Deklaratë e deputetit Luçiano Boçi

Jemi në ditën magjike të 7 Marsit, kur mësuesit janë në qendër të vëmendjes dhe të mirënjohjes së të gjithëve!

Japim sot urimet më të bukura për misionarët e dijes, për mësuesit, për pedagogët e sotēm dhe atyre që edukuan ndër vite breza të tërë.

Por sot shprehim edhe solidaritetin me problemet, shqetësimet dhe hallet e tyre, që nisin nga keqpagesa e shkojnë deri tek pasiguria për vendin e punës.

Probleme për të cilat askush nuk i dëgjon e askush nuk u jep përgjigje.

Sepse arsimi nuk është një prioritet kryesor për qeverinë e Edi Ramës, modeli i të cilit nuk është mësuesi, por trafikanti i drogës.

Në buxhetin e këtij viti, arsimi në Shqipëri është ndër zërat më të keqfinancuar, duke mos mbajtur premtimin për të investuar në arsim rreth 50 milionë euro në vit. Financimi tani është sa për mbijetesë, tek 32 milionë euro, ku pjesa më e madhe shkon për paga dhe fare pak për investime.

Rama e Nikolla duhet t’u përgjigjen pedogogëve për pagat mjerane me të cilat i trajtojnë dhe për shkatërrimin e univerisiteteve publike.

Pse u bllokuan prej 3 vitesh titujt akademike, keshillat e profesoreve dhe doktoraturat.

Duhet të përgjigjen pse janë rritur tarifat e shkollimit dhe janë shtuar llojet e tarifave.

Duhet të japin llogari pse një student shqiptar në universitet publik paguan nje tarifë për master në mijëra euro më të madhe ose të barabartë me një universitet privat dhe sa një student europian.

Duhet të përgjigjen pse sot shumë të rinj braktisin universitetin për arsye ekonomike e largohen nga shqipëria.

Rama e Nikolla duhet t’u përgjigjen mësueseve pse i kanë lënë pa kontratë pune prej gati 9 muajsh.

Ata duhet ta dijnë që një mësues pa pagën e 13 të mohuar prej 5 vitesh dhe pa shpërblimin e hequr, sot merr një pagë vjetore totale më të vogël se ajo e 2013-tës.

Rama dhe Nikolla duhet të japin llogari prindërve pse nuk pranojnë të japin tekste falas për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe pse paratë e fëmijëve të tyre i kanalizojnë drejt klientelës dhe koncesioneve.

Kjo politikë ka ndikim të padiskutueshëm në uljen e cilësisë se mësimdhënies dhe në përgjithësi në cilësinë e arsimimit të fëmijëve.

Arsimi rimbëkëmbet duke investuar, duke rritur pagat e mësuesve dhe pedagogëve, duke siguruar tarifa të përballueshme për studentët dhe treg pune për të rinjtë! Dhe së bashku ne do ta realizojmë këtë projekt!