• Departamenti i Shtetit përfshiu këtë vit Shqipërinë, për herë të parë, në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave, ku përcaktohet se bankat bëjnë transaksione parash që përfshijnë shuma të konsiderueshme të të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve.
  • Bumi i beftë i ndërtimit është rezultat i parasë që vjen nga droga. Koncesionet e Ramës me pronarë që fshihen në parajsa fiskale apo që Rama i mban të fshehta mund të jenë skema të pastrimit të parave të drogës.
  • Sa herë Edi Rama fton shqiptarët të qeshin me opozitën, Shqipëria shndërrohet në hambar droge, në zonë të lirë për krimin dhe ministrat e tij akuzohen per trafik ndërkombëtar narkotikësh. Është koha t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në ekonomi dhe në politikë.
  • Çdo konçesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të hetohet me transparencë në çdo detaj. Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të në çdo akt koncensioni dhe tenderi qeveritar.

Deklarata e plotë e kryetarit Lulzim Basha

Në mars të këtij viti, Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë, e cila quhet zyrtarisht “Lista e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave”.

Është hera e parë që Shqipëria përfshihet në këtë listë që përditësohet çdo vit.

E gjeni në faqen 8 të raportit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve që Departamenti i Shtetit i dërgon zyrtarisht Kongresit Amerikan.

Qeveria amerikane e harton listën bazuar në këtë përcaktim: vend kryesor i pastrimit të parave është ai vend ku bankat bëjnë transaksione parash që përfshijnë shuma të konsiderueshme të të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve.

Në gusht 2017, një tjetër raportim ndërkombëtar për pastrimin e parave që quhet Indeksi i Bazelit Kundër Pastrimit të Parave, e renditi Shqipërinë si një ndër tre vendet kryesore me rrezikun më të lartë të pastrimit të parave në Europë. Ky indeks, po kështu tregoi një përkeqësim të thellë për Shqipërinë  krahasuar me vitin paraardhës.

Janë me qindra milionë Euro të prodhuara nga droga në duart e kriminelëve, të cilët duan t’i qarkullojnë dhe t’i pastrojnë këto para. Nuk ka dyshim se bumi i beftë i ndërtimit, kur vendi është në krizë dhe ka mijëra apartamente të pashitura, është rezultat i parasë që vjen nga droga.

Nuk ka dyshim se ato konçesione që jep Edi Rama kur emrat e konçesionarëve fshihen në parajsa fiskale mund të jenë skema të pastrimit të parave të drogës.

Nuk ka dyshim që kontratat e konçesioneve që Edi Rama i negocion dhe i mban të fshehta mund të jenë pastrim parash të drogës.

Ka një parim themelor ekonomik: “Paraja e pistë, përzë paranë e ndershme.”

Në Shqipëri paraja e ndershme po largohet. Prej katër vjetësh nuk ka asnjë investim të ri të huaj, ndërsa investimet e brendshme private po kështu janë në rënie. Ndërkohë që lulëzon droga dhe trafiqet. Paraja e pistë përzë çdo ditë paranë e ndershme nga tregu dhe nga Shqipëria.

Dhe mos harroni, paratë nuk i pastrojnë vetëm kriminelët por edhe politikanët që marrin para nga kriminelët.

Qeveritarët blejnë vila dhe pasuri të patundshme në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.

Edi Rama sot i ftoi shqiptarët që të mos i marrin seriozisht akuzat për pastrimin e parasë dhe kapjen e ekonomisë nga krimi. Nuk e ka për herë të parë që i fton shqiptarët të qeshin me gjëmat e tij.

Për katër vjet me radhë ai u kërkoi shqiptarëve të qeshnin me akuzat se në Shqipëri mbillej kanabis dhe trafikohej drogë.

Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin se opozita ngatërronte mushkonjat me avionët.

Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin me opozitën që e thërrisnin Elvisin, Ervin.

Edi Rama ulej me fshatarët dhe i pyeste me sy shkelje a keni mbjellë kanabis? Ç ‘thotë kanabisi?

Edi Rama ftoi shqiptarët të qeshnin me akuzat e opozitës se Saimir Tahiri ishte trafikant droge.

Herën e fundit që Edi Rama i ftoi shqiptarët të qeshnin me denoncimet e opozitës, Shqipëria u kthye në një hambar droge dhe zonë e lirë e krimit.

Tani po na fton përsëri të qeshim. Në fakt është koha të ndalim tani kapjen e ekonomisë nga krimi.

Projekti 1 miliardë Euro duhet të ndalet tani.

Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të hetohet me transparencë në çdo detaj.

Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të në çdo akt koncensioni dhe tenderi qeveritar.

Depërtimi i krimit në ekonomi, kapja e ekonomisë së shqiptarëve nga krimi duhet ndalur tani!

Tani është koha t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në ekonomi dhe në politikë!

Pyetje: Cili është qëndrimi juaj për kërkesën e Ramës për shkarkimin e kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri dhe për shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Mallakastrës, Kapllanaj?

Basha: Edi Rama është gati të zhvishet lakuriq për t’iu shmangur pyetjes: Pse e mbrojti Sajmir Tahirin? Pse nuk flet një fjalë për paratë e drogës dhe patentat e lundrimit të Sajmir Tahirit të kapura? Ke dy javë që hesht dhe bën gjithçka për t’iu shmangur këtyre pyetjeve. Dhe përgjigjja për pyetjen që sapo shtruat është në këtë kontekst.  Po bën e do të bëjë gjithçka, por nuk do t’ia dalë.