Deklaratë e Kryetares së Komisionit të Arsimit Albana Vokshi

Sipas porosisë nga kabineti i kryeministrit mësuesve u është kërkuar nga Ministria e Arsimit që të marrin sa më shpejt të dhënat përsonale të prindërve duke plotësuar formularët e gatshëm të shpërndarë nga kryeministria me të dhënat për  kartat të identitetit, numrat e telefonave, e-maileve dhe të dhëna të tjera personale.

Kjo është tabela që prindërit duhet të plotësojnë sipas urdhrit të paligjshëm të dalë nga zyra e kryeministrit. Për shkak se qëlllimi i operacionit antikushtetues dhe antiligjor është mbajtur i fshehtë, ne dyshojmë se qeveria po mbledh të dhënat e shtetasve të vet për t’i përdorur ato në zgjedhje, me identifikimin dhe më pas blerjen e votës.

Që mbrëmë Partia Demokratike e denoncoi këtë skandal antikushtetues dhe antiligjor, pasi mori dhe verifikoi denoncimet e shumë prindërve, të shqëtësuar për këtë urdhër të pazakontë që fëmijët kishin marrë nga mësuesit. Askush nuk u ka dhënë prindërve arsye PSE duhen këto të dhëna, KUSH i kërkon dhe për llogari të KUJT do të pëpunohen.

Partia Demokratike verifikoi se në emailin e Ministrisë së Arsimit kërkohet që Brenda datës 10 Maj formulari të jetë i plotësuar sipas udhëzimeve dhe pa gabime, duke i konsideruar si shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Arsimit.

Urdhëri i Edi Ramës dhe Lindita Nikollës shkel haptazi Kushtetutën, Ligjin për Arsimin parauniversitar dhe ligjin për Mbrojtjen e të dhënave Personale, që ndalon rreptësisht përdorimin apo përpunimin e tyre pa ditur qëllimin dhe pa dhënë pëlqimin.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla duhet të japë në mënyrë urgjente sqarime pse ka kërkuar të dhëna që me ligj konsiderohen private, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe Ligjin!

Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë PRINDËRVE të refuzojnë të japin të dhënat të tyre personale, pasi, përveçse mund të keqpërdoren në kazanët zgjedhore të Rilindjes, kjo kërkesë është krejtësisht e paligjshme dhe të dhënat e tyre rrezikojnë deri sigurinë e jetës.

PRINDRIT të refuzojnë dhënien e çdo informacioni pa marrë sqarime pasi ligji (Nr. 9887, datë 10.3.2008) përcakton qartë që prindi duhet të japë pëlqimin për përpunimin e të dhënave të veta, si dhe të jetë i informuar mbi  qëllimin dhe përpunuesin e të dhënave (Neni 7).

Partia Demokratike denoncon këtë akt antiligjor dhe i kërkon institucioneve përkatëse të reagojnë.

  • PD i kërkon Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave personale që të ndërhyjë, të hetojë e të ndëshkojë shkelësit e ligjit.
  • PD i kërkon Prokurorisë të hetojë e të vërë para drejtësisë çdokënd që po shkel ligjin duke mbledhur të dhëna personale qe me shumë gjasa do të përdoren në regjistrat e votuesve për shantazhe për votën.