Dua ta nis me një përgëzim për prokurorinë e krimeve të rënda, Shërbimin  Informativ të Shtetit dhe partnerët e huaj, të cilët bënë të mundur kapjen e një sasie droge rekord në Vlorë, pronë e klanit Habilaj –Tahiri –Rama dhe, t’u bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit, organeve të drejtësisë, prokurorisë në mënyrë të vecantë, të veprojnë pa vonesë në administrimin e këtyre provave dhe për vënien e autorëve para përgjegjësisë.

Pas arrestimit të Moisi Habilaj në Itali, prokuroria dhe organet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë për të vënë prapa hekurave dhe para përgjegjësisë të gjithë anëtarët e këtij klani të rrezikshëm mafioz, të sekuestrojnë pasuritë e tyre dhe të veprojnë me vendosmëri për vënien para përgjegjësisë të kokave politike të këtij klani, duke nisur me Sajmir Tahirin.

Ka 48 orë që fakte tronditëse të lidhjes së drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit të Sajmir Tahirit me këtë bandë kriminale, janë bërë publike botërisht, ndaj cdo vonesë në këtë drejtim, është e pafalshme.

Duke mirëkuptuar sekretin hetimor i kërkojmë Prokurorisë të mirëkuptojë domosdoshmërinë dhe nevojën e publikut për transparencë totale në këtë hetim me rëndësi jetike për të nesërmen e Shqipërisë

Së dyti dua të dënoj përpjekjet e Haki Cakos dhe kupolës së korruptuar të Policisë së Shtetit, për të tërhequr vemendjen nga ky operacion i suksesshëm, që pati sukses pikërisht për shkak të izolimit të segmenteve të korruptuara të policisë deri në castin e fundit, deri atëherë kur ata nuk mund të paralajmëronin dhe të pengonin këtë aksion të suksesshëm.

Ka kaluar një muaj që kur unë, PD dhe opozita dhe mbarë opinioni kemi denoncuar me revoltë të madhe ngjarjen e tmerrshme të Elbasanit, që tregoi me figurë sesi ky shtet, shteti i Edi Ramës, është vënë përfund nga mafia.

Veprimet e Haki Çakos të ndërmarra sot nuk janë thjesht të vonuara, ato janë të pavend.

Haki Çako sot në mos duhet të ishte dorëhequr, duhet të ishte shkarkuar. Ai dhe kupola e policisë duhet të gjendeshin para drejtësisë. Kjo nuk mund të ndodhë sa kohë që Ministria e Brendshme vazhdon të drejtohet nga një njeri në konflikt interesi, siç është Fatmir Xhafaj, vëllai i Agron Xhafajt, kreut të klanit tjetër mafioz dhe kriminal në Vlorë, i cili kërkohet për ekstradim nga autoritetet italiane për shkak të dënimeve të tij në Itali në lidhje me trafikun e kokainës.

Dhe kjo, natyrisht, nuk mund të ndodhë sa kohë që në krye të kupolës është Edi Rama.

4 tonëshi i kapur sot është maja e ajsbergut. 2.5 milionë rrënjë të deklaruara nga Policia e Shtetit përkthehen në 10 mijë tonë. Pra, 4 tonë nuk është as më pak, as më shumë se 2.5% e sasisë së drogës që menaxhon sot kupola e korruptuar e Policisë së Shtetit për llogari të Saimir Tahirit, të Agron Xhafajt dhe vëllait të tij, Ministrit të ri të Brendshëm, dhe natyrisht, për llogari të Edi Ramës, i cili është përfituesi i drejtpërdrejtë i qindra-milionë eurove të kësaj droge, të përdorura siç vërtetojnë dhe përgjimet italiane në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ndaj ka vetëm një rrugë për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë e ilegjitimitetit, largimi i Edi Ramës, formimi i një qeverie anti-mafia, me mbështetje të të gjitha forcave politike, e cila do të shembë lidhjet e kupolës mafioze në krye të qeverisë shqiptare, lidhjet e krimit me politikën dhe do të përgatisë përmes një reforme zgjedhore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të kthyer legjitimitetin në vend.

Pyetje: z.Basha ku ndryshon krijimi i qeverisë për reformën zgjedhore nga kërkesa për krijimin e qeverisë teknike?

Basha: Nuk dua të hyj në modalitete që i takojnë pastaj tryezës së partive politike. Hapi i parë dhe i domosdoshëm është largimi i menjëhershëm i Edi Ramës si përgjegjësi politik dhe njeriu që ka mbrojtur për këto 4 vite krimin e kupolës mafioze-politike dhe e ka drejtuar atë, për përfitimet e tij, politike dhe financiare.

Pyetje: z.Rama për pothuajse për 4 vjet nuk e largoi z.Tahiri ndërkohë që e kishte ministër, ndërkohë që ju i bënit këto denoncime. Tashmë publikimet faktojnë një pjesë të asaj që i keni thënë ju. Keni paralajmëruar se do të ketë edhe dosje të ministrave të tjerë që mund të publikohen. Ku i keni pritshmëritë, për ta përmbledhur, që Edi Rama mund të largohet? Pse duhet të bindet ai për t’u larguar kur ai sapo është konfirmuar kryeministër? 

Basha: Duket qartë nga përgjimet e dosjes “Habilaj-Tahiri” se si ka funksionuar mekanizmi. Shqiptarët e kanë parë, e kanë lexuar, ju e keni parë dhe dëgjuar me sytë tuaj, se si kjo bandë kriminale ka ndihmuar në financimin e zgjedhjeve të 25 qershorit dhe zgjedhjeve të 2015–tës. Edi Rama është kapur në flagrancë, qeveria e tij është kapur në flagrancë si bashkëpunëtore e krimit.

Dhe kreu i këtij narko-shteti është Edi Rama. Pa dijeninë e tij, pa bekimin e tij, pa lejen e tij dhe pa përfitimin e tij direkt, krimi nuk do mund të diktonte emërimet e policisë, kriminelët nuk do të tregonin me gisht furgonat e policisë si pronë e tyre apo të kishin njerëzit e tyre brenda qendrës së radarëve dhe të lajmëroheshin për çdo lëvizje skafesh. Të gjitha këto, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Edi Ramës. Nuk ka shqiptar të besojë se këto janë bërë në kokë të vet nga Saimir Tahiri, apo nga Fatmir Xhafa, apo nga Haki Çako, apo nga drejtorë të tjerë të policisë. Pas Saimir Tahirit, pas çdo Halilaj, Balilaj, Shullazi, pas çdo oficeri të lartë të korruptuar të Policisë së Shtetit, është vetë Edi Rama dhe Edi Rama është koka që mban të lidhur të gjithë këta faktorë interesi.

Ndaj, largimi i tij është domosdoshmëri absolute për luftën e vërtetë kundër mafias, për të shembur lidhjet e krimit me politikën dhe për ti hapur rrugën një qeverie legjitime që gëzon mbështetje të vërtetë popullore dhe jo një qeverie të ardhur me votën e më pak se 20% të shqiptarëve dhe me qindra miliona euro të krimit. Prandaj, hapi i parë dhe i domosdoshëm, është largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeverie anti-mafie dhe shkëputja, shembja e lidhjeve të mafies me politikën.

Të gjitha operacionet e sukseshme antimafia janë zhvilluar për shkak të partnerëve tanë. Kjo është e vërteta për operacionin e djeshëm në Vlorë, kjo është e vërteta për Xibrakën, sepse Edi Rama në vend që të luftonte apo parandalonte këto operacione të mafies me grumbullime disa tonëshe të drogës apo me ndërtimin e fabrikave të kokainës, ka qënë drejtpërdrejtë i interesuar në mbrojtjen e tyre. Prej më shumë se dy vitesh, Partia Demokratike dhe eksponentë të saj kanë denoncuar përfshirjen edhe të familjarëve të Edi Ramës, të cilët faktohen se kanë lëvizur me të njëjtat automjete që kanë lëvizur bosët e fabrikës së kokainës. Edi Rama ka heshtur. Edi Rama nuk ka marrë asnjë përgjegjësi. Edi Rama mohon dhe kërkon ti ikë kësaj përgjegjësie, për një arsye të vetme, sepse ai është përgjegjësi kryesor. Dhe kjo përgjegjësi nuk mund të shuhet as duke arrestuar dhe as duke e lënë të lirë Tahirin. Ne e dimë, kemi të dhëna se Edi Rama dhe Saimir Tahiri, aktualisht, po përpunojnë një marrdhënie dhe një marëveshje me njëri-tjetrin. Saimir Tahiri disponon fakte, të dhëna, përgjime, dokumente dhe filmime të përfshirjes direkte të Edi Ramës në marrdhënien me bandat mafioze dhe klanet mafioze të Shqipërisë. Ndaj, Edi Rama e ka jetike marrëveshjen me Saimir Tahirin, i cili, ndonëse i ekspozuar në mënyrë të pashpresë para opinionit publik dhe ligjit, do përpiqet tia hedhë me një kosto sado të ulët, dhe të dy të shpëtojnë paq e të vazhdojnë të manaxhojnë milionat e eurove dhe pushtetin politik. Kjo nuk mund të ndodhë. Kjo nuk duhet të ndodhë.

Ndaj as arrestimi i Saimir Tahirit, as procedimi i tij penal, as vënia para drejtësisë e peshqeve të tjerë të mëdhenj, nuk do të ketë sukses përsa kohë që, peshku më i madh, është ulur në karrigen e kryeministrit.  Faleminderit dhe besoj se ditët e kësaj jave do vazhdojnë me lajme të tjera të rëndësishme.​