Pyetje: Z. Basha si i komentoni deklaratat e ministrit të Brendshëm z.Fatmir Xhafaj, sot?

Basha: Solidaritet i kupolës mafioze. Fatmir Xhafa është në konflikt interesi. Vepra e parë dhe e fundit që ai duhej të bënte si Ministër i Brendshëm, para se të jepte dorëheqjen, duhet të ishte arrestimi i vëllait, i cili kërkohet nga autoritetet italiane prej më shumë se një dekade si trafikant i dënuar i kokainës.

Fatmir Xhafa është në konflikt të pastër interesi, ai nuk mund të rrijë asnjë ditë më si Ministër i Brendshëm. Por, Fatmir Xhafaj është një nga levat që Edi Rama po përdor për të bërë presion ndaj Prokurorisë dhe për të zbatuar paktin e tij, paktin Rama-Tahiri, ku Tahiri t’ia hedhë me sa më pak kosto, me qëllim që të mos dekonspirojë dosjet e tmerrshme që lidhin Edi Ramës personalisht  dhe familjarisht me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, në veçanti, trafikun e kokainës.

Opozita është në kontakt të vazhdueshëm dhe ka informacione të besueshme të cilat shpresojmë dhe besojmë se do ti vihen në dispozicion publikut shumë shpejt. Por, thirrja ime ndaj Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës, sot është; të japin menjëherë dorëheqjen, të largohen dhe t’i lënë vendin një qeverie anti-mafia, e cila është e vetmja garanci që lufta kundër krimit të zhvillohet në përputhje të plotë jo vetëm me ligjin por me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.

Këta janë të zhytur në krim. Këta janë të kapur nga krimi. Këta e kanë përdorur krimin dhe janë përdorur nga krimi.

Kanë marrë miliona euro, rryshfete dhe dhurata për fushata elektorale dhe i kanë venë në dispozicion krimit, portet, aeroportet, policinë, qendrën operative të radarëve dhe çdo mundësi tjetër.

Ky është një narko-shtet dhe kjo është një kupolë mafioze.

Ndaj, deklarata e sotme e Fatmir Xhafës nuk është gjë tjetër veçse solidaritet i kupolës mafioze. Asgjë nuk do të ndryshojë pa ndryshuar drejtimin e vendit, pa larguar këtë kupolë mafioze.

Ky do të jetë vazhdojë të jetë një narko-shtet që i trajton shqiptarët si skllevër për hesap të një grushti kriminelësh, një grushti politikanësh të bërë bashkë. Janë bashkë të zhytur në krim.

Ndaj thirrja ime është për largimin e tyre të menjëhershëm nga detyra dhe për hapjen rrugë, të një procesi që do të vërë para drejtësisë kokat e mëdha, peshqit e mëdhenj të krimit të organizuar, të cilët sot janë në kabinet dhe në karriget qeveritare.