritet si këto re të zeza që sot i kanë zënë frymën vendit.

Dua nga thellësia e zemrës, t’i bëj një thirrje në veçanti brezit të ri, të rinjve dhe të rejave shqiptare, të mos ulin kokën e të pranojnë fatin e zi që u ka rezervuar këto pesë vite rilindja në auditorët e universiteteve, në papunësinë që i pret pas universitetit, apo pasigurinë mes gjimnazit dhe universiteteve, por të ngrihen në këmbë e të bëjnë atë që ka bërë rinia e çdo vendi kur qeveritë e tyre i kanë bllokuar rrugën europiane. Të protestojnë për të drejtat e tyre! Të protestojnë për të drejtën e tyre të patjetërsueshme, për të ndërtuar jetën e tyre në vendin e tyre.

Alternativa nuk është largimi. Nuk mund të jetë kurrë largimi i rinisë. Alternativa është largimi i atyre që Shqipërinë po e trajtojnë si çifligun e tyre personal dhe që ia kanë vënë në dispozicion krimit dhe kriminelëve.

Alternativa nuk mund të jetë kurrë gënjeshtra, nuk mund të jetë kurrë mashtrimi. Alternativa është dhe do të jetë e vërteta.

Le ta nisim betejën për të vërtetën sot e të mos e ndalim derisa ta çlirojmë vendin nga kjo e keqe. Derisa ta largojmë Edi Ramën dhe klikën e tij të korruptuar e t’i japim vendit qeverinë që do të bëjë të mundur plotësimin e aspiratës sonë për Shqipërinë si gjithë Europa.