• Kushtetuta e ka bërë të qartë. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e votave, Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet pa veting. 
  • Pse kërkon Rama kontrollin mbi Prokurorin e Përgjithshëm? Për të mbrojtur paratë e pista të drogës, për të mbyllur dosjet e krimit, duke nisur nga Tahiri. 
  • Si mbyllen dosjet? Kryeprokurori ka fuqinë të transferojë apo të pezullojë prokurorët e çështjeve në hetim. Skema e Ramës është e qartë: Sabotim për mosngritjen e KLP-së, emërimi i kryeprokurorit, mbyllja e dosjeve të krimit dhe korrupsionit. 

Komunikimi i plotë me gazetarët i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar 

Pyetje: Rama përsërit ftesën që të bashkoni votat për kryeprokurorin, përndryshe socialistët do ta zgjedhin me shumicë të thjeshtë.

Basha: Së pari i bëj thirrje çdo deputeti të përfshirë në këtë proçes të tërhiqet menjëherë sepse po bën shkelje flagrante të Kushtetutës. Kushtetuta e ka bërë të qartë. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e votave, Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet pa veting. Pyetja shtrohet; pse prej më shumë se 1 vit e gjysëm pas Reformës në  Drejtësi, Edi Rama, do të emërojë një Prokuror pa bërë vetingun dhe vetëm me votat e mazhorancës. Përgjigjia është e qartë. Për të mbrojtur paratë e pista të drogës, për të mbyllur dosjet e krimit, dosjet e Tahirit, Habilajve, Balilajve, të oficerëve të lartë të policisë në kërkim, të Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt, Ilir Beqës. Si do të mbyllen dosjet me një Prokuror që e cakton Rama? Me ligjin që vetëm Rama ka caktuar, ky Kryeprokuror do të ketë fuqinë të transferojë apo të pezullojë prokurorët, të bëjë vlerësimin apo rivlerësimin e tyre. Pra skema është e qartë. Edi Rama ia ka dalë të sabotojë proçesin e ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe tani na fton të shkelim Kushtetutën, me qëllim që ai të ketë një prokuror nën hyqmin e tij, i cili do të bëjë të mundur, jo luftën kundër krimit, por mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve. Natyrisht që kjo është e papranueshme. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe nga asnjë parti politike me një keqbërës që dëshiron të shkelë Kushtetutën për të emëruar një prokuror që të mbyllë aferat dhe dosjet kriminale. Thirrja ime e vetme për Edi Ramën është: Të zbatojë Kushtetutën! Dhe jo sepse ia kërkoj unë, por sepse e ka për detyrë.

Pyetje: Çfare ndodh nëse ky Kryeprokurori zgjidhet pas disa ditësh?

Basha: Nëse Edi Rama vepron në kundërshtim me Kushtetutën, për të shtënë në dorë institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, me të vetmin qëllim për të mbyllur dosjet dhe hetimet e korrupsionit, atëherë ai do të përballet me përgjigjen më të fuqishme politike nga opozita.