Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj ju përshëndes dhe ju përgëzoj nga zemra për praninë tuaj masive sot në ditën e parë të mosbindjes qytetare kundër padrejtësisë, kundër grabitjes, kundër një regjimi privat, kriminal që burgos popullin e thjeshtë dhe liron kriminelët, kundër Edi Ramës dhe bandës së tij të oligarkëve dhe kriminelëve që grabitën në mes të natës prindërit dhe gjyshërit, djemtë dhe bijtë e Kukësit nga shtëpitë e tyre, në shkelje flagrante të lirive dhe drejtave të njeriut, në dhunim të Kushtetutës. I grabitën në kundërshtim të ligjit për të terrorizuar Kukësin për t’i dhënë një shembull gjithë shqiptarëve që të mos ngrenë zërin kundër padrejtësisë.

Ky është Edi Rama që liroi Saimir Tahirin, ky është Edi Rama që nuk arreston mafiozët dhe kriminelët, dhe vrasësit nga Habilajt tek Balilajt me shokë. Ky është Edi Rama që liron banditët dhe vrasësit nga burgjet për të dhunuar votën e shqiptarëve, por arreston njerëzit e pafajshëm që protestojnë për bukën e gojës.

Jemi sot këtu dhe anembanë Shqipërisë për t’i thënë se Policinë e Shtetit e ke kthyer në polici private; se prokurorinë e ke kapur politikisht dhe e kthyer në prokurori private; se ke politizuar gjykatat; se ke kapur ekonominë me një grusht oligarkësh; se ke blerë dhe po blen shumicën e mediave por ky nuk është asgjë tjetër përveçse fundi i diktaturës së krimit. Sepse popullin nuk e blen dot, nuk e nënshtron dot, nuk e shantazhon dot. Shqiptarët janë ngritur dhe do të qëndrojnë derisa ta largojnë këtë regjim kriminal.

Opozita është në krahun e njerëzve të thjeshtë. Opozita dhe Partia Demokratike, dhe gjithë aleatët tanë nuk kanë asnjë detyrë më të shenjtë sesa të jenë në krahun e njerëzve të thjeshtë, në krahun e kuksianëve të grabitur padrejtësisht. Kërkojmë lirimin e të 11-të personave që mbahen padrejtësisht në burg.

Burgu duhet të jetë për kriminelët, burgu duhet të jetë për vrasësit dhe trafikantët, burgu duhet të jetë për minisrat e korruptuar dhe për pushtetarët e korruptuar dhe jo për njerëzit e thjeshtë.

Kërkojmë heqjen e taksës së “Rrugës së Kombit”, një herë e mirë, për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë.

Kërkojmë në emër të sipërmarrësve shfuqizimin e TVSH-së kriminale që po mbylldhe shkatërron mijëra biznese, jemi në krahun e tyre në protestat që kanë paralajmëruar, që nga ulja e qepenave dhe akteve të tjera të mosbindjes civile.

Jemi në krahun e e dhjetëra mijëra familjeve që u është hequr me të padrejtë ndihma ekonomike, duke i lënë në mes të katër rrugëve. Por mbi të gjitha jemi këtu, për t’i thënë ndal, një regjimi kriminal që fut në burg popullin dhe liron kriminelët.

Ky është reagimi i popullit që nuk pranon refuzon dhe nuk do të pranojë më grabitjen dhe padrejtësitë e një shteti të privatizuar dhe të kriminalizuar nga Edi Rama.

Unë dua t’i falenderoj qindra mijëra shqiptarë që u bënë pjesë e kësaj proteste, jo vetëm këtu në këtë shesh, por po kështu në Milot, në Çermë të Lushnjes dhe Bradashesh të Elbasanit.

Një falenderim për qytetarët që kanë qëndruar me ne për dy orë me rradhë me automjetet e tyre, pa i rënë një herë borisë. Ky është solidarizimi i një populli të tërë i cili refuzon autokracinë kriminale të Edi Ramës.

Ne nuk gënjehemi, populli nuk gënjehet. E kam dëgjuar shpeshherë Edi Ramën se kur i ka punët ngushtë, bën sikur tërhiqet dhe pastaj godet pabesisht pas krahëve.

Liro 11 kuksianët, hiqe rrethimin policor nga Kukësi, hiqë taksën e “Rrugës së Kombit”, anullo konçesionin e “Rrugës së Kombit”, t’i japim fund padrejtësisë, t’i japim fund grabitjes, është rruga e drejtë dhe rruga e vetme për shqiptarët e shpërfillur dhe të goditur për interesat e Edi Ramës dhe një grushti kriminelësh dhe oligarkësh.

T’i japim fund dhe të ndërtojmë së bashku standardet europiane. Është rruga e vetme për ta çuar Shqipërinë në Europë.

Unë ju falenderoj nga zemra dhe ju garantoj, Partia Demokratike, e gjithë opozita e bashkuar, është dhe do të jetë në krahun tuaj.

Ky është vetëm fillimi i përgjigjes popullore, kundër regjimit të padrejtësisë, kundër regjimit privat dhe kriminal.

Ne do ta çlirojmë shtetin nga kjo bandë kriminale.

Ne do ta kthejmë institucionin e shtetit qytetarëve.

Ne do t’i kthejmë drejtësinë e pakapur politike, qytetarëve.

Ne do t’i kthejmë policinë e privatizuar nga kriminelët e Edi Ramës, qytetarëve.

Së bashku do të rikthejmë shpresën çdo shqiptari, për një Shqipëri të drejtë, të zhvilluar dhe të sigurtë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!