• Prej 5 vjetësh Shqipëria nuk ka një kryeministër sovran, por një njeri, i cili shantazhohet lehtësisht. Vendimet e tij merren në funksion të dosjeve, ku Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, figuron se ka takuar mafiozë në zë në Itali dhe në Greqi.
  • Politika e jashtme është e gjitha në mbrojtje të dosjeve të pambrojtshme të Edi Ramës, nga Xibraka, me të vëllain, tek Sajmir Tahiri. Vota kundër Jeruzalemit është minimumi i të zezës që i bën këtij vendi.
  • Do të ketë të tjera vendime, të cilët do të tregojnë qartë para shqiptarëve se çfarë dëmi i bën vendit një kryeministër i shantazhueshëm kur vjen puna tek marrëdhëniet ndërkombëtare, në veçanti, tek marrëdhëniet me fqinjët.
  • Në 5 vite të Ramës Kryeministër numri i shqiptarëve të larguar në eksod është më i madh se shqiptarët e larguar në eksodin e viteve ‘90 – ’93. 5 vite të Edi Ramës kryeministër, Shqipëria eksporton krim, drogë dhe emigracion të paligjshëm.
  • Ndryshimi me rezolutat e tjera për Jeruzalemin është se Më 21 dhjetor Shqipëria votoi kundër Amerikës, kundër vendimit sovran të Presidentit Trump në zbatim të një tjetër vendimi sovran bipartizan të Kongresit Amerikan.
  • Reforma në Drejtësi është viktima e parë e bashkëqeverisjes me krimin. Mjerë ata bashkëinvestitorë që nuk e shohin. Nuk ka më Reformë në Drejtësi. Për fat të keq, nuk nuk mund të ketë as Europë pa luftuar krimin, drogën, korrupsionin, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Parlament.

Edhe sot Edi Rama po përpiqet ta shndërrojë këtë sallë në një cirk ku qeshet dhe përqeshet me veten e tij, me batuta që e kanë humbur prej kohësh aftësinë për të zbavitur edhe banorët e kopshtit zoologjik, me një fjalor ordioner që ekspozon atë çfarë ndodhet pas fasadës së hollë kryeministrore.

Një qeverisje ordinere, një qeverisje e bazuar në sundimin dhe grabitjen e Shqipërisë, një qeverisje që ditë për ditë i merr shumicës së shqiptarëve për një grusht njerëzish.

Në këtë parlament nëse do të ishte vërtetë i tillë, duhet të funksionojnë mekanizmat, në mos për ta ndalur, për ta frenuar këtë zezanë dhe zullum kombëtar dhe padyshim “Rama 2-shin”, i cili për nga mediokriteti, vjedhja dhe ekspozimi i lidhjeve të drejtpërdrata, i lidhjeve së të parit të qeverisë dhe ministrave të tij me bandat e narkotrafikut dhe krimit të organizuar, ia kalon “Rama 1-shit”, që ne të mund ta frenomin këtu, kjo do të ishte e pamundur.

Dhe kjo është arsyeja se pse këtij nuk i bëhet vonë.

E di që në këtë sallë ku ka ardhur jo me vullnetit e qytetarëve, por me vullnetin e krimit, mund të bëjë si të dojë.

Ndaj me mëdyshje e pranova propozimin e grupit parlamentar për të debatuar mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare kundër aleatit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sepse e di që në fund të këtij debati nuk do të ketë një votë ndërgjeje, nuk do të ketë një votë të bazuar mbi interesin kombëtar, por do të ketë një votë të depersonalizuar të një grupimi politik, apo ish-politik, i vënë tërësisht në funksion të një grupi njerëzish që zhvasin, vjedhin ditë për ditë këtë vend, në koalicion me një grusht oligarkësh dhe kriminelësh. Si mund të presësh që këta të votojnë rezolutën e cila kërkon ndjesë aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur këta nuk votojnë lekë për tekstet e shkollave për fëmijët shqiptarë.

Para dy ditësh isha në Divjakë dhe pashë me sytë e mi, dëgjova me veshët e mi, preka nga afër një gjendje të cilën po nuk e pe nga afër, vështirë se e beson. Qindra, mijëra, kuintalë e tonë, prodhime të cilësisë më të lartë, prodhime të sezonit, lakra, karrota, patate etj, të cilat fermerët nuk i shesin dot, sepse edhe me një çmim që është sa gjysma e kostos së prodhimit, nuk vjen t’ia marrë askush.

Katër vite më parë vinin trajlera nga Kosova dhe Maqedonia, ndërsa sot nuk vjen asnjë furgon nga Tirana.

Një javë para meje Edi Rama kishte qënë në Divjakë dhe, kur i kishin qarë hallin, iu ishte përgjigjur: “E dini vetë ju se ku e fusni prasin dhe karrotën”. Turp! Turp e faqe e zezë edhe për rrugaçin më ordiner, për pijanecin më ordiner e jo më për një njeri që i thotë vetes kryeministër.

Ku e kanë të përbashkëtën fermerët e Divjakës, ku e kanë të përbashktën mijëra e mijëra familje shqiptare që janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike? Janë 15 mijë familje në Tiranë, 752 familje në Kamëz, 1600 në Gjirokastër, 682 në Kavajë, 752 në Lushnjë, 826 familje, jo shifra, jo numra, familje. Ka deputetë nga të dy krahët këtu që përfaqësojnë këta njerëz.

Ku e kanë të përbashkëtën me qëndrimin e qeverisë së Edi Ramës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rezolutën e Jeruzalemit? E kanë tek dy arsye:

Tek papërgjegjshmëria klinike e Edi Ramës dhe tek fakti se Shqipëria prej 5 vjetësh nuk ka një kryeministër sovran, por një njeri, i cili shantazhohet lehtësisht, vendimet e të cilit merren në funksion të dosjeve që i tunden para syve. Dosje në të cilat figuron Ministri i tij i Brendshëm Sajmir Tahiri, i takuar me dhjetëra qindra herë në Itali dhe në Greqi me mafiozët në zë, të përgjuar natyrisht, nga shërbimet partnere.

Dosjet e milionave të parave të pastruara përmes bankave familjare, të cilat i kanë natyrisht edhe në vendet e tjera. Ky është një kryeministër i shantazhueshëm. Vota kundër Jeruzalemit është minimumi i të zezës që i bën këtij vendi.

Prisni dhe do të ketë të tjera vendime, të cilët do të tregojnë qartë para shqiptarëve se çfarë dëmi i bën vendit një kryeministër i shantazhueshëm kur vjen puna tek marrëdhëniet ndërkombëtar e, në veçanti, tek marrëdhëniet me fqinjët.

Zonja dhe zotërinj.

Në verbin ordiner që përdori sot Edi Rama, nuk arriti dot t’u shpjegojë shqiptarëve se pse pesë vjet pasi ka ardhur në pushtet, ekonomia është në bilancin më katastrofik që prej vitit 1991.

Pse numri i shqiptarëve që kanë emigruar vitin e kaluar është më i lartë se viti 2015 dhe se të dy të marrë së bashku, përbëjnë një numër shqiptarësh të larguar në eksod më të madh se eksodi i viteve ‘90 – ’93?

Sepse vetëm në janarin e këtij viti kanë falimentuar 1500 biznese, plot 38% më shumë se në janarin e vitit të kaluar. Pse nuk shiten lakrat, karrotat, prasi, patatet e fermerëve të Divjakës, prodhimet e  fermerëve të Devollit, Velipojës apo të Xarrës. Nuk ka e nuk mund të ketë shpjegime, sikundër nuk ka dot shpjegime, kur Bashkimi Europian dhe SHBA i kërkojnë llogari.

5 vite kryeministër, emigracioni i paligjshëm është dhjetëfishuar, Shqipëria eksporton krim, drogë dhe emigracion të paligjshëm.

Arsyeja është një dhe vetëm një. Sepse në krye të qeverisë së vendit prej pesë vitesh jo si aspiratë apo votë e lirë e vullnetit të shqiptarëve por si produkt i aleancës me krimin, ndodhet një njeri i zhytur në krim dhe i kapur nga krimi. Ky njeri në këtë sallë më 22 Korrik 2016 ishte më i dëshpëruari, sepse plani i tij për të dështuar reformën kushtetuese në drejtësi, falimentoi.

Falimentoi dhe u zbulua qartë. U pa qartë dhe  dëgjova qartë, përgëzimet që mora nga Anxhela Merkel, nga Viktoria Nuland nga kryetari i Këshillit Europian dhe dhjetëra personalitete, të cilët përgëzuan opozitën për qëndrimet dhe vizionin që mbajti.

Në krijimin e organeve të reja të drejtësisë, Kushtetuta e thotë qartë: Keni një zgjedhje mes konsensusit ose shortit,  një zgjedhje të cilën opozita e propozoi dhe e sanksionoi. Por prej asaj dite Edi Rama ka bërë gjithçka kundër konsensusit për Reformën në Drejtësi, sepse konsensusi  për KLGJ dhe KLP, konsensusi  për Vetingun do të çonte në një kryeprokuror me Vetting dhe jo pa Vetting, siç e kemi sot., me votë opozitare dhe maxhoritare dhe jo me më pak vota se vetë Partia Socialiste. Një kryeprokuror legjitim, të cilit nuk do t’i tundeshin këmbët për të arrestuar në flagrancë Sajmir Tahirin, për të arrestuar një duzinë pushtetarësh të përgjuar nga shërbimet partnere në transaksione politike dhe financiare me bandat, nga Shullazët e Lul Berishët me Vangjush Dakon, tek Çelët dhe Sanxhaktarët e Qazim Sejdinit dhe, të paktën, tri ministra që ulen këtu sot prapa meje.

Edi Rama e ka jetike kapjen e drejtësisë. Ndaj sot nuk ka hapësirë për consensus, sepse po të donte konsensus nuk do të kishte shkelur Kushtetutën duke vendosur flitra të tillë që në goglat e shortit të KLGJ dhe KLP të vijnë telefonat e prishur të Sigurimit të Shtetit sigurisht me rekomandimet e mbeturinat e Sigurimit, njerëz të korruptuar e të dënuar, të cilët fshehën rekordet e tyre  të dekriminalizimit dhe njerëz që ONM i ka përjashtuar  nga kandidimi.

Ky dashnor i Europës dhe i Amerikës vetëm kur vjen fjala për të respektuar rekomandimet e tyre për njerëz me integritet në organet e drejtësië e humb dashurinë dhe i lidhet gjuha.

Ndaj sot, ata që vijnë këtu për t’u sanksionuar si anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së, janë ushtarë mjeranë të Edi Ramës, garancia e fundit dhe e vetme për ta shtyrë edhe pak drejtësinë për Sajmir Tahirin, drejtësinë e munguar për qindra milionë euro që ndodhen sot në bankat private të pushtetit, që ndodhen sot në investime marramendëse brenda dhe jashtë vendit.

Kështu është, do ta shtyjë edhe për pak, por jo për shumë. E çove Nezar Seitin në Itali, por gojën nuk ke për t’ia mbyllur dot përgjithmonë. E kur të bilbilosë ai dhe kur të blbilosin Habilajt, rradha do t’i vijë Sajmir Tahirit.

A ka njeri në botë që beson se Sajmir Tahiri u bë koka e drogës në Shqipëri pa dijeni tënde Edi Rama?

A ka njeri në botë që beson se ato qindra, miliona euro dhe tonelata drogë, nuk janë këmbët e karrikes tënde të pushtetit?

A ka njeri në botë që të beson ty më?

Prandaj çdo fjalë që thua këtu të largon nga e sotmja. E nesërmja e këtij vendi ti nuk mund të jesh kurrë.

Nuk duam investime turke?

Po ky është një palaçollik i padëgjuar më parë. Po gajasesh, sepse ty nuk të bëhet vonë për këtë vend. Po ti i thave investimet nga ky vend.

Në kohën kur këtë vend e qeveriste Partia Demokratike, investimet turke u dhjetfishuan banka, telekom, energji, dhjetëra mijëra vende pune, që sot nuk janë më.

Po nuk janë o faqezi nuk janë, i ke çuar në azil.

Çfarë je ti që gajasesh? Çfarë je ti këtu, për batuta je? S’je as shok gjimnazi me mua se të paktën je nja dhjetë vjet më i vjetër. Çfarë ke që gajasesh? I ke çuar në azil, i ke çuar refugjatë. Punonin këtu, kur ishin ato investime, sot nuk janë më. S’ka investime këtu. Ajo që po sjell në Vlorë, është aferë e pastër korruptive. Me 100 milionë euro do të bësh gjoja aeroport rajonal. Ti do vjedhësh shqiptarët dhe do ta ndash rryshfetin edhe me ndonjë turqishtfolës. Por kjo nuk është puna ime, por punë e drejtësisë turke. Prandaj, broçkullat e tua nuk i beson dot më as ai që ke afër aty.

(Rama flet nga vendi) Kujt i flet ti për 21 janar e tradhëti ndaj atdheut?

Po ti e more dhe e bëre kryetar të partisë në Burrel gardistin që thoje se ishte në grupin e zjarrit dhe sot e ke drejtor të OSHEE-së. Po ti ata që bënë paktin me Greqinë i gradove të gjithë, edhe ata në Ministri të Brendshme dhe ata në Ministri të Jashtme. Kë gënjen ti, kë mashtron? Kujton se partia jote nuk i di këto gjëra? Ka shqiptar që s’i di? Që kur vjen puna për pushtetin tënd dhe për veten tënde, ti je gati të flesh me djallin dhe ke fjetur me djallin.

Mundohemi kot këtu të flasim për politikë të jashtme. Ku ka politikë të jashtme? Politika e jashtme është e gjitha në mbrojtje të dosjeve të pambrojtshme të Edi Ramës, nga Xibraka tek Sajmir Tahiri.

Ministria e Jashtme është vënë si pelivan në tel dhe ka vetëm dy detyra, të mbrojë kriminelët e lidhur me politikanët dhe politikanët e lidhur me kriminelët, me zero sukses, se edhe po të ketë një gojë të mbyllur me zhage kanabisi, raportet e thonë qartë, që nga EUROPOL-i, CIA e Departamenti i Shtetit. Dhe e dyta, të sulmojë opozitën, po dhe kjo nuk i pin ujë më. Nuk ka politikë të jashtme në këtë vend. Politika e vemte e jashtme e Edi Ramës është investimi i milionave të drogës për të treguar fasadën, potentin. Por nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Londër, të gjithë tashmë e dinë që është fasadë. Sikundër e dinë të gjithë shqiptarët, punë nuk ka, bizneset mbyllen, fermerët falimentojnë, shqiptarët emigrojnë maisvisht. Këtë shqiptarët e dinë, sikundër e dinë partnerët tanë. Të provuan 5 vite me radhë, iu solle më shumë drogë, iu solle më shumë krim, iu më shumë emigracion të paligjshëm dhe i preve në besë.

Po, ka një ndryshim midis Rezolutës tre javë më parë dhe dhjetëra, qindra rezolutave për Lindjen e Mesme dhe rezolutës së 21 dhjetorit.

Më 21 dhjetor u votua kundër Amerikës nuk u votua për asgjë tjetër, por kundër Amerikës. Kundër vendimit sovran të Presidentit Trump në zbatim të një tjetër vendimi sovran bipartizan të Kongresit Amerikan dhe ti votove kundër.

Ti votove kundër duke vënë në peshoren e rrezikut interesin tonë kombëtar. Nuk më intereson a ka votuar apo jo Maqedonia. Doli që gënjeu ky mashtruesi yt profesionist, Maqedonia nuk ka votuar. Nuk më intereson fare ore mashtrues, nuk më intereson fare Maqedonia mua, o mashtrues. Mua më intereson Kosova dhe Shqipëria në NATO, që janë produkte të drejtpërdrejta të vullnetit amerikan.  Këto më interesojnë mua dhe mbi këto shkelmuat ju. Nuk dëgjuat as Kosovën, që e përdor si bizhu në takimet e tua me një tjetër të ngjashmin tënd në rajon. Lexoje pak Rekomandimin e Zgjerimit, ju që jeni entuzistë dhe shikoni se pengesa e vetme janë autokratët e inkriminuar që shkelin shtetin ligjor, që dhunojnë të drejtat e opozitës, që dhunojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, që nëpërkëmbin median, që kanë kapur ekonominë. Çfarë do ti? Të të vënë emrin? Do të vijë edhe ajo ditë që të të vënë emrin, por para se ta vënë ata, ta kanë vënë shqiptarët. Ta kanë vënë emrin më 27 janar.

Sot dua t’i them të gjithë qytetarëve shqiptarë, se detyra e opozitës në këtë parlament, është tërësisht e pamundur. Përtej fjalës, gjithçka tjetër është kapur dhe shkatërruar institucionalisht, ligjerisht, Kushtetuta është shkelur.

Jemi këtu për t’ju thënë se kjo farsë do të vazhdojë. Se në vend që të flasim dhe të zgjidhim problemet tuaja, fermerë të Divjakës, në vend që të mbyllim doganat për prodhimet e subvencionuara me tarifa të barabarta me subvencionet, që ju të shisni prodhimet tuaja të pasubvencionuara. Në vend që t’ju japim të njëjtin buxhet për të subvencionuar prodhimet tuaja, si Maqedonia të paktën, 150 milionë Euro, do të vazhdoj ky të tallet me ju dhe  t’ju thotë: Lakrën sa koka, e dini se ku do ta fusni prasin dhe karrotën.

Këtë ka thënë në Divjakë, ky!

Ta dini pra të dashur studentë se kjo do të vazhdojë, se tarifat e universiteteve do të vazhdojnë të rriten dhe shumë e më shumë prej jush do të vazhdojnë të mbeten jashtë auditorëve për paratë që fusin në xhep oligarkët e lidhur me këtë. (Ramën)

Ta dini të dashur pacientë, se çdo ditë e më pak ilaçe, çdo ditë e më pak mjekë të kualifikuar e infermierë do të ketë, për milionat që zhvat ky. Dhjetëra mijëra euro në ditë të taksave tuaja, që nuk shkojnë për ju dhe familjarët tuaj.

Ta dini o pensionistë se mashtrimet që ju këput në fushatë pas fushate do të jenë mashtrime.

Ta dini ju të gjithë, nga të përndjekurit dhe të burgosurit politikë e pronarët e deri tek ish-ushtarakët se mashtrimi dhe zullumi do të vijnë e do të thellohen derisa atë që bëmë më 27 janar në shesh të vini ta bëni këtu në këtë sallë. Derisa qytetarët e këtij vendi të reagojnë ashtu sikurse reagon çdo qytetar europian kur kryeministri u thotë ta futni karrotën dhe preshin apo të tallet me prodhimet e tyre.

Nuk ka rrugë tjetër, miq! Nuk ka rrugë tjetër tani që proçeset politike kanë marrë fund, tani që votat e vjedhura kanë çimentuar një bandë në pushtet, një qeveri të zhytur në krim, që po shkatërron themelet e bashkëjetesës politike.

Reforma në Drejtësi, qartësisht është viktima e parë e saj. Mjerë ata bashkëinvestitorë që nuk e shohin. Nuk ka më Reformë në Drejtësi. Ka një drejtësi të kapur për të mbrojtur Sajmir Tahirin, Edi Ramën, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Qazim Sejdinin, Vangjush Dakon, Shullazët, Habilajt, Balilajt. Kjo është drejtësia. Drejtësi nuk ka. Për fat të keq nuk ka as Europë e nuk mund të ketë Europë pa luftuar krimin, pa luftuar drogën, korrupsionin. Nuk mund të ketë Europë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Prej sot nga kjo sallë,duke u zotuar të vazhdojmë të bëjmë rolin tonë si opozitë, ju kërkoj edhe diçka tjetër pa të cilën nuk do të ketë ndryshim, të marrim fatin tonë në duart tona, të merrni fatin tuaj në duart tuaja!

Çohuni! Dhe opozitën do ta keni në krah, sa herë që të vendosni të bllokoni një aks rrugor, sa herë të vendosni t’ia përplasni arrogancës, arbitraritetit dhe kriminalitetit në fytyrë, opozitën do ta keni në krah, Partinë Demokratike do ta keni në krah, mua do të më keni në krah.

Faleminderit!

 

Replika e Kryetarit Basha me Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

 

Rrallë herë do të keni shansin të shihni një mashtrues, të pacipë dhe të paaftë nën petkun e Ministrit të Jashtëm. Kujdesen dhe janë kujdesur qeveritë që njerëzit që  që përfaqësojnë Shqipërinë në botë të mos jenë mashtrues kalibri, të paaftë dhe plagjiatë të pakorrektueshëm.

Mashtruesi sot vuri fjalët në gojën time se i paskam thënë Mogherinit: Baltë! E kundërta është e vërtetë. Kur ju o zullumqarë, vutë në gojën e Mogherinit fjalët  “Se vetëm me vetingun do të hapeshin negociatat”, ju thashë se kjo ishte baltë. Madje ju thashë se këto ishin bajga që iu shisni shqiptarëve. Dhe  ja ku jemi sot dhe fjala ime ka dalë.  Se nuk është vetingu që hap negociatat, por janë banditët që ti ke sjellë dhe i ke bërë ministra të brendshëm, që duhet të jenë në burg e jo të qeverisin me ty, të ndajnë paratë me ty e të bëjnë drogën me ty.

Krimi, droga, emigracioni! 4 vjet e ke zhytur Shqipërinë keq e më keq! Këtë të thotë CIA, këtë të thotë Departamenti i Shtetit.

Ky mashtrues ordiner këtu nuk e fshin dot se janë raporte të shkruara të CIA-s, të DASH.

Me kë matet ky, me futjen ne NATO, me heqjen e vizave?

Ky bredh nëpër botë me paratë e shqiptarëve për dy detyra: të shajë opozitën dhe të mbrojë fytyrën tënde të zezë, të mbrojë Saimir Tahirin, të mbrojë narkotrafikantët.

Dhe dëgjo këtu ti i paaftë! Të paktën për ata pak studentë të Drejtës Ndërkombëtare që na ndjekin, mos këput broçkulla këtu. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese dhe nuk janë erga omnesTë tilla janë rezolutat e Këshillit të Sigurimit, prandaj mos këput mufka këtu. Kjo është rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme dhe jo e Këshillit të Sigurimit. Turp! Duhej të kishe ngelur që në vit të parë!