• Basha ngushëllon familjen e Agim Bucit, i cili u vra gjatë një grabitje mbrëmë në Kamëz. 
  • Pasiguria e qytetarëve dhe biznesit është rritur. Kjo është vrasja e dytë gjatë një grabitje brenda pak kohësh. 
  • Vendosja e rendit publik ka dështuar, sepse s’mund të kemi polici për qytetarët, kur kemi qeveri në shërbim të krimit. 
  • Zgjidhja jonë është tolerancë zero ndaj krimit, pastrim i politikës nga krimi, duke nisur nga Kryeministri.

Deklarata e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Basha.

Kamza dhe gjithë Shqipëria është tronditur mbrëmë nga një ngjarje barbare, kriminale, Agim Buci, kryefamiljar, baba i 4 fëmijëve është ekzekutuar me armë zjarri gjatë grabitjes në dyqanin e tij këtu, ndërsa bashkëshortja e tij Merita është plagosur dhe është në gjendje kritike në spitalin Ushtarak në Tiranë. E gjithë kjo ka ndodhur në sytë e djalit të vogël 6 vjeçar.

Jam sot këtu për t’i shprehur ngushëllimet e mia familjes Buci, për të ndarë me ta dhimbjen e madhe që është edhe e gjithë banorëve të kësaj lagjeje, Kamzës dhe gjithë Shqipërisë.

Pasiguria e familjeve shqiptare, pasiguria e biznesit të vogël shqiptar, ka marrë përmasa tronditëse. Në më pak se 4 javë, grabitjet jo vetëm janë bërë një lajm i përditshëm, por, për fat të keq, grabitjet janë shoqëruar me vrasje barbare, siç ishte rasti i mbrëmshëm në Kamëz, siç ishte rasti në Fier para disa javësh.

Për fat të keq, kjo është dëshmi e dorëzimit total të shtetit dhe dështimit total të rendit publik. Është një apel i fortë për të lënë paradat, ngjyrat, uniformat, fjalimet boshe dhe proceset fasadë, sepse nuk mund të ketë polici në shërbim të qytetarëve, kur kemi qeveri dhe ministra në shërbim të kriminelëve.

Partia Demokratike do të jetë në krah të familjes Buci, familjarëve të tjerë që kanë vuajtur grabitjet e përditshme dhe të përnatshme dhe kanë humbur të dashurit e tyre. Përqasja jonë është dhe do të jetë tolerancë zero ndaj krimit dhe grushti i hekurt  në zemër të krimit, por kjo duhet të nisë me pastrimin e politikës nga krimi, me shkëputjen e lidhjeve kriminale duke nisur nga Kryeministri, Ministri i Brendshëm e deri tek drejtorët e Policisë e policët më të thjeshtë.

Edhe një herë shpreh ngushëllimet e mia edhe në emër të Partisë Demokratike për familjen në këtë dhimbje ekstreme dhe uroj që nëna, Merita të rikuperohet sa më shpejt.

Pata një komunikim me mjekët që po e ndjekin dhe shpresojmë se pas operimit të dalë nga kjo gjendje, të paktën shëndeti i saj të sigurohet dhe të jetë një lajm i mirë në këtë ditë traume dhe tragjedie për familjen Buci, për Kamzën, dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm.

Faleminderit!