• PD publikon dosjen e plotë të dënimit me 7 vjet e dy muaj burg në Itali të vëllait të Fatmir Xhafajt për trafik droge 
  • Fatmir Xhafaj mohoi dënimin e të vëllait për trafik droge. Ai tha që dënimi është çështje e sajuar nga opozita, s’ka fakte dhe prova 
  • Xhafaj nuk vepron për ta ekstraduar të vëllain në Itali për të vuajtur dënimin. Ai jeton i lirë në Shqipëri.

Komunikimi i plotë me gazetarët i Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi.

Enkelejd Alibeaj: Përshëndetje! Ju kujtohet besoj në seancë plenare të datës 12 shtator 2017 Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, e quajti çështje të sajuar deklarimin e kryetarit të Partisë Demokratike z.Lulzim Basha se vëllai i tij Agron Xhafaj është i dënuar për drejtimin dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Duke e konsideruar këtë deklarim të z.Basha si të pavërtetë, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj sfidoi duke thënë se:”Nëse do të ekzistonin faktet dhe provat që dëshmojnë që vëllai i tij Agron Xhafaj është i dënuar atëherë këto fakte dhe prova gjenden në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë  dhe se Partia Demokratike kishte patur mundësinë që nëse ato do të ekzistonin të gërrmonte për t’i zbuluar dhe se ky do të ishte një rast i mirë për ta kryqëzuar atë.” E vërteta është se Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gënjen dhe është plotësisht në dijeni që vëllai i tij Agron Xhafaj alias Goni, është i dënuar me vendim gjyqsor të formës së prerë në Itali dhe se nuk ka vuajtur asnjë ditë nga ky dënim i dhënë, duke jetuar i lirë, nga 2013-a e në vijim në Shqipëri ku i vëllai ishte i pushtetshëm, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe më pas e deri tani, Ministër i Brendshëm. Faktet dhe provat e dënimit të vëllait të Ministrit të Brendshëm janë në dy ekrane.

Gazment Bardhi: Nga shqyrtimi i dosjes së plotë penale të shtetasit Agron Xhafaj që sapo na është dorëzuar dhe ka mbërritur në Partinë Demokratike, rezulton se me vendimin nr. 2232 datë 25 shtator 2012, të Gjykatës së Kasacionit, Gjykata e Lartë e Republikës së Italisë, është rrëzuar ankimi i shtetasit Agron Xhafaj, duke lënë në fuqi, dënimin e tij me 7 vjet e dy muaj burgim, të dhënë me vendimin e datës 12 tetor 2008, Gjykatës së Shkallës së Parë Leçe, lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit Leçe të datës 25.01.2011. Për pasojë, shtetasi Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është i dënuar me vendim gjyqsor të formës së prerë. Nga shqyrtimi i vendimit gjyqsor dhe dosjes përkatëse penale rezulton se Agron Xhafaj është dënuar:

  1. Për pjesmarrje në grup kriminal që kishte për synim trafikun ndërkombëtar midis Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të lëndëve narkotike. Marrëveshja mes grupeve kriminale, në njërin prej të cilëve bënte pjesë Agron Xhafaj ishte për shkëmbimin fillestar të 50 kg heroinë me 300 kg kokainë. Marrëveshja u ndryshua dhe parashikoi furnizimin e 40 kg heroinë, e paraprirë nga dorëzimi i një kampioni prej 1 kg të së njëjtës substancë për ta testuar lidhur me një furnizim të madh të mëvonshëm. Në operacionin për zbulimin e trafikut ndërkombëtar të drogës merrte pjesë një agjent i DEA-s. Atij iu dorëzua 1 kg heroinë, të cilën e siguroi për llogari të grupit kriminal të Italisë Agron Xhafaj.
  2. Për drejtimin e një rrjeti të shpërndarësve të lëndëve narkotike heroinë, kokainë, hashash në Bolonja. Itali.
  3. Për bashkëpunim në importimin nga Shqipëria në territorin e shtetit italian dhe transportin e lëndëve narkotike, ku Agron Xhafaj bënte të mundur tërheqjen direkte të drogës së transportuar nga Shqipëria dhe të fshehur në rrethinat e bregdetit të Salernos.
  4. Për bashkëpunim me persona të tjerë, për mbajtjen në mënyrë të paligjshme, dhënien dhe marrjen e lëndës narkotike, ku Agron Xhafaj kishte rolin e shpërndarjes tek blerësit të drogës së llojit heroinë dhe kanabis.
  5. Dënimi me 7.2 vjet burg i Agron Xhafajt, është i konfirmuar si vendim i formës së prerë nga Gjykata e Kasacionit të Italisë, është bazuar mbi provat e prokurorisë italiane. Ajo posedon përgjime telefonike që zgjatën më shumë se një vit e gjysëm. Përgjimet u pasuruan në mënyrë domethënëse nga sekuestrimi i një furnizimi prej 1 kg heroinë nga Shqipëria, nga dorëzimi i kontrolluar i një sasie tjetër prej 1 kg heroinë në Firence, që ishte sasia e kërkuar për testimin e cilësisë, dhe nga sekuestrimi i 2 kg hashash të përgjuara në Venecia. Kjo mundësonte përcaktimin e të dhënave për ekzistencën e një organizate kriminale për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, e cila vepronte midis Shqipërisë, Italisë, Polonisë dhe SHBA për importimin e heroinës, kokainës dhe hashashit nga Shqipëria drejt brigjeve të Italisë, duke garantuar më pas shpërndarjen e tyre në territorin italian nëpërmjet një rrjeti trafikantësh shqiptarë. Rrjeti kishte ngritur bazat logjistike në zona të ndryshme të veriut të Italisë (midis të cilave Parma, Imperia, Venecia dhe Bolonja) me degëzime në Poloni dhe SHBA. Në Bolonja drejtues i rrjetit të shpërndarjes së drogës ishte vetë Agron Xhafaj.

Në kërkesën e prokurorisë së datës 8 Maj 2002, prokuroria italiane evidenton të gjitha episodet e dokumentuara ku është i përfshirë Agron Xhafaj, duke përmendur trafikimin e 50 kg heroinë, 300 kg kokainë, përsëri 40 kg heroinë, si dhe rastet kur furnizues i drejtpërdrejt i heroinës është Agron Xhafaj. Janë të paktën 8 raste që nga Gjykata italiane e Leçes, është dokumentuar përfshirja e drejtpërdrejtë e Agron Xhafajt në trafik ndërkombëtar të heroinës, kokainës dhe kanabisit. Përgjimet e plota të këtij grupi kriminal, përmenden në vendimin e Gjykatës së Leçes nr. 14/2002, të gjyqtares së hetimeve paraprake, ku përshkruhet qartë dhe dokumentohet e gjithë veprimtaria kriminale e Agron Xhafajt.

Enkelejd Alibeaj: Në seancën plenare të datës 12 Shtator 2017, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, shtronte pyetjen se: “Edhe nëse për një moment do të imagjinonim që akuza e opozitës është e vërtetë, atëherë cila është përgjegjësia e tij politike dhe morale, sepse sipas tij për përgjegjësi ligjore, as që bëhej fjalë”. Në fakt, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka jo vetëm përgjegjësi politike dhe morale në këtë çështje, por mbi të gjitha ka përgjegjësi ligjore.

Sipas legjislacionit në fuqi[1], një nga detyrat kryesore të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, është pikërisht identifikimi i personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, në mungesë. Pra, është detyrë e Ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7.2 vjet burgim. Opozita ia ka bërë me dije Ministrit të Brendshëm që i vëllai i tij është i dënuar, por ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Ka disa pyetje që Ministri i Brendshëm nuk u jep dot përgjigje.

  • A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale?
  • Pse ai jeton i lirë në territorin shqiptar, ndërkohë që rezulton i dënuar për trafik droge në Itali dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë të dënimit të tij?
  • A është ai person i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit për shkak të aktivitetit të tij të mëparshëm në trafikun e drogës?
  • A është familja “Xhafaj” një nga familjet mafioze që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?
  • A ka operacioni “Forca e Ligjit” ka efekt mbi vëllain e Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge, apo ai është i paprekshëm sa kohë Ministër i Brendshëm dhe drejtues i operacionit është Fatmir Xhafaj?
  • Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e këtij shtetasi dhe për të verifikuar nëse është apo jo i dënuar?
  • Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?

Shqipëria është vendi i vetëm në botë, ku Ministri i Brendshëm ka përgjegjësinë për të arrestuar vëllain e tij të dënuar për trafik droge, por luan rolin e të paditurit dhe nuk vepron për të përmbushur përgjegjësitë e veta ligjore. Në fakt, Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka Ministër të Brendshëm vëllain e një trafikanti droge të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë! Ky është realiteti i shtetit që ka ndërtuar Edi Rama, ku qeveria dhe krimi janë bashkë, të pandashëm, dhe se CV me rekorde kriminale, personale apo familjare, është kriteri i vetëm i promovimit dhe marrjes së posteve të larta publike.

Top Channel: Që nga momenti i dënimit deri në 2013 ku ka qëndruar z. Agron Xhafaj?

Enkelejd Alibeaj: Vendimi i dënimit i formës së prerë, dhe ai vendim jepet në shkallën e fundme në sistemin italian, në Gjykatën e Kasacionit, është dhënë më 25 shtator 2012, periudhë e cila, sipas proçedurave, vendimi kur merret, arsyetohet dhe më pas shpërndahet, daton nga viti 2013 e këtej. Ku ka qëndruar? Në Shqipëri, besoj.

Vizion Plus: Ju e drejtonit Ministrinë e Drejtësisë deri në shtator, çfarë bëri Ministri teknik për këtë çështje?

Enkelejd Alibeaj: I rëndësishëm është fakti që çdokush do të duhet të zbatojë ligjin. Që do të thotë, sa kohë që vihet në dijeni për një vendim të formës së prerë, i ekzekutueshëm, duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet për ta ekzekutuar nëse nuk gjendet nëpërmjet Policisë së Shtetit dhe eventualisht, për ta ekzekutuar në Shqipëri, apo për ta ekstraduar. Ju e dini fare mirë, nga 2013-a e deri më sot, të drejtën për ta pasur, për ta indentifikuar, për të depozituar, për të nisur dhe mobilizuar proçedurat për indentifikimin, gjetjen, arrestimin dhe ekstradimin eventualisht, e kanë një sërë institucionesh qeveritare. Nga 2013 e këtej ju e dini fare mirë se kush i ka pasur këto instrumenta në dorë. E dini fare mirë, se për atë periudhë të shkurtër 1 apo 2 mujore, luftën e madhe që kanë bërë Ministrat teknikë lidhur me këto proçedura për ekzekutimin, ekstradimin dhe dënimin e këtyre personave.

VII.1 Court Decision Agron Xhafa