Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i ka dhënë të drejtë Partisë Demokratike dhe ka urdhëruar Ministrinë e Arsimit “Për bllokimin e përpunimit të të dhënave personale të prindërve deri në momentin e përfundimit të hetimit”. 

Ministrja Nikolla shkel edhe këtë urdhër, duke vazhduar me mbledhjen e të dhënave personale të prindërve me qëllim përdorimin e tyre në funksion të manipulimit të zgjedhjeve. 

E njëjta skemë kriminale, me veshje të ndryshme ligjore është urdhëruar të ndiqet edhe nga Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, duke vënë nën presion administratën në varësi të saj, në të gjithë Shqipërinë. 

Partia Demokratike do të ngrejë këtë shqetësim edhe në Komisionin Europian, pranë Komisionerit Europian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sepse kjo është çështje e rëndësishme për çdo vend që kërkon të anëtarësohet në BE. 

Partia Demokratike i fton prindërit, mësuesit, mjekët, infermierët, të gjithë punonjësit e ndershëm, të bashkohen me protestën kombëtare të së shtunës për të larguar qeverinë që i shërben krimit dhe jo qytetarëve.

Deklarata e plotë e Kryetares së Komisionit të Arsimit, Albana Vokshi.

Pak kohë më parë, Partia Demokratike denoncoi publikisht shkeljen  e Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi në lidhje me urdhërat e lëshuar nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu për grumbullimin e të dhënave personale te prindërve të fëmijëve që ndjekin arsimin publik dhe të pacientëve në Qendra Shëndetësore.

Duke ndjekur rrugën institucionale, Partia Demokratike i kërkoi Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave, të reagonte ndaj këtij skandali, si dhe dorëzoi zytarisht padinë penale në Prokurori për veprën penale “shpërdorim të detyrës” dhe “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Kjo është përgjigja zyrtare nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave që ka nisur proçesin e hetimit administrativ për Ministrinë e Arsimit.  Nëpërmjet urdhërit të datës 4 maj Komisioneri ka urdhëruar “bllokimin e përpunimit të të dhënave personale deri në momentin e përfunidmit të hetimit”.

Pavarësisht këtij vendimi, Ministrja Nikolla, e urdhëruar nga Rama, vazhdon me insistim shkeljen e ligjit për grumbullimin e të dhënave personale të prindërve me qëllim përdorimin e tyre në funksion të manipulimit të zgjedhjeve.

Legjislacioni në fuqi e ndalon rreptësisht përdorimin apo përpunimin e të dhënave pa ditur qëllimin. Qeveria nuk ka nxjerrë asnjë akt ligjor apo nënligjor që të përcaktojë qëllimin për të cilin po merren të dhënat personale. Ajo po e bën këtë në shkelje të ligjit “Për bazat e të dhënave shtetërore”, ku neni 4 përcakton që ato krijohen me ligj të veçantë apo VKM.

Sot dyshja Rama – Nikolla duhet të sqarojë publikisht, përse po kërkojnë sërish në shkelje të Ligjit të dhënat personale te mbi 70% të shqiptarëve!

Partia Demokratike do të ngrejë këtë shqetësim edhe në Komisionin Europian, pranë Komisionerit Europian Për Mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse për këtë çështje kaq sensitive për çdo vend që kërkon të aderojë në Bashkimin Europian.

Partia Demokratike fton të gjithë prindërit të refuzojnë të japin të dhënat e tyre personale tek një bandë kriminale që kërkon t’i përdorë ato për manipulimin e zgjedhjeve; t’i përdorë si mjet shtrëngues për të deklaruar votën në këmbim të ruajtjes së vendeve të punës, jo vetëm në shtet, por edhe në kompani private.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të mos flejë mbi padinë që ne kemi dërguar dy javë më parë!

Partia Demokratike ka të dhëna se e njëjta skemë kriminale, me veshje të ndryshme ligjore është urdhëruar të ndiqet edhe nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke vënë nën presion, kësaj rradhe, të gjithë administratën në varësi të saj, në të gjithë Shqipërinë.

Partia Demokratike i bën thirrje punonjësve të administratës të refuzojnë të firmosin formularin e shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë! Të denoncojnë veprimet e paligjshme të bandës në pushtet.

Partia Demokratike i fton prinderit, mësuesit, mjekët, infermierët, të gjithë punonjësit e ndershëm, të marrin pjesë në protestën kombëtare të së shtunës!

Të bashkohemi, pavarësisht bindjeve politike, për të larguar qeverinë e lidhur me krimin, pengesën e vetme për Shqipërinë europiane.