Lulzim Basha vizitoi në Spitalin Ushtarak Kryeredaktorin e gazetës RD, Bledi Kasmi, i gjakosur nga poicia, ndërsa po merrte pjesë në protestë. Bledi Kasmi i tregoi Bashës dhe gazetarëve sesi u godit disa herë në në kokë nga policia.

“Nuk kishim as armë, përveçse celularëve që transmetonim fotot. Më kanë goditur herën e parë  njëri me dy shkopa gome diku në anën e majtë të kokës. Aty nuk pata çarje për momentin. Pastaj ishte dikush tjetër që nuk munda ta fiksoj dot, për shkak të hematomës dhe plagës që mora. Menjëherë më ka goditur tre herë kokës këtu. (tregon në kokë) Në atë moment humba edhe shikimin, s’munda të shihja asgjë tjetër, vetëm sa jam tërhequr.”- u shpreh Bledi Kasmi.

Kryeredaktori i RD tregoi edhe këmishën e gjakosur, të cilën e përdori për të fshirë gjakun që i kishte mbuluar fytyrën dhe se ishin deputetët Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri ata që i kishin ardhur në ndihmë.

“U përpoqa që të mbaja plagën që të mos dilte gjak. Pas 10 minutash apo çerek ore kemi thirru ambulancën. Ka ardhur ambulanca dhe na sollën këtu në Spitalin Ushtarak ku më kanë bërë qepjet. Janë 10 qepje në kokë që mund të konfirmohen edhe nga mjeku për të kuptuar se sa e rëndë ishte ajo plagë që mora. Nuk e kuptova një dhunë barbare, kriminale por që nuk është suprizë përderisa një ministër që vjen nga koha e diktaturës, këto lloj torturash do të ketë për njerëzit. Dhe kur ia bën një gazetari apo një politikani, nesër e panesër imagjinoni se çfarë mund t’i bëjë qytetarit që  vriten nëpër komisariate.” – tha Bledi Kasmi.

Lulzim Basha, i cili i uroi Bledi Kasmit shërim të shpejtë, falenderoi gazetarët që pasqyruan menjëhërë këtë rast flagrant të dhunës barbare të policisë Xhafaj mbi një gazetar, mbi median, mbi kryeredaktorin e gazetës “RD”.

“Ishte një protestë paqësore, ishte një protestë e qetë, europiane, qytetare dhe nuk pati për asnjë moment dhune ndaj organeve të rendit. Dhuna e ushtruar ndaj Bledi Kasmit dhe ndaj protestuesve të tjerë është treguesi më i mirë se si policia është dhe do të jetë në shërbim të familjes mafioze Xhafaj, të vëllezerve Xhafaj sa kohë që Fatmir Xhafaj është ministër i Brendshëm.”-tha Basha.

Kreu i opozitës vuri në dukje sesi policia sillet me dy standarde me protestuesit dhe me vëllain trafikant të Ministrit të Brendshëm.

Kuksianët janë akoma në burg, Bledi Kasmi është në spitalin Ushtarak me 10 qepje pas një hemorragjie në kokë, ndërkohë që Agron Xhafaj  u përcoll me nderime, në fshehtësi të plotë vetëm e vetëm që t’i shpëtonte hetimit kriminal në Shqipëri për veprën penale të krimit të organizuar, trafikut të dorgës në Vlorë vetëm e vetëm të shpëtonte lëkurën e Fatmir Xhafajt, i cili bashkë me vëllain i tij Agron Xhafaj janë pjesëtar të një familje, subjekt i ligji Antimafia. Kjo është arsyeja përse Fatmir Xhafaj nuk mund  të rrijë asnjë sekondë në krye të Ministrisë së Brendshme. Në çdo moment që Fatmir Xhafaj është në krye të Minsitrisë së Brendshme përben një rrezik kombëtar, një rrezik për sigurinë e cdo qytetari, të gazetarëve, të prindërve, të fëmijëve. Çdo sekondë që Fatmir Xhafaj vazhdon të jetë ministër i Brendshëm, qytetarë të thjeshtë e të pambrojtur do të keqtrajtohen nga policia Xhafaj nën urdhrat e tij, ndërkohë që kriminelët më në krye Agron Xhafaj do të vazhdojnë të kenë mbrojtje.”-u shpreh kreu i opozitës.

Basha tha se largimi një orë e më parë i Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt është një emergjencë kombëtare, imperativ i pakapërcyeshëm, i padiskutueshëm, jo thjesht për opozitën,  por për sigurinë e qytetarëve, gazetarëve, fëmijëve.

“po kështu emergjencë kombëtare largimi i njeriut që ia ka dorëzuar Ministrinë e Brendshme dhe jo vetëm asaj,  krimit dhe trafikantëve të drogës. Pa shkëputur lidhjet e krimit me qeverinë Shqipëria nuk ka të ardhme dhe procesi i integrimit europian është i stopuar dhe i rrezikuar.

Fatmir Xhafaj duhej të dorëhiqej menjëherë, por sot ai duhet të largohet me çdo kusht e me çdo mjet.”- tha Basha.