1.3 miliardë euro!

Ky që bilbilos këtu, kaq ka nxjerrë me drogën Shqipëria, 1.3 miliard euro.

A e kuptoni ju o shqiptarë se sa janë 1.3 miliardë euro?!

Sigurisht që nuk e kuptoni dot, është një shifër astronomike. Mendja nuk e kupton dot, nuk ka lidhje, nuk mund ta përkthesh dot as me kaq shtëpi, as me kaq apartamente, as në kaq vakte për të ngrënë, nga ato që i kanë rralluar shumica e shqiptarëve, 30% e të cilëve nuk paguajnë dot ushqimet e shportës.

Krye mashtruesi, krye përfituesi i drogës .

Keni parë si vjen këtu, i thahet pështyma, patrioti.

30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot për bukën.

1.3 miliardë euro ky dhe Habilajt e këtij dhe flet për patriotizëm ky që rrënoi Shqipërinë, ky që çon 260 mijë shqiptarë në 4 vite në azil politik, eksod njësoj si në vitet ’90. Ky është patrioti i madh, po mbron shqiptarët dhe fëmijët e tyre duke iu pamundësuar 43% të familjeve që të ngrohin shtëpitë.

Ky patriot i madh.

Eshtë thënie e vjetër, nuk iu ikën dot.

Streha e fundit e maskarait është pseudopatriotizmi.

Po të ishe patriot ti, kishe dhënë dorëheqjen ditën kur tu kapën mushkonjat e para. Sepse, ti që nuk lije një tjegull pa leje, tregove se e kishe vënë gjithë territorin në funksion të bandave. Në një sistem normal demokratik ti duhej të ishe shkarkuar dhe proceduar para drejtësisë.

Por beteja për demokracinë dhe shtetin ligjor nuk ka marrë fund në Shqipëri. Ti nuk mund ta fitosh kurrë këtë betejë, as të justifikohesh para shqiptarëve për faktin që ta ka mbyllur derën Europa, si kryetrafikant, si i kapur në bashkëpunim me bandat, si njeriu që e mbrojte ish-ministrin tënd të Brendshëm nga drejtësia, e cila veproi jo në bazë të akuzave të opozitës.

Po, i kemi bërë ne ato akuza, dhe u vërtetuan se janë të gjitha të vërteta. Por jo nga ne, por nga antimafia italiane që nuk ka autoritet në botë ta vejë në diskutim, as ti, as homologu yt në Itali, askush tjetër. Aty është e transkriptuar e zezë mbi të bardhë se si trafikantët, miqtë e tu, tregojnë me gisht punonjësit e policisë dhe thonë këta janë tanët. Ku tregohet qartë se si vendoset infrastrukturën e vendit, portet dhe aeroportet e vendit, dhe radarët, në funksion të trafikut të drogës 1.3 miliardë euro.

Jo këto që the, por ti e ke për borxh të vish këtu dhe të zhvishesh lakuriq para njerëzve, të bësh gjithçka, vetëm që të heqësh vëmendjen nga 1.3 miliard euro, që minimumi i ke gllabëruar ti dhe një grusht kriminelësh, në kurriz të një vendi të shndërruar në delen e zezë të Europës, të një ekonomie të rrënuar, të një imazhi të shkatërruar. Kjo është vepra jote. Kjo është trashëgimia jote për vendin. Ti ke mbaruar si kryeministër. De facto, ti e di fare mirë që qeveria jote ka mbaruar punë me shqiptarët.

Ndaj, teatrin e shëmtuar mund ta vazhdosh edhe pak kohë. Në fund të fundit, zgjedhja të takon ty dhe askujt tjetër nëse do ta pranosh rrëzimin e qeverisë tënde ilegjitime institucionalisht, ose me popullin përpara dhe rreth teje.