Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha replikoi disa herë me Edi Ramën në Parlament për të denoncuar buxhetin si shërbim për pastrimin e parave të pista të krimit e drogës dhe si shërbim për oligarkët.

“Pas çdo politike gjoja publike, qëndron një projekt i PPP-së, i Pastrimit të Parave të Pista të Edi Ramës. Kapja e ekonomisë nga paratë e krimit, do të sjellë dy përfitime jetike, ekzistenciale për Edi Ramën.”- tha Basha.

Kryetari i PD analizoi përfitimet e Ramës nga kjo strategji.

“Përfitimi i parë është politik. Vota dhe pushtet. Nga studimi i financuar nga Bashkimi Europian del se të paktën 20% e shqiptarëve pohojnë se u janë ofruar para për votën. E vërteta është se përqindja është shumë herë me lartë.

Përfitimi i dytë i parasë së pistë, është ekonomik. Paraja e pistë, është e vetmja shpresë, i vetmi projekt që Edi Rama ka, për të mbushur shkretëtirën ekonomike që i ka sjellë vendit, sidomos tani që investimet e siguruara nga qeveria demokratike, po shkojnë drejt fundit.

Qëllimi i Edi Ramës është pêrqêndrimi i ekonomisë dhe pushtetit në pak njerëz, të lidhur direkt me Edi Ramën. Në këtë mënyrë ai përcakton kush fiton dhe kush humbet. Ai, jo tregu, as konkurenca e ndershme.

Është modeli ku kryeministri ulet në makina private me oligarkë dhe ndan Shqipërinë mes tyre, duke marrë përqindjen e vetë të fitimit duke siguruar bindjen e plotë ndaj tij.”

 

Basha u shpreh se “Qeverisja e Edi Ramës është provuar si një konspiracion kundër njerëzve.

Çmontimi i saj ka nisur. Por do të kërkojë energji edhe pak kohë. Një gjë është e sigurtë.

Do të rrëzohet si diçka antipopullore, antihistorike dhe antikombëtare.”

 

Në replikën e dytë me Edi Ramën, Kryetari i PD, Lulzim Basha, vuri në dukje heshtjen e kryeministrit për aferën korruptive të3 inceneratorëve.

“Edi Rama nuk tha asnjë fjalë per 400 milionë eurot e inceneratorëve. 70 milionë euro për Elbasanin dhe Fierin në 7 vjet dhe 30 vjet Tiranën me 10 milionë euro në vit. Sa herë është në vështirësi, Edi Rama sulmon opozitën me fjalor rruge dhe përdor emra biznesmenesh, që të mos flasë per Klement Balilaj, Habilajt, për paratë dhe patentat  e Saimir Tahirit.”

 

Basha i ktheu përgjigje Ramës edhe për akuzat per lidhje me oligarkët.

“Biznesmenët që përmendi sot dhe herën e kaluar kanë mjaftueshëm para për të marrë avokatë më të mirë se ty, nëqoftëse kanë nevojë për avokat. Dhe, nëse shkelin ligjin, nëse pastrojnë paratë e drogës, duhet të kenë nevojë për avokat, kushdo qoftë! Lulzim Basha nuk ka bere kurrë pakte me oligarkët. Kur drejtoja Bashkinë e  Tiranës nuk kishte kurrë tender me 1 ofertues, si inceneratori i Elbasanit. Më 16 shpallet fitues më 17 i lidhet kontrata. Njësoj edhe në Fier. 4.5 milionë euro paradhënie. Këta kanë një pronar të vetëm, qe Edi Rama e njeh shumë mirë, sepse ai është fasada pas te cilës qëndrom Rama dhe Arben Ahmetaj. Prandaj nxirren nga buxheti 400 milionë euro, që janë shtim borxhi për shqiptarët, nëpërmjet një vjedhjeve të hapur”.

 

Basha tregoi dokumentat, që faktojnë detaje sesi Rama ka favorizuar pronarin e vetëm të 3 inceneratorëve.

“Edi Rama nuk jep përgjigje si ka mundësi që më 16 gusht shpallet fituesi për inceneratorin dhe më 17 gusht i lidh kontratën dhe i bën edhe parapagesën. Edi Rama nuk jep përgjigje pse lejoi që Shqipëria të mbushet me drogë, por thotë së do të luftojë drogën dhe ngjan me klientin e Abraham Linkolnit, që pasi kishte vrarë babain dhe nënën, shkoi dhe u tha gjyqtarëve, “Kam vrarë babën dhe nënën, mëshirë se jam jetim”.

 

Basha iu përgjigj Ramës edhe për diversionin e tij me PD.

“Problemi i vendit nuk është opozita, por se Edi Rama ka krimin aleat politik dhe ekonomik. Problemi i vendit nuk është as kryetari i opozitës dhe as mënyra se si drejtoj unë Partinë Demokratike, që ndryshe nga Rama, kam kurajon ta them dhe ta pranoj, me të mirat dhe gabimet e mia. Të reflektoj para demokratëve dhe jo para teje. Se Partia Demokratike, ka qenë dhe mbetet partia e vlerave.

E vetmja parti që s’ka pakt me krimin, që nuk bleu vota dhe që mbetet e vetmja shpresë për shqiptarët për të nxjerrë vendin nga kriza.”

 

Basha tha se “Shqipëria është një vend i vogël ekonomia formale e të cilit është vetëm 10 miliardë euro, buxheti është tek  4 miliardë. Kur Edi Rama fut dorën dhe peshkon 100, 200, 300, 400 milionë euro me një grusht njerëzish me të cilët ndan këto para shkatërron jo thjesht ekuilibrat e ekonomisë, por qindra mijëra vende pune, që prekin me mijëra prindër dhe fëmijë. Shqiptarë ky nuk është teatër. Por edhe mëse e shikoji si shfaqje per shkak se kryeministri sillet si klloun, duhet ta dini se bileta është shumë e shtrenjtë!  Vetëm ajo e inceneratorëve është 400 milionë euro. Kujtojeni këtë sa herë që Edi Rama del më foltore dhe përpiqet t’ju bëjë për të qeshur! Është për të qarë, është për të uluritur, është për t’u bashkuar, është për të marrë një vendim të madh dhe për të filluar një Shqipëri europiane, demokratike, të konkurrencës dhe të mundësive pa krimin, pa drogën dhe pa Edi Ramën”!

 

Në replikën e tretë me Edi Ramën, Kryetari PD llogariti koston për 3 inceneratorët në bazë të kontratave me qeverinë.

“Inceneratori i Elbasanit do të ndërtohet në 7 vjet dhe sipas kontratës së Ramës do të paguhet çdo vit 7 milionë dollarë, pra gjithsej 49 milionë euro.

Incerenatori i Fierit do të ndërtohet në 6 vjet dhe do të paguhet çdo vit nga 6 milionë euro, në total 36 milionë euro.

Të dy inceneratorët do të paguhen nga buxheti 85 milionë dollarë.

Në Tiranë inceneratori është për 30 vjet, nga 2018- 2047, do të paguhet 10 milionë dollarë më vit, që bëjnë 300 milionë.”

 

Basha ironizoi Ramën, i cili ishte ofruar të jepte dorëheqje, ose Basha të bënte të njejtën gjë, nëse i provonte akuzat për koston 400 milionë të inceneratorëve.

“Ndjesë se nuk qenkan 400 por qenkan 350 milionë euro, duke llogaritur edhe kursin e këmbimot. Nuk do të zhvasësh 400 milionë, por do të zhvatësh 350 milionë! Të kërkoj ndjesë Edi Rama që të akuzova që po bëhesh gati që me një kompani të vetme, që një ditë pasi fiton tenderin i lidhet kontrata me VKM dhe i bëhet parapagesa, me një person të vetëm ti bën 3 projekte me të cilat do t’u marrësh shqiptarëve 350 milionë euro dhe jo 400 milionë, sa të thashë në fillim. “

 

Lulzim Basha u shpreh se në 4 vjet, sipas gjetjeve të KLSH-së, Edi Rama ka abuzuar 4 miliardë euro nga buxheti. “E vërteta është se buxheti i shtetit është lopa që ndan me krimin dhe ortakëria me  oligarkët. Ndërsa

30% e shqiptarëve nuk do të blejnë dot pa hyrë në borxh mallrat e shportës, që do të thotë bukën, vajin, sheqerin dhe 30% e të tjerëve nuk do të paguajnë dot qiratë.”

 

Basha tha se “Qëllimi i PD është t’u japë shqiptarëve mesazhin se pa e ndalur këtë instrument e keqja do të vazhdojë të thellohet. Për këtë nuk mjafton vetëm zëri ynë, nuk mjafton vetëm qëndresa jonë në këtë parlament”

 

Kryetari i PD kishte një apel për shqiptarët, kur tha se “duhet një bashkim i madh dhe kjo është thirrja që unë i drejtoj edhe sot nga kjo foltore çdo  shqiptari: Merrni në dorë fatet tuaja! Mos ia lini në dorë Edi Ramës! Kjo qeveri ka vdekur “de facto”, ka mbaruar politikisht dhe moralisht para shqiptarëve dhe gjithë botës.

Merrni në dorë fatet tuaja!”

 

Oferta politike e Bashës është:

Qeveri antimafia, reformë zgjedhore, legjitimitet i vërtetë përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Loja e Ramës ku është vetë lojatari dhe vetë gjyqtari nuk mundet të vazhdojë gjatë dhe nuk do të vazhdojë gjatë.”

 

Lulzim Basha pati edhe një replikë të tjetër më Edi Ramën.

 

“Batutat bajate të Edi Ramës tregojnë një fakt. Lodra në duart e Edi Ramës nuk është lodër, është Shqipëria. Sot ka një imperativ kombëtar: t’ia heqim këtë lodër nga duart. Shqipëria nuk mund të jetë kurrë lodra e tij. Për ta bërë këtë mjafton të jemi bashkë e të jemi të vendosur. E vetmja që i duhet të keqes të triumfojë është indiferenca e të mirës. i bëj thirrje çdo shqiptari dhe socialisti të ndershëm, mos rrini indiferentë! Buxheti nuk është i Edi Ramës, është i juaji, janë pará që do të dalin nga xhepat tuaj, por jo për t’u rikthyer në shërbime për ju, por në 350 milionë euro për një person të vetëm që është pronar i 3 inceneratorëve.”

 

Basha tregoi rrugën për zgjidhje.

“Që e keqja që i vjen vendit dhe shqiptarëve nga Edi Rama të marrë fund, ne duhet të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat nuk mund të ndodhin, sa kohë në krye të vendit është Edi Rama, që ka frikë nga vota e lirë. E vetmja ndihmë që pres nga Edi Rama është hapja rrugë për vendin nëpërmjet zgjidhjes politike: nje qeveri antimafia dhe reformës së vërtetë zgjedhore. Por kjo nuk duhet lënë në dëshirën dhe vullnetin e Edi Ramës. Ky është një imperativ politik dhe kombëtar që duhet të jetë në duar të shqiptarëve, natyrisht me PD dhe opozitën në krye të kësaj përballjeje për të ardhmen dhe Shqipërinë europiane.”​