• Rama u fut në bunker nga 1200 naftëtarë. 50 milionë euro taksa të falura për ARMO-n, do të mjaftonin për të paguar 3 vjet e gjysëm naftëtarët. 
  • Qeveria “Rama” është krahu politik i krimit të organizuar që sundon sot në Shqipëri. Largimi i kryeministrit është mesazhi i 27 Janarit.

Në takimin me degën 11 të Laprakës, në Tiranë, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tregoi gjendjen e rëndë ekonomike duke iu referuar historisë së dhimbshme publike të një babai, i cili ditën që nuk kishte gjetur punë tek “Ushtari i Panjohur”, kishte shitur gjak për të blerë bukën e fëmijëve.

“Gjendja e atij kryefamiljari është gjendja e mijëra prindërve shqiptarë, e 290 mijë shqiptarëve. Mjerim absolut. Nuk arrijnë dot të blejnë bukën e gojës për fëmijët e tyre. Po si mund t’i thotë vetes kryeministër, që shikon këtë gjendje dhe e zgjidh qesen, për çfarë? Për 400 milionë lek makina,”– u shpreh Basha.

Basha tha se në këtë situatë mjerimi për 300 mijë familje, qeveria u fal inceneratorëve miliona euro, 5.2 milionë vetëm për fabrikën e plehrave në zonën e Fierit, kundër të cilës po protestojnë banorët.

“Njerëzit janë ngritur në këmbë për të protestuar për shëndetin e tyre dhe shumica prej tyre kanë të njëjtin problem, kanë të njëjtin hall. Nuk kanë pension, nuk kanë ndihmë ekonomike, nuk kanë punë, dhe çfarë i pret? I pret dajaku i Edi Ramës. Përse? Nuk duan të kenë fabrikë helmesh aty ku jeton familja e tyre, aty ku rriten vogëlushët e tyre. Shembuj të tillë ka me qindra që tregojnë një gje dhe vetëm një gjë, është krahu politik i krimit të organizuar që sundon sot në Shqipëri,”- tha Basha.

Basha vuri në dukje se rasti i ARMO-s është modeli i korrupsionit flagrant të Edi Ramës, për videokonferencën e të cilit tha se ishte “mbyllje në një bunker larg realitetit dhe pa ndjeshmëri për problemet që u ka shkaktuar shqiptarëve”.

“50 milionë euro taksa ia ka falur, kujt do thoni ju? Jo Besos, jo! Vetes së tij! Se Beso është fasada, siç ka qenë gjithmonë. Ato 50 milionë euro do të mjaftonin për të paguar 3 vjet e gjysëm 1 200 familjarë, që përpara se të jenë naftëtarë, janë baballarë, janë kryefamiljarë që mbajnë me ato para fëmijët e tyre, familjet e tyre,”– u shpreh Basha.

Basha ftoi shqiptarët të marrin pjesë në protest si rruga e vetme për t’i dhënë vetes mundësinë për t’u drejtuar nga një qeveri që prioritet ka qytetarët dhe jo hajdutët e kriminelët. 

“Kini besim tek forca juaj. Ky ishte futur në bunker që sot, nga 1200 naftëtarë, imagjinoni 12 mijë, 120 mijë protestues në shesh. Kjo është! Pra, forca e protestës, mesazhi i protestës është, pjesëmarrja. Dhe mesazhi është ky: Nuk je më kryeministër!”- theksoi Basha.

Kreu i Partisë Demokatike tha se varfëria dhe çdo padrejtësi e shqiptarëve e kanë burimin tek blerja e pushtetit nëpërmjet krimit. Basha u shpreh se kjo u provua më 25 qershor, ku u verifikua se zgjidhjet hibride nuk funksionojnë, prandaj largimi i Edi Ramës është garancia e vetme për shkatërrimin e aleancës së pushtetit me krimin.