• Ekstradimi i Nezar Seitit, financiarit që do të dëshmonte para drejtësisë sa parà ka marrë nga droga Rama dhe Tahiri është skandali më i madh në 27 vjet.
  • Familjarët e Seitit kanë pohuar se ai do të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë duke rrëzuar alibinë e Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin.
  • Kreut të Grupit të Opozitës iu ndërpre fjala dhe nuk iu lejua të kërkojë praninë në sallë të Edi Ramës, përgjegjësit kryesor për ekstradimin e paligjshëm të Seitit.
  • Ky Parlament është pengesa kryesore për drejtësinë, për barazinë para ligjit për Integrimin Europian. Opozita do të qëndrojë bashkë me shumicën e shqiptarëve.

Deklarata e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha para Parlamentit

Skandali më i madh në 27 vjet histori është rrëmbimi i Nezar Seitit, financieri i bandës së Habilajve. Njeriut që ka mbajtur shënim se sa para i janë dhënë Saimir Tahirit, sa për veten e tij, sa për Edi Ramën, sa për zyrtarët e tjerë të lartë të kësaj mafia, të kësaj bando-qeverie.

Dhe i cili sipas vetë pohimeve të familjarëve të tij ishte bërë gati të kthehej në bashkëpunëtor të drejtësisë, duke i dhënë kështu çështjes “Tahiri -Habilaj” një zgjidhje vendimtare duke rrëzuar çdo alibi të Ramës për mos arrestimin dhe mos vënien para drejtësisë dhe prapa hekurave të ministrit të tij shembull. Duke i dhënë Shqipërisë peshkun e parë të madh i cili do të hapë rrugën për peshqit e tjerë të mëdhenj autorët e inkriminimit të Shqipërisë, autorët e aleancës me krimin, autorët e mbytjes së Shqipërisë në drogë si pasojë e së cilës shqiptarët sot janë më të varfër, më të papunë, më të pashpresë dhe me emigracionin më të lartë sesa në 15 vitet e fundit.

Por mafia në pushtet e ekstradoi duke shkelur të gjitha ligjet me një qëllim, që t’i mbyllë gojën dhe të zvarrisë dhe të mbrojë Saimir Tahirin, për të mbrojtur Edi Ramën, për të mbrojtur kupolën mafioze në pushtet.

Sot opozita në Parlament kërkoi fjalën në përputhje me rregulloren për të kërkuar praninë e Edi Ramës i cili u fsheh, siç u fsheh para bashkimit të shqiptarëve më 27 janar, kërkoi vrimën e miut për t’u fsheh opozitës siç u fsheh zërit të qytetarëve më 27 janar.

Kërkoi praninë e Edi Ramës për ta përballur pikërisht me këtë skandal më të madhin në 27 vite. E rëndë është bashkëpunimi i ish-ministrit të Brendshëm me bandat e drogës dhe përfitimi i milionave të drogës. Por shumëfish më i rëndë është ky skandal i cili vërteton se Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Ekstradimeve në Prokurori, Drejtoria e Ekstradimeve në Ministrinë e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Interpoli, Policia e Shtetit janë bërë të gjithë bashkë në këtë komplot, në këtë konspiracion për t’i mbyllur gojën dëshmitarit kyç në momentin që ky pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë.

Vendi është në kthetrat e mafias. Opozita nuk do të pranojë kurrë t’i mbyllet goja. Ky nuk është më nje Parlament. Kjo është një zezanë, pengesa kryesore për drejtësi, për barazi para ligjit, pengesa kryesore për avancimin e shqiptarëve në rrugëtimin e tyre europian.

Më 27 janar shqiptarët treguan se e kanë vrarë frikën dhe se e kanë vendosur të marrin fatin e tyre në duart e tyre.

I garantoj sot këtu jashtë kësaj salle dhe brenda kësaj salle se opozita do të jetë në krah dhe në ballë të kësaj përpjekje jetike për të marrë në dorë fatin tonë. I cili sot është në duart e një bande kriminale, siç e provon qartësisht super-skandali i rrëmbimit nga shteti të dëshmitarit kyç Nazer Seitaj.