Komunikimi i plotë i deputetit Bardh Spahia në QSUT:

Çfarë ju thanë mjekët pas takimit që patët me ta?

Sistemi shëndetësor është në kaos total  me mungesa të theksuara në të gjitha aspektet përsa i përket medikamenteve të ndryshme, pajisjeve  mjeksore,  por dhe kushteve jashtëzakonisht të vështira. Unë do t’i konsideroja kushte  të tmerrshme, në të cilët janë të detyruara të punojnë punonjësit e sistemit të shëndetësisë, duke filluar nga mjekët, infermierët dhe të gjithë anëtarët e personelit shëndetësor shqiptar.

Dorëheqjen e mjekëve të Urgjencës së QSUT  e konsideroj tronditëse, një akt  që tregon në thelb dështimin e plotë të sistemit shëndetësor nën drejtimin e kësaj qeverie. Ky sistem ka patur mangësitë e veta përgjatë viteve dhe në qeverisjen tonë, por asnjëherë nuk ka qenë i dhunuar si sot në thelbin e vet.

A janë të vendosur mjekët për t’u dorëhequr apo janë tërhequr nga ky akt?

Ka një vendosmëri absolute të mjekëve dhe të personelit shëndetësor të QSUT, por dhe në Shqipëri në tërësi për ta ngritur zërin për kushtet e patolerueshme në të cilët ndodhen, që janë detyruar të punojnë, në mangësi ekstreme në ilace, pajisje mjekësore, por dhe në organiziminn e punës së tyre. Përballen cdo ditë dhe cdo natë me këto kushte ekstreme, për të cilët tashmë në mënyrë të qartë, nuk janë dakort të punojnë.

Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike?

Ne jemi në mbështetje të plotë të mjekëve të Urgjencës së QSUT , të kërkesave të tyre, dhe domosdoshmërisë së ndryshimit të kushteve tejet të vështira në të cilat ndodhen. Sigurisht arsyeja qëndron  dhe te korrupsioni ekstrem që ka kapur nga fyti këtë system. Do të mjaftonte anullimi i koncesioneve të famshme korruptive prej 400 milionë euro, që u janë dhënë njerëzve të afërm të kryeministrit Rama. Do të mjaftonte anullimi i koncesioneve tërësisht korruptive për të ndryshuar  kushtet në medikamente,  në pajisje mjekësore, por edhe pagat  e personelit mjeksor dhe infermierëve dhe gjithë sistemit shëndetësor dhe ta kthente sistemin dhe personelin  mjeksor shqiptar nga një personel që dëshpërimisht kërkon të lerë Shqipërinë për të marrë rrugët e botës në një sistem normal.

Pyetje – Cfarë ju thanë mjekët ?

Në çdo takim me mjekët ankesat e tyre janë shumë herë më të thellë dhe shumë herë më të forta se çfarë kanë deklaruar në letrën e tyre. Unë ju siguroj se pakënaqësia dhe revolta ndër mjet mjekëve shqiptarë është vetëm në fillimet e veta. Ajo po mblidhet dhe po grumbullohet  dhe mjekët, siç ju takon në fakt,  si pjesë e elitës shqiptare, do të  dijnë të reagojnë fuqishëm për situatën e patolerueshme që po kalon sistemi shëndetësor dhe vendi  në përgjithësi.