Tema kryesore e mbledhjes së grupit parlamentar ka qenë reforma zgjedhore. Zoti Bylykbashi ka paraqitur draft strategjinë e Partisë Demokratike e cila përmblidhet në një aksion politik, dekriminalizimi i zgjedhjeve.

Dekriminalizimi i zgjedhjeve dhe mbështetja totale për votën e emigrantëve si propozim i kahershëm i Partisë Demokratike. Po mbushen 8 vite që PD ka propozuar votën e emigrantëve.

Janë dy pra shtyllat kryesore të reformës zgjedhore: Dekriminalizimi i zgjedhjeve- vota e emigrantëve.

Çështja e dytë që kemi diskutuar me prioritet, ka qenë amendamenti që do t’i përcillet Kuvendit për financimin nga buxheti i shtetit të gjithë librave të shkollës për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Çështja e tretë ka të bëjë me disa ligje të propozuara nga mazhoranca, që synojnë përkeqësimin e kontrollit të qeverisë në sektorin e noterëve publik në funksion të aleancës së krimit politik dhe roli që ka kupola politike në këtë bashkëpunim mafioz. Kemi diskutuar një sërë çështjesh të tjera, që do të trajtohen në komisione. Pra, puna në komisione do të vazhdojë dhe këtë javë dhe padyshim edhe qendrimet tona në këto komisione dhe në seancën plenare të javës së ardhshme, beteja jonë për shkëputjen e lidhjes krim- shtet, do të vazhdojë. Ne ju ftojmë edhe një herë të gjithë ju, mediat në veçanti, gazetarët e ndershëm dhe kurajozë shqiptarë të mos jepen para presionit të gjithanshëm që e dime, është i pranishëm në aktivitetin tuaj. Vetëm te enjten e kaluar një nga gazetarët kurajozë, Artan Hoxha bëri me dije se pas arrestimit të Durim Kecit, persona me imunitet janë paraqitur në komisariatin e policisë për t’i ushtruar presion politik policisë.

Në dijeninë tonë, bëhet fjalë për kryetarin e bashkisë së Durrësit dhe përfituesin direkt të bandave të Durrësit, Vangjush Dako, dhe të paktën një deputet të PS . Këto janë prova dhe fakte që flasin qartë se krimi i organizuar shqiptar dhe mafia shqiptare, kanë te kjo qeveri dhe te ky kryeministër, një mbrojtës dhe një promovues të interesave të tyre. Beteja më jetike e shtetit shqiptar, për shoqërinë shqiptare, për familjet shqiptare dhe për shqiptarët e thjeshtë dhe të zakonshëm, është beteja për të larguar nga karriket e pushtetit ata që janë bërë njësh me krimin e organizuar, kryeministrin Rama dhe mashat e tij në pushtet.

Së fundmi, do të doja t’i jepja një përgjigje për çoroditjen totale dhe panikun që e ka kapur për çështjen e TVSH. Në këtë çoroditje, çekuilibrim total, nuk e di se çfarë thotë. I referohet statusit të një deputeti që e ka çorientuar në fakt akoma dhe më keq. Pretendon që PD ndihmon oligarkët, duke propozuar çfarë? Që biznesi i vogël të mbetet jashtë skemës së TVSH. Ku është ndihma këtu për oligarkët?

Oligarkët po i ndihmon ai që në emër të oligarkisë dhe të interesave të tyre, dëshiron të zhvendosë barrën e TVSH-së tek ata që mezi mbajnë frymën gjallë, tek biznesi i vogël.

I kam bërë, dhe ia përsëris thirrjen, që të tregojë se sa kontribuojnë oligarkët të cilët rrinë me të nga mëngjesi në darkë, me të cilët ndan interesat në të gjithë sektorët jetikë të vendit. Sa kontribuojnë ata? Sa taksa paguajnë oligarkët shqiptarë në buxhetin e shtetit?

Nuk kam marrë përgjigje pse Edi Rama mbron dhe promovon interesat e këtyre oligarkëve, një grushti njerëzish të cilët kanë shtënë në dorë të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare.

Propozimi ynë është i thjeshtë: biznes i vogël të konsiderohet çdo biznes nën nivelin 12 milionë lekë të reja xhiro në vit.

Biznesi i vogël të mos paguajë TVSH, por duke përfshirë biznesin nën fashën 12 milionë lekë do të rritet lufta kundër informalitetit, do të rritet formalizimi i ekonomisë.

Në qoftë se këta thonë që paska oligarkë të cilët maskohen në biznese të vogla, atëherë çfarë përgjegjësie mbajnë këta për dhjetra aksione të ashtuquajtura kundër informalitetit? A mund të na tregojnë cilat qenë rezultatet e këtyre aksioneve? Cilat qenë rezultatet e këtyre aksioneve dhe përgjegjësia e Edi Ramës si kryeministër për katër vite e kusur aksione, në qoftë se akoma pretendohet se oligarkët fshihen tek biznesi i vogël?

Në fakt, oligarkët nuk fshihen tek biznesi i vogël por fshihen tek paradhoma e kryeministrit, pse jo edhe në zyrat e tij dhe në rezidencat e tij të pushimit.

Lufta kundër informalitetit nuk bëhet duke goditur biznesin e vogël.

Le të pyesim, pse ekspertët e tij janë ngritur kundër futjes së TVSH tek biznesi i vogël?! Pse FMN është shprehur kundër futjes së TVSH-së tek biznesi i vogël?!

E mirëpresim një ballafaqim të argumentave, si opozitë. Pse jo, të ftojmë të gjithë aktorët, edhe biznesin e vogël, edhe institucionet ndërkombëtare, FMN, edhe ekspertët e ndryshëm që vijnë nga bota akademike, disa prej tyre shumë afër në mendime me Partinë Socialiste, dhe të ndajmë shapin nga sheqeri.

Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së nuk do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë, do të rrisë çmimet, do të shkatërrojë vendet e punës duke mbyllur biznesin e voël dhe do ti bëjë favore vetëm një grushti oligarkësh duke i bërë ata totalisht të pakonkurueshëm në tregun e konsumit të mallrave, nga bizneset e vogla që operojnë sot anembanë vendit.

Prandaj thirrja ime është të heqë dorë nga retorika, të pranojë propozimin e opozitës i cili shumë shpejt do të materializohet dhe të heqë dorë nga çoroditja dhe paniku që e ka kapur nga një front i bashkuar qytetarësh, konsumtatorësh, biznesi i vogël, opozita, institucione ndërkombëtare monetare si FMN dhe ekspertët të cilët njëzëri kërkojnë me të drejtë që biznesi i vogël të mos futet në skemën e TVSH-së, sepse në këtë mënyrë do të rriten çmimet, do të shkatërrohen vendet e punës dhe vetë arka e shtetit nuk do të fitojë por do të humbë të ardhura.

Pyetje: A mund të na thoni diçka mbi dekriminalizimin e zgjedhjeve, se jemi të paqartë?

Basha: Jeni të paqartë sepse procesi është në nisje, ne kemi propozimet tona dhe këto propozime do të pasurohen edhe përmes konsultimit brenda vetë demokratëve, me aleatët tanë politikë dhe me të gjithë faktorët shoqërorë që duan ti japin fund shitblerjes së votës, dhunimit të votës dhe bashkëpunimit midis kriminelëve dhe politikanëve.