Deklarata e plotë e deputetes Valentina Duka për përgjegjësinë e Ministres së Kulturës për shkatërrimin brenda pak ditësh të dy urave monument kulture. Në foto është edhe premtimi më 6 janar 2018 i Mirela Kumbaros për restaurimin e urës në Zagori dhe deklarata e saj se pas përmbytjeve ura nuk rrezikon të shembet.   

Jam këtu për të shprehur indinjatën e thellë, nga zhdukja në hartën e monumenteve të kulturës të dy urave shumë të rëndësishme, siç është Ura e Hoshtevës në zonën  e Libohovës një urë e periudhës Osmane, e përdorshme edhe sot nga banorët e Zagorisë. Dhe ura tjetër e krahinës së Orgockës, edhe kjo një urë e periudhës osmane që i takon Qarkut të Korçës, që si deputete e Partisë Demokratike ta përfaqësoj në Parlamentin e Shqipërisë.

Këto dy ura janë të trashëguara nga 300 vjet më parë, të ruajtura me shumë fanatizëm nga banorë të zonës, por edhe nga specialistë shqiptarë që e kanë dashur kulturën dhe brenda dy ditësh, si rezultat i vërshimit të lumenjve, ato zhduken jo vetëm nga harta e monumenteve të kulturës, por edhe nga harta e gjeografisë së Shqipërisë për të mos i parë më kurrë. Sado premtime të ketë se ato do të rindërtohen, ato nuk mund të bëhen ashtu sikundër kanë qenë.

Janë ura unikale dhe që banorët e këtyre zonave, specialistë të trashëgimisë kulturore, kanë kohë që trokasin në derën e Ministres së Kulturës për të ndërhyrë urgjentisht në riparimin e tyre, por derë e saj ka qenë e mbyllur. Përegjigja e Ministres së Kulturës ka qenë arrogante, qeveria Rama nuk ka reaguar në kohën e duhur për restaurimin e këtyre veprave kaq të rëndësishme të pasurisë sonë kombëtare.

Kam pasur fatin të vizitoj shumë ura të tilla në vendet e Ballkanit, ku qeveritë e Ballkanit shpenzojnë pothuajse dyfishin e parave të qeverisë Rama për t’i ruajtur ato. I ruajnë ato dhe nuk i shkatërrojnë ashtu sikundër ndodhi në Shqipëri. Prandaj jam këtu, që në emër të Partisë Demokratike, të dënoj papërgjegjshmërinë e qeverisë Rama. Në mbrojtje të institucioneve të kulturës sonë kombëtare, si elementë, si pasuri e madhe e kulturës sonë kombëtare për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve.