Të nderuar zotërinj,

 

Të nderuar qytetarë,

 

Përpjekjet e panumërta të Edi Ramës për të mbuluar me shoshë diellin e të vërtetës kanë vazhduar e do ta vazhdojnë deri sa ai, tashmë i rënë moralisht, politikisht dhe “de facto”, t’i dorëzohet edhe ligjërisht destinit që ka përcaktuar historia dhe qytetarët, largimi nga karrigia që ka uzurpuar me të padrejtë.

Aty ku ka korrupsion dhe krim, aty nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie. Aty ku kultivohet droga është e kotë të mbajmë interpelanca për karotën e Divjakës, se nuk ka as karota, as mollë, as patate. Aty ku sundon krimi nuk ka as ligj, as drejtësi.

Ky është mësimi i historisë në çdo kohë dhe për çdo popull. Gjithmonë, vendet që kanë rënë nën pushtetin e drogës janë zhytur pa përjashtim nën humnerën e varfërisë, mjerimit dhe dëshpërimit, nga Afganistani në Burmë, nga Laosi në Nigeri, nga Bolivia në Kolumbi kudo ku droga është lejuar si alternativë ekonomike, ka pasuar shkatërrim dhe mjerim ekonomik dhe shoqëror, degradim politik.

Droga dhe varfëria janë vëllezër siameze. Nuk është rastësi që Shqipëria është sot njëkohësisht edhe prodhuesi më i madh i drogës në Europë edhe vendi më i varfër në Europë.

Sapo Edi Rama filloi zbatimin e projektit të tij kriminal e shkatërrues për kanabizimin e vendit, në Shqipëri filloi rënia e investimeve të huaja.

Dy vitet e fundit Shqipëria ka vendosur një rekord historik. Eshtë i vetmi vend në botë që për dy vite rresht, nuk ka asnjë investim të huaj, asnjë. Ekonomia shqiptare u kthye nga një ekonomi e investimeve të mëdha në energji, në rrugë, në teknologji informacioni, në ekonomi të drogës.

 

E vetmja mundësi ekonomike që ka sot vendi është risia e klaneve mafioze të drogës dhe krimit.

I vetmi inovacion që ka prodhuar vendi në këto vite është inovacioni i trafikantëve që ka përsosur mjetet dhe mënyrat e kultivimit dhe trafikimit të drogës që nga farërat e reja të kanabisit deri tek përdorimi i avionëve dhe mjeteve të ndryshme të transportit për transportin dhe trafikun e saj.

E vetmja konkurencë sipërmarrjesh sot në Shqipëri është konkurenca mes bandave me mbështetje politike për kontrollin e rrugëve trafikut.

Në vend të investitorëve të huaj sot Shqipërinë e vizitojnë prokurorë të antimafias, ministra të brendshëm dhe ushtarakë të vendeve të tjera, të tmerruar nga pasoja ndërkombëtare e projektit të drogës të Edi Ramës.

Në fakt, Shqipëria po hyn në historinë e krimit botëror me një vend të veçantë. Historia njeh vetëm dy lloje regjimesh që sundimin e tyre e mbështetën ekskluzivisht tek kultivimi, prodhimi dhe trafikimi i drogës.

Talebanët me heroinën në Afganistan dhe Edi Ramën me marijuanën në Shqipëri.

Eshtë konfirmimi i kësaj veçantie fakti që Shqipëria dhe Afganistani janë sot dy furnizuesit kryesor të drogës në Europë dhe për Europën, Afganistani me heroinën dhe Shqipëria me marijuanën.

Edi Rama erdhi në pushtet si rilindas dhe po ikën si taleban.

Shqipëria e Edi Ramës po i ngjan më shumë shteteve të falimentuara të Afrikës dhe Azisë. Vetëm në një vend si Gunea mund të ndodh që familja e të parit të vendit të drejtojë trafikun e drogës.

Vetëm në një vend si Nikaragua mund të ndodhë që kreu i qeverisë të financojnë fushatën e tij elektorale drejtpërdrejtë me milionat e drogës.

Vetëm në Afrikën e Jugut ndodh që ministri i Policisë të jetë edhe i pari i trafikut të drogës. Vetëm në Venezuelë mund të ndodhë që shefi i mbrojtjes të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë i baronëve të drogës.

Vetëm në Afganistan mund të ndodhë që vëllai i kreut të ekzekutivit të vendit të jetë edhe trafikanti më i madh i drogës.

Në mënyrë revoltuese, Shqipëria i ka arritur të gjitha këto bashkë. Parti politike, qeveri, polici, ushtri në shërbim dhe në përfitim nga trafikimi i drogës.

Prokurori i famshëm i antimafias së Spanjës Hose Gonzales, duke përshkruar disa nga stanet e ish-republikave sovjetike të kalbëzuara nga autokracitë postkomuniste, u shpreh para pak kohësh se në këto vende nuk kanë më asnjë dallim mes aktiviteteve të qeverise dhe atyre të grupeve  të krimit të organizuar.

Kjo është gjendja e Shqipërisë sot.

Mjafton të hedhësh vështrimin në këtë sallë dhe e kupton se përshkrimi i prokurorit të antimafias spanjolle është mëse i vërtetë për Shqipërinë.

Kjo sallë që duhet të përfaqësonte interesat dhe pushtetin e popullit, sot përfaqëson dhe mbron interesat e krimit të organizuar.

Në vend të një forumi ku bëhen ligje, kjo sallë i ngjet kupolës së krimit.

Në krye të sallës kemi një kryetar Kuvendi, i cili cilësohet nga partnerët ndërkombëtarë strategjikë si me lidhje të hershme me trafikantët e drogës dhe krimit të organizuar. Në vend të babait të ligjeve, ai është babai i drogës.

Në karriken para tij është ulur arkitekti dhe zbatuesi i projektit antikombëtar dhe antipopullor të kthimit të vendit në zonë të lirë për prodhimin dhe trafikun e drogës.

Poshtë në sallë kemi një deputet, ish-ministër i brendshëm që është një nga kryetrafikantët e drogës, i cili e ktheu policinë në prapavijë të organizatave kriminale.

Vendin e  tij, në karriken e ministrit e ka zënë vëllai i njërit prej trafikantëve më të kërkuar të drogës që ka nxjerrë ky vend, i kërkuar nga gjysma e policive të botës, por që e mbulon dhe e mbron vëllai, Ministri i Brendshëm që kontrollon policinë dhe drejtësinë.

Në ato karrike është ulur dhe ministri që e ktheu Beratin nga qytet të UNESCO-s,  në garnizon të kriminelëve të drogës.

Në këtë sallë ka madje dhe deputetë që kanë ardhur direkt nga fushat e drogës në fushën e ligjvënies.

E dini fare mire, por përvec këtyre që shihen e dëgjohen në këtë sallë vijnë vërdallë hijet e krimit, hijet e Habilajve, hijet e Balilajve, hijet e Shullazit, Durim Keçit dhe kriminelëve të tjerë.

Jashtë kësaj salle kemi kryebashkiakun e Durrësit, tani është kapobanda  e vërtetë e bandave të Durrësit.

Kemi kryebashkiakun e Elbasanit që është vetë në krye të krimit dhe trafikut të drogës që po shkatërron qytetin dhe po ashtu, të tillë janë dhjetra kryetarë bashkish e zyrtarë të tjerë të lartë.

Kjo është klasa e re politike që Edi Rama i dha Shqipërisë në krye të Partisë Socialiste.

Ndikimi i krimit i prek të gjithë. Krimi nuk ekziston në vakum.

Viktima e tij janë njerëzit e thjeshtë dhe fëmijët e tyre punëtorë, në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat.

Kjo është arsyeja pse shqiptarët po përpiqen të largohen nga vendi i tyre, me të njëjtën urgjencë dhe këmbëngulje që largohen njerëzit nga luftërat civile dhe nga konflikti.

Droga dhe krimi shkaktojnë viktima njësoj.

Por Edi Rama dhe shërbëtorët e këtij në këtë sallë, po përpiqen me lajle-lulet e propagandës së tyre dhe me paturpësinë që kalon çdo limit njerëzor, të krijojnë idenë se gjërat po shkojnë normalisht. Të pranosh për normalitet gjendjen ku ne jemi do të thotë të kesh pranuar si normalitet krimin dhe kapjen e shtetit nga krimi.

Javën e shkuar Edi Rama dhe shërbëtorët e tij, vendosën që Sajmir Tahiri të vazhdojë të vijë në këtë sallë dhe të japë kontributin e tij për shtetin ligjor dhe madje edhe për reformën në drejtësi dhe pse jo dhe për Vettingun.

A ka tallje më të madhe për një popull? A ka tallje më të madhe për idealin e demokracisë të shtetit të së drejtës dhe të vlerave europiane?

Në cilin vend demokratik, në cilin vend perëndimor mund të ndodhë që një trafikant në vend që të dalë para ligjit, lejohet të bëjë ligj.

Në asnjë!

2 mijë e 500 vjet më pare, në këtë zonë të botës ku është dhe Shqipëria, lindi demokracia e bashkë me të edhe ajo që Tuqididi e quajti “barazia para ligjit”.

Ky parim i ligjit i zbatuar njësoj për të gjithë, frymëzoi demokracitë perëndimore nga Amerika në çdo cep të botës, dhe u vendos në themel të kushtetutave dhe bashkëjetesës shoqërore të kësaj bote.

Po ky parim është i huaj dhe i papranueshëm për Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij në këtë sallë të cilët në vend të vlerave europiane besojnë në kodin mafioz të heshtjes dhe mospranimit të tij.

Si në një skenë të përsëritur nga lashtësia deri më sot nga autokratët, edhe Edi Rama po abuzon me durimin e shqiptarëve.

Alarmi dhe pasiguria e njerëzve, ankthi dhe dëshpërimi i tyre për të nesërmen nuk kanë asnjë efekt mbi të dhe shërbëtorët e tij.

Vazhdon të sfidojë shqiptarët, demokracinë, drejtësinë, të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Nuk ka gjë më të neveritshme dhe më cinike se krekosja që ish-ministri, trafikant droge shpalos para tyre drejtpërdrejt nga shtëpia e tij.

Trafikanti Sajmir Tahiri u thotë atyre me arrogancë, unë jam ligji, unë jam shteti dhe s’keni çfarë të më bëni.

Këto ditë më shumë se kurrë, Edi Rama, Sajmir Tahiri, Fatmir Xhafaj dhe shërbëtorët e tyre të verbër në këtë sallë e kanë vërtetuar konkluzionin e Hoze Gonzalesit, se lufta kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit të drogës, nuk ka të bëjë më me drogën, por ka të bëjë me qeverinë.

Për të ndalur krimin, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç se, ndalja e qeveritarëve të kapur nga krimi dhe të zhytur në krim.

Ky është misioni ynë!

Kjo është beteja jonë, nuk do t’i ikni dot, derisa beteja të vendoset në favor të qytetarëve!