Pyetje: Z. Bylykbashi, Partia Socialiste është e vendosur që të proçedojë pas datës 7 dhjetor për zgjedhjen e një prokurori të ri. Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike, lidhur me këtë dhe ju si e interpretoni çështjen e Kushtetutës dhe të ligjeve në lidhje me këtë rast?

Oerd Bylykbashi: Ka kohë që Partia Socialiste është e vendosur për të shkelur Kushtetutën. Kushtetuta është mëse e qartë, përcakton rregulla kushtetuese të cilat nuk mund të shtohen qoftë në një ligj tjetër, i cili mungon, qoftë në veprime mbi baza të rregullores nga mazhoranca. Kushtetuta përcakton Këshillin e Lartë të Prokurorisë si organ që deklaron fundin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Pra, organi kushtetutes i parashikuar nga Kushtetuta është Këshilli i Lartë i prokurorisë, fakti që kanë lënë boshllëk kushtetutes për këtë çështje është një problem i cili nuk mund të zgjidhet as me deklarata, as me memo dhe as me ndonjë ligj apo rregullore të Kuvendit sepse është normë kushstetuese. Sigurisht, zgjidhja është e thjeshtë, të çojnë siç kanë bërë për Këshillin e Lartë Gjyqsor, të çojnë përfaqësues të shoqërisë civile të cilët i përzgjedhin vetë për të kompletuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Është e qartë që qëllimi është kapja e Prokurorit të Përgjithshëm nëpërmjet shfrytëzimit të këtij boshllëku kushtetues që kanë lënë vetë.

Pyetje: Z. Bylykbashi Ligji Organik i Prokurorisë, neni 109 thotë se në kushtet kur mungon Këshilli i Lartë i Prokurorëve është Kuvendi ai që merr në shqyrtim kandidaturat e përkohshme, zëvendësuesi i kryeprokurorit, deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Oerd Bylykbashi: Së pari, ligji nuk zëvendëson Kushtetutën, e dyta rasti që ju i referoheni, mbarimi i parakohshëm i mandatit, kur Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen, vdes, largohet nga detyra, siç ishte rasti i vettingut, ne nuk jemi në këtë rast. Edhe në rastin e ligjit, përcaktohet që merr vendim Kuvendi dhe Kushtetuta është e qartë. Vendimi merret nga Kuvendi me 3/5 e votave. Përfshirë faktin se asnjë kandidat nuk ka kaluar vettingun dhe kjho është një kërkesë themelore, janë të gjitha përpjekje të mazhorancës që Prokurorin e Përgjithshëm deri me 1 shtator duhej të votohej me 2/3 e Kuvendit, dhe pas datës 1 shtator duhet të jetë me 3/5, mazhoranca kërkoi ta zgjedhë me 36 vota në Parlament, përfshirë edhe votën e Sajmir Tahirit. Qëllimi është që nëpërmjet një Prokurori që venë ata të mbyllin të gjitha çështjet të cilat përfshijnë jo vetëm skandale të karakterit korruptiv por edhe skandale të karakterit kriminal, siç është rasti i Tahirit.