Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, përgënjeshtroi Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se ai kishte braktisur qytetarët.

Duke vizituar një nga zonat problematike, tek Liqeni i Marikajt, zoti Ismaili tha se Bashkia e Vorës është në krye të detyrës.

Kryebashkiaku i Vorës tha se bizneset në territorin e saj, përgjatë autostradës, janë përmbytur për dy arsye, për të cilat është përgjegjëse Bashkia e Tiranës.

Arsyeja e parë është shkarkimi pa paralajmërim nga liqeni i Kasharit.

Arsyeja e dytë është bllokimi i kanaleve kulluese nga mbjellja e palmave prej bashkisë së Tiranës.

Mbjellja e palmave kushtoi 600 mijë euro, por dëmi i tyre është i disafishtë. Për zëvendësimin e  tyre jo vetëm do të shpenzohen edhe 2.5 milionë euro të tjera, por prej tyre është shkatërruar autostrada Tiranë Durrës, si dhe qindra biznese.

Kryebashkiaku i Vorës tha se është përgjegjësi e pushtetit qëndror mospastrimi kanaleve anash autostradës.

“Bashkia e Vorës është në krye të detyrës dhe po kryen të gjitha funksionet e saj.  Nga informacionet që kemi, në lidhje me përmbytjet që kanë ndodhur tek City Park, tek Mercedes-i, tek Qafa e Kasharit, kanë ardhur si arsye e bllokimit të kanaleve që administrohen nga Bashkia e Tiranës. Ato kanale të mos zihen me palma, siç janë zënë aktualisht, por kanalet të jenë të pastruara dhe uji të shkojë në pjesën e vetë. Kemi informacione që edhe Liqeni i Kasharit është hapur nga reshjet e dendura të shiut duke krijuar këtë situatë.”-tha Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili.

Bashkia e Vorës ka hartuar një plan të detajuar veprimi për të menaxhuar situatën e krijuar.