PD: Ministri Italian i Drejtësisë denoncoi ligjin e kontrabanduar nga Fatmir Xhafaj për të mbrojtur të vëllain e dënuar për trafik droge

I. PSE HESHT FATMIR XHAFAJ?

Fatmir Xhafaj kërkoi prova që i vëllai i tij është i dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe Partia Demokratike shpalosi përpara çdo shqiptari vendimin e dënimit të vëllait në Itali, me 7 vjet e 2 muaj.

Pas këtij fakti tronditës, Fatmir Xhafaj u detyrua ta pranonte ekzistencën e dënimit, por u përpoq të shfaqësohej se ai nuk e ka ndihmuar dhe nuk po e ndihmon të vëllain që t’i shpëtojë drejtësisë.

Dje Partia Demokratike, provoi me fakte dhe prova, me dokumente zyrtare të shtetit shqiptar, sesi personalisht Fatmir Xhafaj, ka falsifikuar dokumentet zyrtare për të mundësuar që i vëllai t’i shpëtojë përfundimisht drejtësisë dhe të mos bëjë asnjë ditë burg, pavarësisht se gjykatat italiane e kanë dënuar me 7 vjet e 2 muaj burgim.

Fatmir Xhafaj përfitoi nga pozicioni i tij publik si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, që të kontrabandonte dhe impononte në parlament, një dispozitë ligjore:
1. për të pamundësuar ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit.
2. Po ashtu, për të manudësuar njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge.

Fatmir Xhafaj hesht. Ashtu siç heshti për pyetjet që i kemi bërë prej ditësh:

Pse nuk e zbaton vendimin e drejtësisë italiane për vëllain e tij të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

Pse nuk vepron Operacioni “Forca e Ligjit” për vëllain e Fatmir Xhafajt?

Edhe pse kanë kaluar 24 orë nga publikimi i dokumenteve zyrtare që provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme, falsifikimin që Fatmir Xhafaj i bëri versionit të ligjit të miratuar nga Komisioni i Ligjeve, duke ndryshuar nenin që jep imunitet ligjor dhe liri të përjetshme vëllait të tij, Fatmir Xhafaj nuk ka folur asnjë fjalë.

II. PSE GËNJEN VASILIKA HYSI DHE ULSI MANJA?

Fatmir Xhafaj ka shkelur ligjin, dhe ka falsifikuar aktet parlamentare. Këto vepra të rënda penale I ka ndërmarrë për në shërbim të vëllait të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.

Dy kolegët e tij Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, mashtruan sot në mënyrë të pacipë, për t’i ardhur në ndihmë Fatmir Xhafajt, të kapur në flagrancë duke falsifikuar ligjet e Reformës në Drejtësi për të shpëtuar të villain e dënuar për trafik droge.

Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, dhe cdo kamikaz i Xhafës dhe Ramës nuk mund të fshehin të vërtetën kriminale:

Faktet dhe dokumentet zyrtare të publikuara dje e tregojnë qartë. Ndryshimi u kontrabandua nga Fatmir Xhafaj, me një qëllim të vetëm: I vëllai t’i shpëtojë drejtësisë. Ky është një krim i dënueshëm nga ligji shqiptar.

Në përpjekjen të dëshpëruar për të mbuluar këtë krim, Xhafa dhe kamikazët e tij kanë shpallur se shpëtimi nga vuajtja e dënimit për Agron Xhafaj, të dënuar si trafikant ndërkombëtar droge është standart europian. Se Agron Xhafaj duhet t’i shpëtojë drejtësisë, për shkak se kështu thotë Konventa Europiane e Ekstradimi???

Nuk ka shqiptar që beson këtë gënjeshtër të trashë. Nuk ka shqiptar që beson se në Europë kur dënohesh me 7 vjet e dy muaj burgim për trafik droge nuk bën asnjë ditë burg.
Jo, ky nuk është standart Europian, ky është standarti mafioz Xhafaj, ku njëri vëlla merret me drogë dhe dënohet, vëllai tjetër përdor pushtetin politik si Ministër dhe si kryetar i komisionit të ligjeve për ta shpëtuar nga dënimi.

Ja faktet që rrëzojnë këtë mashtrim kriminal dhe vetëm rëndojnë pozitën penale të Fatmir Xhafajt:

III.ÇFARË THOTË KONVENTA EUROPIANE PËR EKSTRADIMIN?

Konventa Europiane për Ekstradimin, që ka qenë në fuqi dhe është zbatuar, edhe përpara se të bëhej ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, thotë krejt të kundërtën e asaj që deklaruan kamikazët e mazhorancës.

Konventa Europiane e Ekstradimit thotë shprehimisht se:

Ekstradimi mund të refuzohet, vetëm në ato raste kur Shqipëria mendon se procedurat e gjykimit në një cështje konkrete nuk përmbushin të drejtat minimale të mbrojtjes, të njohura për një person të akuzuar për një vepër penale. Në këtë rast, kërkohet garancia për rigjykim.

Nëse personit të dënuar në mungesë, i janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes, por ai vetë ka zgjedhur që t’i fshihet drejtësisë, atëherë jo vetëm nuk kërkohet garanci për rigjykim, por sipas Konventës është e detyrueshme që të lejohet ekstradimi.

Kjo është Konventa. Ky është standardi europian.

Ndërkohë që ndryshimi I trafikuar në mënyrë korruptive nga Fatmir Xhafaj për për llogari të vëllait të tij, përcakton se edhe kur janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes, edhe kur personi i fshihet me qëllim drejtësisë, përsëri ai nuk ekstradohet, nëse nuk jepet garanci për rigjykim.

Asnjë vend i Bashkimit Europian apo SHBA, nuk jep garanci për rigjykim në raste të tilla. Kjo nënkupton që personi i dënuar as nuk esktradohet dhe as nuk e vuan dënimin në burgjet shqiptare.

Rasti i vëllait të Ministrit të Brendshëm, hyn në rastet kur Konventa lejon ekstradimin pa kërkuar garanci për rigjykim. Kjo për faktin se atij i janë respektuar të drejtat e mbrojtjes të cilat Agron Xhafaj I ka ndjekur deri në fund përmes avokatëve të tij.

Dokumentet zyrtare të drejtësië Italiane vërtetojnë se:
1. Agron Xhafaj është është vënë në dijeni personalisht për ndjekjen penale.
2. Agron Xhafaj ka pajtuar avokat mbrojtës
3. Ai dhe avokatët e tij kanë ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit të Leces dhe më pas në Gjykatën e Lartë Italiane.
4. Këto ankime dhe provat dhe argumentet e paraqitura nga avokatët mbrojtës janë rrëzuar përfundimisht nga të dyja këto Gjykata.
5. Vendimi është përfundimtar dhe i formës së prerë dhe e drejta e mbrojtjes të dënuarit Xhafaj është garantuar plotësisht.

Por Agron Xhafaj, ka zgjedhur t’i fshihet drejtësisë dhe të strehohet në Shqipëri.

Në këto kushte, asnjë autoritet italian nuk jep garanci për rishikim të vendimit, në shkelje te legjislacionit italian dhe Konventës Europiane për Ekstradimet.

Tani si pasojë e amendamentit korruptiv Xhafaj në Kodin e Procedurës Penale, është pamundësuar ekzekutimi i dënimit në Itali ose në Shqipëri.

Pra i dënuari me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge nuk vuan asnjë ditë!

SEPSE ËSHTË VËLLAI I FATMIR XHAFAJT.

IV. QËNDRIMI I MINISTRIT ITALIAN TE DREJËSISË

Fakti që neni i kontrabanduar nga Fatmir Xhafaj, për llogari të vëllait të tij, nuk është standard i Konventës, nuk është qëndrim VETËM i opozitës shqiptare. Ky është qëndrim zyrtar i autoriteteve italiane.

Unë dëshiroj t’ju ftoj të dëgjoni me zë e figurë, qëndrimin e Ministrit Italian të Drejtësisë, të dhënë në një intervistë më datë 13 Dhjetor 2017, ku thekson se në bazë të Konventave vendime e dënimit të dhëna në mungesë duhet të ekzekutohen, dhe se Italia nuk ka dhënë garanci për rigjykim për 12 persona të dënuar në Itali dhe për të cilët është kërkuar ekstradimi nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit Xhafaj e deri në Dhejtor 2017.

V. QËNDRIM PËRMBYLLËS POLITIK DHE KËRKESA DREJTUAR PROKURORISË

Ministrin Italian të Drejtësisë e kanë dëgjuar edhe Hysi dhe Manja, të cilët duhet t’i kërkojnë ndjesë shqiptarëve që i gënjyen në mënyrë të pacipë, duke ia servirur mbrojtjen kriminale që Fatmir Xhafaj i ka bërë vëllait të tij, si standart europian!

Për ta përmbyllur:

Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është provuar pa asnjë dyshim se është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për trafik ndërkombëtarë drogë, me 7 vjet e dy muaj.

Agron Xhafaj nuk ka bërë asnjë ditë burg nga ky dënim i dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë.

Fatmir Xhafaj, si Ministër i Brendshëm, nuk ka përmbushur përgjegjësitë e veta ligjore, për ta identifikuar shtetasin Agron Xhafaj dhe për të mundësuar përballjen e tij me drejtësinë italiane.

Fatmir Xhafaj, si Kryetar i komisionit të ligjeve, nëpërmjet veprave penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe korrupsionit të zyrtarët të lartë publik, kontrabandoi në ligj një nen të ta miratuar nga Komisioni, që I siguron vëllait të tij paprekshëmrinë dhe shpëtimin nga dënimi.

Këto fakte janë publikë, të rënda dhe të pakontestueshme.

Shqiptarët sot pyesin. C’po bën Prokuroria? Pse nuk vepron Prokuroria?

Prokuroria ka detyrimin ligjor të marrë në përgjegjësi penale Fatmir Xhafajn për falsifikim dokumentash dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë publikë.

Cdo vonesë, cdo ditë të mosveprimit të saj ndaj fakteve dhe provave të bëra publike për kryerjen e veprave penale nga Ministri i Brendshëm, e bën këtë organ përgjegjës ligjërisht.