Kryebashkiaku Mziu: Pa mbështetje nga qeveria, por shpëtuam 250 familje. Përmbytjet erdhën nga Bovilla

Banorët: Këtë qeveri mos e pastë kush!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me disa prej familjeve të përmbytura në Bashkinë e Kamzës, ku zonat për problematike janë Valiasi, Frutikultura, Laknasi dhe një pjesë e Bathores. Nga takimet me banorët e prekur, kreu i opozitës konstatoi se dëmet janë të mëdha, por fatmirësisht, kryebashkiaku Xhelal Mziu, ia ka dalë, pa mbështetjen e pushtetit qëndror, të nxjerrë nga rreziku i përmbytjes më shumë se 250 familje.

“Mziu: Shumicën e tyre e kemi çuar nëpër shtëpi

Basha: Sa familje?

Mziu: Janë më shumë se 250 familje.

Basha: Por, pa zjarrfikëse, pa ekskavatorë, si e përballove?

Mziu: Nuk kemi asgjë, vetëm duke komunikuar me privatin. Ja ku është një fadromë e privatit. Kemi një fadromë të ujësjellësit që nuk di ku të shkojë më përpara.”

Kur qeveria shpërndau nga 1 eskavator për 61 bashkitë e vendit, atë që i takonte Kamzës e ka marrë Bashkia e Tiranës. Por as në këto 24 orë të vështira, Bashkia e Kamzës nuk është ndihmuar nga Shtabi i Emergjencave.

Mziu: “Erdhi një zjarrëfikëse, ishte bashkë me njerëzit brenda. Ndejti një orë e gjysëm, më pas erdhi një makinë ushtrie. E vetmja gjë që ka ardhur një makine ushtrie dhe stop.”

Edhe banorët e përmbytur pohojnë të njëjtin realitet, se në ndihmë të tyre nuk ka asnjë autoritet përveç bashkisë.

Banor: “Tre herë ka që përmbytem, nuk na ka ardhur kush mbrapa. Vetëm të na kishin pyetur. Vetëm Xhelali ka ardhur. Këtë qeveri që kemi ne, mos e pastë kush në botë se na mori në qafë.”

Banorët dhe kryebashkiaku Mziu i treguan kryetarit Basha si u përmbyt një pjesë e madhe e Bashkisë së Kamzës.

Mziu – “Kanë hapur Bovillën mbrëmë në kulmin e ujit. Ata e dinin se si do të shkonte situata, mund ta kishin hapur pardje, le të themi. Ka ardhur presioni i ujit dhe ka shpërthyer në të gjithë zonën e Kamzës.” 

Basha –“Katastrofë.”

Pavarësisht vështirësive, Kryetari i Partisë Demokratike, inkurajoi kryebashkiakun Xhelal Mziu të bëjë gjithçka për t’u ardhur në ndihmë banorëve me mjetet që ka në dispozicion. Ai u kërkoi qytetarëve t’i përgjijen thirrjes për evakuim.

Basha: “Situata do të përkeqësohet prapë sonte. Të nxjerrim njerëzit, të shpëtojmë njerëzit. Mos të rrinë pas lopëve, por të shpëtojnë njerëzit, pastaj hap pas hapi të tjerat. Vëmendja kryesore duhet patur tek jeta e njerëzve.”