Deklaratë e deputetit Enkelejd Alibeaj për ekstradimin e paligjshëm të Nazer Seitajt

  • Financieri i drogës së Saimir Tahirit u ekstradua në mënyrë të paligjshme, kur pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë.
  • Ligji shqiptar e ndalon ekstradimin, kur një person ka një çështje penale në Shqipëri.
  • Proçesverbali i Policisë tregon se Nazer Seitaj u arrestua në 19 Tetor 2017 për llogari të Krimeve të Rënda për dosjen “Tahiri” dhe jo për t’u ekstraduar, siç deklaron qeveria.

Deklarata e plotë e deputetit Enkelejd Alibeaj 

Javën e fundit, me urdhër të Edi  Ramës, qeveria kreu një nga aktet më të rënda për prishjen e hetimeve, që përfshijnë Saimir Tahirin në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Nezir Seitaj, financieri i bandës së Saimir Tahirit dhe Habiljave është rrëmbyer nga shteti shqiptar ditën kur pranoi të ishte bashkëpunëtor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të rrëfyer milionat e marra nga Saimir Tahiri si përfitim nga trafiku ndërkombëtar i drogës.

Ky është një akt më i rëndë edhe sesa vetë trafiku i drogës nga Saimir Tahiri. I pari tregon lidhjen e Ministrit të Brendshëm me trafikun e drogës. I dyti tregon se si i gjithë shteti, Ministria e Drejtësisë, Ministria  e Brendshme, Prokuroria, Drejtoria e Burgjeve,  më urdhrin e Edi Ramës kanë rrëmbyer dëshmitarin e vetëm, kur ai rrezikonte zbërthimin e çështjes “Tahiri.

Për këtë arsye, Partia Demokratike ka vendosur të thërrasë në një interpelancë urgjente Ministren e Drejtësisë,  Etilda Gjonaj, si përgjegjëse kryesore për ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitajt, financierit të bandës Tahiri-Habilaj.

Ne jemi të bindur se kjo interpelancë urgjente me Ministren e Drejtësisë do t’i shërbejë zbulimit të mëtejshëm të skemës së Edi Ramës për të mbyllur dosjen e përfshirjes së Saimir Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Pjesë e skemës është vendimi për të rrëmbyer dhe larguar nga Shqipëria financierin e bandës Tahiri-Habilaj, Nezar Seitaj, i cili është në dijeni të të gjitha parave që Saimir Tahiri ka përfituar nga trafiku i kanabisit drejt Italisë.

Deri para ekstradimit të paligjshëm, Nezar Seitaj, ishte i vetmi anëtar i bandës të Habiljave, që po hetohej nën arrest nga Krimet e Rënda si pjesë e dosjes Tahiri-Habilaj. Pjesa tjetër janë ose në arrest në Itali, osë oficerë policie në arrati me ndihmën e Edi Ramës, ose deputet në Kuvendin e Shqipërisë, nën mbrojtjen e Edi Ramës.

Partia Demokratike disponon provën zyrtare që provon se, për t’i shërbyer Edi Ramës që të mbyllë dosjen “Tahiri”, Ministrja e Drejtësisë gënjen, kur deklaron se nuk ka qenë në dijeni se financiari i bandës Tahiri-Habilaj po hetohej në Shqipëri. Sipas ligjit shqiptar, kur një person ka një proçedim penal në Shqipëri, ekstradimin e tij është i ndaluar.

Ky është proçesverbali i mbajtur nga policia për arrestimin e Nazer Seitajt.

Në proçesverbalin e arrestimit të financierit të drogës së Tahirit dhe Habiljave, thuhet se Nazer Seitaj u ndalua për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda më 19 Tetor 2017, pas aksionit në Babicë të Vlorës, ku u sekuestruan 4 tonë drogë.

Ky proçesverbal rrëzon dekaratën e Ministres së Drejtësisë se nuk e dintë që për Nezir Seitajn kishte një çështje penale në Shqipëri.

Proçesverbali i policisë tregon, gjithashtu, se financieri i bandes Tahiri-Habilaj është arrestuar më 19 dhe jo më 20 tetor, siç deklaron Ministri i Brendshëm, i cili vetë është pjesë kyçe e skemës së Ramës për ekstradimin e dëshmitarit të vetëm të arrestuar që mund të tregonte paratë e drogës së Saimir Tahirit.

Vënia e shtetit me urdhër të Kryeministrit për rrëmbimin e dëshmitarit të vetëm të arrestuar kundër Saimir Tahirit, tregon se në Shqipëri nuk do të ketë drejtësi derisa peshqit e mëdhënj që po shkatërrojnë hetimet për Saimir Tahirin të mbajnë përgjegjësi para ligjit.