·      Po bëhet presion shumë i madh politik për të mbyllur çështjen “Tahiri”. Prokuroria duhet të bëjë punën e saj në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar.  

·        Ne shpresojmë dhe urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm. Qëndrimi ynë është i pandryshuar, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent, jopolitik dhe i paanshëm. 

·        Shqiptarët meritojnë një drejtësi profesionale dhe jo një drejtësi të kapur dhe të ndikuar nga axhenda politike për drejtësi selektive.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës pas takimit me anëtarët demokratë të komisionit hetimor “Tahiri”.

Të nderuar përfaqësues të medias, bashkëqytetarë,

Bashkë me anëtarët e Komisionit Hetimor për çështjen “Tahiri” kemi kryer sot konsultën e parë që i paraprin takimit të parë të Komisionit Hetimor ditën e hënë.

Në rastin e Saimir Tahirit ra shteti, pushuan së ekzistuari të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend. Qëllimi i Komisionit Hetimor  është të zbardhë çfarë ndodhi dhe pse ndodhi, për të mos lejuar kurrë më që shteti të kapet nga krimi dhe të kthehet në zgjatim të trafikantëve të drogës dhe të grupeve kriminale të krimit të organizuar.

Ne do të hetojmë si dhe pse ndodhi që e gjithë kupola e Policisë u kthye në organizatë kriminale dhe askush në qeverisje nuk reagoi?

Si dhe pse ndodhi që, megjithë informimet e shumta për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun e drogës, asnjë institucion shtetëror nuk e vuri atë para përgjegjësisë?

Si dhe pse ndodhi që vendi u mbulua me drogë sheshit dhe asnjë institucion shtetëror nuk reagoi dhe nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndaluar?

Paralelisht me punën e këtij komisioni, Prokuroria duhet të bëjë punën e saj për të hetuar grupin kriminal “Habilaj-Tahiri” dhe të gjithë policët dhe bashkëpunëtorët e tjerë politikë dhe jopolitikë të këtij grupi të rrezikshëm. Duhet ta bëjë në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar.

Po bëhet presion shumë i madh politik për të mbyllur çështjen “Tahiri”.

Nuk mund të ketë drejtësi selektive. Nuk mund të ketë drejtësi, nëse Tahiri, Dako, Gjiknuri, Ahmetaj, Sejdini dhe një grusht kryebashkiakësh të korruptuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të kësaj qeverie nën akuza për vepra të rënda penale, nuk do të dalin para drejtësisë.

Sot dua t’u them të gjithë shqiptarëve se ne shpresojmë dhe urojmë që Fran Frrokaj të jetë i pafajshëm.

Qëndrimi im dhe i Partisë Demokratike është i pandryshuar, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, nga qytetarët e thjeshtë tek politikanët më të lartë. Por ne kërkojmë që hetimi të jetë transparent, të jetë jopolitik dhe i paanshëm.

Shqiptarët meritojnë një drejtësi të pastër dhe profesionale dhe jo një drejtësi të kapur dhe të ndikuar nga axhenda politike për drejtësi selektive të drejtuar ndaj një krahu politik në favor të një krahu tjetër.

Ju faleminderit!