Shqiptarët janë me të drejtë të mërzitur nga ky Kuvend. Sepse ky Kuvend ka 4 vite që është skenë e një fenomeni psikik. I një njeriu që karakterizohet jo thjesht dhe vetëm nga mungesa totale e përgjegjshmërisë politike por edhe asaj njerëzore. Sot duhej të flisnim për zgjedhjet, sot duhet të flisnim për problemin numër një zgjedhjeve që është shit-blerja e votës. Për mekanizmin se si blihet vota e shqiptarëve, se si dhunohet vota e shqiptarëve, që është krimi i organizuar.

Faktet, provat e lidhjes së Edi Ramës me krimin e organizuar janë botërisht dhe mediatikisht të njohura. Ky nuk i ikën dot me argumente dhe ka zgjedhur të bëjë atë që bëri edhe në zgjedhjet e fundit, batuta, tallje, dërdëllitje, dokrra hini. Vetëm llogaridhënie jo.

Në fakt nuk ua ka borxh shqiptarëve se nuk është aty me votën tuaj. Eshtë me mbështetjen e atyre, pa të cilët, ky njeri nuk është asgjë, është me mbështetjen e krimit të organizuar. Partnerët ndërkombëtarë i kërkojnë luftë krimit. Unë u them partnerëve ndërkombëtarë, nuk e bën dot. Peshqit e mëdhenj nuk i kap dot peshku më i madh.

Kur ai që duhet të kapë peshqit e mëdhenj, kur vetë peshkatari, është peshku më i madh, nuk ka shpresë të bëjë atë që kërkoni ju, atë për të cilin ka më shumë se kurrë nevojë Shqipëria. Sepse numri një, në atë listë, është vetë ky njeri.

Nuk e kapën prej xhakete, i gjeti ky, i gërmoi, i bëri pjesë të partisë së tij, i bëri deputetë në këtë Kuvend, i bëri kryetarë bashkish, i ka drejtorë në administratë. Janë njerëzit që bëjnë emërimet, nuk pyesin as për ty që qesh. Ti e di fare mirë. Për emërimet, për tenderat, për ministrat.

Qesh ti aty, se si duket s’e ke bandën aq të fortë sa këta këtu. Prandaj qesh, prandaj s’je ministër.

Unë në fakt këtë s’e kisha drejtuar tek ti, (për Arben Ahmetajn) por ti je një nga kryesorët se ti nuk punon me një apo me dy, ti punon me katër banda.

Je i skeduar po, po. Qesh. Edhe paratë e dimë se ku i ke çuar. Do të vijë dita shumë shpejt, se vonon dot. Këtu do të jemi, edhe unë, edhe ti, do ta shohim fatin tënd. Ti e disa të tjerë prej këtu. Nuk do të shpëtosh dot kësaj radhe, siç shpëtove herën e kaluar.

Tani, ti heq emrin e Durim Keçit nga Interpoli, drekon me të dhe më thua që të mbaj përgjegjësi. Po si të mbaj unë përgjegjësi?

Ti’ ia jep bandave të Durrësit OSHEE-në, dhe kërkon të mbaj unë përgjegjësi. Po s’i ta bëj unë këtë?!

Ti bllokon integrimin prej krimit dhe drogës dhe më thua të mbaj përgjegjësi. Çfarë përgjegjësie të mbaj unë kur ti e ke bërë këtë?!

Ti u jep strehë dhe pushtet bandave dhe më thua mua të mbaj përgjegjësi.

Ti po largon mijëra shqiptarë çdo muaj drejt Europës, refugjatë, dhe më thua mua, ti mbaj përgjegjësitë.

Nuk ka institucion dhe media nga Brukseli në Uashington që të mos deklarojë se i ke kthyer 28 mijë kilometër katrorë në një serë gjigante droge, dhe ti më thua mua, mbaj përgjegjësi.

Ti ke rritur taksat.

Ti ke varfëruar vendin.

Ti ke monopolizuar ekonominë.

Ti ke rritur çmimet e konsumit.

Ti ke mbyllur bizneset i ke nxjerrë shqiptarët në rrugë, ke rritur varfërinë dhe papunësinë. Dhe më thua mua mbaj përgjegjësi.

Njerëzit e tu vjedhin nga mëngjesi deri në darkë me prokurimet publike, me koncesionet e fëlliqura, skema të reja të korrupsionit. Ta thotë FMN-ja, ta thonë institucionet partnere: korrupsioni galopant të thotë Departamenti i Shtetit.

Ti më thua pse s’mban përgjegjësi.

Ti shkatërron dhe rrënon çdo shans të një njeriu të ndershëm për të ecur përpara. Sepse ti godet meritën dhe promovon krimin, hajdutërinë, hipokrizinë. Dhe më thua mua mbaj përgjegjësi.

Ti flet për pastrimin e parave si sukses tëndin. Po mallkuar qoftë Departamenti i Shtetit që thotë se je prapë në listën e zezë për pastrimin e parave. Apo e bëj unë raportin e Departamentit të Shtetit?!

20 familje kriminale, katër klane kriminale.

Ta thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, ta ka thënë përpara dhe nëse kam një vërejtje për Ambasadorin Lu, është që e hapi gojën pas zgjedhjeve. Por më mirë vonë se kurrë.

Por ti nuk je zgjidhja, ti je problemi.

Unë për këtë luftoj, që të mos vij të flas këtu për krimin. Unë luftoj, Partia Demokratike dhe kushdo që është i mirëpritur t’i bashkohet kësaj beteje, që të vijë dita, të mos flasim për krimin, të mos flasim më për drogën, por kjo do të ndodhë kur ti të mos jesh më në atë karrike, vetëm atëherë mund t’u kthehemi halleve dhe problemeve të përditshme të shqiptarëve për t’i ndihmuar dhe jo për t’i luftuar ata. Me vepra dhe jo me fjalë. Me taksa të ulëta, me investime publike që ndihmojnë ekonominë dhe nuk mbushin xhepat e miqve të tu, me luftë të vërtetë kundër krimit që i hap rrugën integrimit europian të vendit, me pullën fiskale për biznesin e vogël, me kufirin 12 milionë lek të reja pa TVSH, që edhe faturat të kalojnë nga biznesi i madh tek biznesi i vogël, nga njëra anë, por nga ana tjetër, të mos shërbejë për t’i shtypur kokën 80 mijë bizneseve 280 mijë shqiptarëve që mbajnë frymën gjallë me atë, për një arsim ku librat e fëmijëve që nga viti i ardhshëm, pa ty aty, mund të paguhen nga buxheti i shtetit me paratë që ti i bën rrush e kumbulla me chartera, me luks zyrash.

Me bujqësi të mbështetur nga buxheti i shtetit siç e mbështet çdo vend. Edhe Kosova, vendi më i ri në Ballkan. Vetëm ti nuk i mbështet. U thua, merrni kredi, pasi i ke rrënuar. Për të gjitha këto do të flasim, por kushti është që të mos flasim më për krimin. Dhe që të mos flasim më për krimin, ti nuk mund të jesh më në atë karrike. Sa kohë të jesh ti në atë karrike, krimi është aty dhe nuk ka temë më të rëndësishme se sa lufta dhe mposhtja e krimit.

Partnerët ndërkombëtarë e kanë dëgjuar edhe kritikën time, pavarësisht se me vonesë. Kritika ime ishte e drejtë se për shkak të pakujdesisë, mungesës së vëmendjes dhe të ndonjë rasti korrupsioni që ti e ushtron me zhage dhe me llogari bankare, vinin këtu dhe na flisnin për farëra, për peshq dhe për zogj, por vetëm drogën nuk e shikonin.

Dhe natyrisht, për një sjellje të tillë, nuk ka shprehje më të përshtatshme në anglisht se sa: Bullshit.

But bullshit is over.

Komuniteti ndërkombëtar  të ka në rreth të kuq. Ti e ke mbuluar Shqipërinë me drogë. Ky është një projekt politik për të sunduar me bandat e krimit. Laku sa ka filluar të të ngushtohet. Ata do të bëjnë punë e tyre, ti do të bësh punën tënde.

Nuk është në dorë të tyre, për fat të mirë nuk është as në dorën tënde, as të pakicës, pakicës së kriminelëve, me të cilët qeveris.

Eshtë në dorën e shumicës së heshtur të shqiptarëve që të mos marrin rrugën për në aeroport, por të marrin rrugën nëpër sheshe, të marrin rrugën për në këtë parlament, të marrin rrugën për atë seli qeverie aty, dhe të mos qëndrojmë në çadër të lirisë, por të të marrin përpara, ty dhe klikën tënde të inkriminuar. Kjo është zgjidhja e vetme. Ti ke mundësi ta ndalosh këtë, ta kam thënë që në seancën e parë.

Por ti nuk ke vullnet ta bësh.

Shkarko Gramoz Rucin. E ke në komunikime zyrtare si lidhje të krimit të organizuar. Shkarko Fatmir Xhafën dhe arresto të vëllain e tij, të kërkuar nga Interpoli për drogë.

Qeshni, qeshni se e tregon fytyra juaj se sa ju bëhet vonë për Shqipërinë.

Eshtë Agron Xhafa i kërkuar nga Interpol? Eshtë i dënuar nga Gjykata Supreme italiane për trafik kokaine? Po apo jo? Shqiptarët e dinë. Ju qeshni se nuk ju bën përshtypje. Ju jetoni me këtë realitet të ndyrë dhe për ju, ky është normaliteti. Realiteti malinj. Keni krijuar një realitet malinj dhe krekoseni si gjeli në majë të plehut. Shkarkoje Fatmir Xhafën, arrestoje vëllain e Fatmir Xhafës, arrestoji Qazim Sejdinin dhe Vangjush Dakon se ke prova, i ke aty, kapicë.

Bëj publike listën e Interpol-it edhe ata që nuk i fut ti në sistem, si Durim Keçin deri para një jave. E fute vetëm kur u nise për tek Gentilloni. Gjysma e atyre që kërkon Interpoli që i ke në Shqipëri, po të arrestohen, Shqipëria bie në paqe.

Problemi është se Shqipëria bie në paqe, por ti bie nga karrikja në rastin më të mirë.

Prandja nuk i bën dot ti këto.

Nuk kam asgjë personale me ty unë. Çdo minutë e harxhuar me ty personalisht është një minutë e humbur e jetës sime. Shqipëria është problemi im, fati i shqiptarëve është problemi im.

Dhe unë e di që ti s’i bën dot këto, nuk ke as vullnet, as dëshirë, as aftësi, as mundësinë, të mungon çdo element që do të bënte të mundur  të kryeje detyrën që ke zaptuar dhe uzurpuar me votat e krimit. Ndaj, zgjidhja e vetme është largimi yt. Sa më shpejt ta kuptosh, aq më e ulët kostoja dhe fatura që vazhdojnë të paguajnë shqiptarët çdo ditë.

Kjo opozitë nuk është këtu sot as nuk do të jetë kurrë këtu për të të englendisur ty me batutat e tua bajate që nuk janë gjë tjetër, vec shprehje e ankthit dhe tmerrit që të ka kapur, kur nuk i përgjigjesh dot përgjegjësive për vendin e zhytur në krim, për ekonominë e rrëzuar dhe për shqiptarët që po largohen.

Dhe ke zgjedhur që të bësh shfaqje këtu si të jesh një artist cirku, edhe po të ishte ky cirk, ndoshta dikush edhe mund të priste ndonjë biletë për të të parë, ty edhe arushët.

Por ky nuk është cirk dhe fatkeqësisht ti je ulur aty me përgjegjësitë e kryeministrit të vendit. Ti je përgjegjësi, askush tjetër.

Dhe ne do të të mbajmë përgjegjës, deri në ditën kur të të rrëzojmë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe ardhtë kjo ditë, një orë e më parë.