Seanca dëgjimore e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha me anëtarë të Komisionit për Çeshtjet Europiane dhe të Politikës së Jashtme kishte për qëllim bindjen e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU/CSU për miratimin e nisjes së negociatave së Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Basha e vlerësoi këtë si një detyrë të vështirë, sepse ky grupim është skeptik për zgjerimin dhe kritik për  hapjen e negociatave dhe ka si shqetësim kryesor luftën kundër drogës, luftën kundër korrupsionit, reformën ne drejtësi.

Kreu i opozitës vlerëson se hapja e negociatave është edhe si një mjet shtesë presioni dhe monitorimi për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zbatimin e vertetë të Reformës në Drejtësi, të pakapur politikisht, por edhe për çeshtje të tjera siç është reforma e Administratës Publike dhe Reforma Zgjedhore.

”Kjo është detyra që kemi sot dhe do të thoja pjesa më e vështirë e misionit këtu në Berlin për të bindur anëtarët e këtij Komisioni që i përkasin spektrit më skeptik për hapjen e negociatave“ – tha Basha.

Deklaratat e plota pas takimit të Kryetarit të PD Lulzim Basha dhe Kryetarit të Forumit Rinor të CDU, Paul Ziemak. 

Lulzim Basha: Përshëndetje! Jemi këtu me Paul Ziemak, që është anëtar i Komisionit për Çështjet Europiane dhe Çështjet e Jashtme, por është po kështu kryetari i Forumit Rinor CDU-së, i cili është një nga mbështetësit më të fuqishëm të Shqipërisë dhe të rinisë shqiptare. E falënderoj për ndihmën që na dha sot në këtë mbledhje të vështirë të Komisionit, për të bindur anëtarët e Komisionit, anëtarët e CDU-së dhe CSU-së për një votë pozitive për negociatat, si një kontribut për të shtuar presionin ndaj qeverisë në raport me demokracinë, shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi, reformën zgjedhore.

Pra, për të ndihmuar përmes presionit të shtuar në arritjen e objektivave europiane që ka opozita, Partia Demokratike, rinia e Partisë Demokratike dhe rinia shqiptare.

Paul Ziemak: Faleminderit për vizitën tuaj këtu në Parlamentin gjerman, Bundestag. Faleminderit për diskutimin e shkëlqyer që patëm sot. Urimet më të mira nga unë, Forumi Rinor dhe partia tonë për të rinjtë në Shqipëri. Ne besojmë tek ju. Punojmë shumë mirë bashkë, ndaj dhe urimet më të mira nga Berlini për Shqipërinë!