Shteti i rënë, qeveria e rënë de facto, narkoshteti i ulur këmbëkryq në jetën e përditshme të çdo shqiptari, janë shqetësimi më i madh i vendit, janë kauza kryesore e betejës opozitare.

Edi Rama është sot një kryeministër i rënë politikisht, i rënë moralisht, i rënë brenda vendit, i rënë jashtë vendit.

Çdokush e tregon me gisht, si njeriun që ideoi dhe zbatoi projektin e Shqipërisë, hambar droge.

Mjafton të shikoni analizën e Guardia di Finanzës. Në vitin 2013 – 300 parcela droge, në 2014 – 800 parcela droge, në 2015-1400 parcela droge dhe në 2016 – 2086 parcela droge të zbuluara vetëm nga Guardia di Finanza, e cila vrojton jo më shumë se 20% të territorit.

Këtë vit, që kultivimi i drogës nuk është i njëjti si në 2016-ën, Edi Rama bërtet “fitoren”.

Në fakt, nuk është as Edi Rama, as policia e korruptuar e Haki Çakos me shokë, përgjegjëse për këtë rënie të prodhimit, përgjegjëse për këtë rënie të prodhimit, siç e di çdo shqiptar dhe fakir fukarenjtë që i ka shtyrë dëshpërimi dhe mjerimi drejt këtij veprimi të paligjshëm, është çmimi.

Shkoni në Tepelenë. Më lirë do të blini kanabisin se sa çajin e malit.

50 deri në 80 Euro kilja e kanabisit. Sepse, mijëra tonelata kanabis të prodhuara kryesisht në vitin 2016, presin të trafikohen drejt Europës.

Trafikohen ditë për ditë, siç kapen ditë për ditë nga autoritetet italiane.

Prandaj, jemi në kushtet e një narko-republike e cila nuk ka më asnjë legjitimitet. Zgjidhja e vetme është largimi një orë e më parë e Edi Ramës, një qeveri anti-mafia, e cila të shkëpusë, të shembë, lidhjet e politikës me krimin.

Këtë nuk mund ta bëjë Edi Rama me marrëzirat që këput me “planet sekrete”. Planet kundër krimit gjithmonë janë sekrete. Kujt ia shet këto dëngla. Plan sekret që e di Edi Rama, nuk është plan kundër krimit. Prandaj, zgjidhja e vetme për vendin, jo thjesht për opozitën, për Partinë Demokratike, është largimi një orë e më parë i një njeriu të provuar katërcipërisht të lidhur me krimin.

Nuk ka shqiptar dhe nuk ka faktor perëndimor mos ta ketë të qartë përgjegjësinë politike të Edi Ramës për shndërrimin e Shqipërisë në një narko-shtet dhe kjo do të mjaftonte për çdo njeri, të jepte dorëheqjen.

Opozita do të vazhdojë betejën për largimin e tij dhe të qeverisë së tij dhe do të vazhdojë të zgjerojë koalicionin me çdo qytetar shqiptar dhe çdo faktor tjetër politik dhe jo politik për të realizuar një mision kombëtar, një imperativ kombëtar – largimin e Edi Ramës, një qeveri antimafia që të shembë lidhjen krimit me politikën, të realizojë reformën zgjedhore dhe sovrani të vendosë qeverisjen e ardhshme.

Pyetje: Keni një strategji për këtë zoti Basha, do të filloni protestat?

Basha: Kemi një strategji,e cila po shpaloset ditë pas dite, javë pas jave.

Pyetje: Do të ndërmerni ndonjë veprim konkret? Çfarë mekanizmi do të përdorni?

Basha: Kjo javë e cila ka nxjerrë në pah edhe një nga aspektet e shëmtuara, kriminale të kësaj qeverisjeje, siç është trafiku, apo transporti i parave kesh të trafikut të drogës, si ato që u kapën në Elbasan dhe u mbajtën të fshehta me urdhër të Edi Ramës, është një javë përballjeje totale të opozitës, sic e keni parë, sic ka filluar ditën e sotme në komisonet parlamentare dhe sic do të vazhdojë deri ditën e enjtë ne seancë plenare.

Pyetje: Kur do t’i bëni publike faktet e reja që keni z.Basha?

Basha: Faktet po bëhen publike dhe opozita është jashtëzakonisht e angazhuar së bashku me qytetarët, me punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit dhe cdo organ tjetër të paprekur dhe të pacënuar nga trafiku i drogës dhe natyrisht me partnerët tanë strategjikë.

Pyetje: Kur do të fillojë reforma zgjedhore?

Basha: Reforma zgjedhore do të fillojë atëherë kur vendi të ketë një qeveri antimafia, e cila në vend që të përdorë kriminelët dhe paratë e drogës për të blerë vota, t’i çojë ata para drejtësisë dhe ti lerë shqiptarët të vendosin të lirë me votën e tyre qeverisjen dhe qeverinë që dëshirojnë.

Pyetje: Ka një qëndrim Partia Demokratike lidhur me përfundimin  e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm?

Basha: Qëndrimi ynë është zbatimi pikë për pikë i Kushtetutës dhe i ligjeve dhe çdo hap për të vendosur kthetrat e narkomafias në organin e Prokurorisë do të përballet me një betejë totale politike nga ana e opozitës.

Pyetje: Ka një intepretim nga ana e Kryeprokurorit që mandati përfundon pas dy vitesh, bazuar në precedentin e Ina Ramës, ndërkohë që, edhe mbi faktin që mandati është 7 vite dhe jo 5 vite. Partia Demokratike, ka një qëndrim lidhur me këtë situatë? Socialistët mendojnë se z.Llalla ikën në Dhjetor.

Basha: Edi Rama ka hallin e Tahirit dhe hetimeve të tjera. Ka hallin e petëve që i kanë dalë lakrorit dhe nuk ka hall mandati. Dhe në funskion të ndalimit të hetimit, në funksion të mbrojtjes së Tahirit, që në fakt është mbrojtja e vetvetes, ai është gati t’i thotë dorës, këmbë, dhe këmbës, dorë. Ndërsa, në rastin konkret qëndrimi ynë është respekti i plotë për Kushtetutën dhe ligjet e paketës në drejtësi. Dhe nuk do të lejojmë asnjë keqintepretim në funksion të kapjes së Prokurorisë dhe presionit të vazhdueshëm ndaj prokurorëve për të ndalur hetimet e të paprekshmëve dhe në veçanti të peshqëve të mëdhenj.

Pyetje: Pra ju jeni për vazhdimin e mandatit?

Basha: Jo këtë po e thoni ju. Ne jemi për respektimin total të kushtetutës dhe në këtë kuadër njerëzit tanë në komisionin e ligjeve dhe ekspertët tanë do të hedhin hapat konkretë.