Për 4 vite opozita ka denoncuar me fakte se trafiku i drogës dhe kanabizimi  i vendit është bërë me lejen, mbrojtjen dhe për përfitimin pasuror dhe politik të Edi Ramës, Sajmir Tahirit dhe eksponentëve të lartë të PS.

Për 4 vite, Edi Rama ka bllokuar cdo hetim. Ai vetë me zë dhe me figurë i ka kërcënuar, transferuar, hequr nga puna dhe burgosur oficerët si Dritan Zagani. I ka quajtuar ata kriminelë, ndërkohë që kriminelët e vërtetë, Habilajt me shokë bënin trafik droge dhe armësh  të ndihmuar nga Tahiri dhe kupola e korruptuar e Policisë.

Tani prej 4 ditësh shqiptarët janë ballafaquar me disa fakte të thjeshta dhe të kuptueshme nga të gjithë: antimafia italiane ka paraqitur prova ligjore të trafikut të drogës dhe armëve të kryer nga banda Habilaj e  ndihmuar direkt nga Ministri i Brendshëm Saim​ir Tahiri dhe drejtues e oficerë të policisë.

Dosja Habilaj-Tahiri e drejtësisë italiane ju tregon shqiptarëve dhe gjithë botës, sesi krahu i djathtë i Edi Ramës është kapur në flagrancë në trafik droge, dhe se si krejt shteti është kalbëzuar dhe është vënë në shërbim të trafikantëve.

A nuk është provë fakti që makina e ministrit përdorej nga trafikantët të cilët kanë udhëtuar në Itali me makinën e ministrit, ndërkohë që ajo ishte e regjistruar në emër të tij?

A nuk janë prova plantacionet e drogës dhe magazinat e drogës që mbroheshin nga policët e korruptuar të cilët, figurojnë në këto përgjime se ngarkonin thasët e drogës në gomone?

A nuk është provë se krimi kishte kontroll edhe tek dhoma e radarëve nga ku policët e korruptuar i drejtonin se kur dhe ku e si ti dërgonin skafet për në Itali?

A nuk është provë  kur sheh sesi trafikanti blen 9 mijë euro varësen për familjarët e ministrit, dhe se si, atij i paguhen 30 mijë euro për një shërbim?

Se ka bërë të paktën 5 milionë euro në muaj por i duhen 20 milionë për fushatë?

Kush ka sy në ballë dhe mend në kokë e kupton se faktet dhe provat janë të mjaftueshme për të pranuar kërkesën e prokurorisë.

Vetëm ata që tremben nga këto fakte dhe prova të mbledhura nga antimafia italiane, bëjnë sikur nuk kuptojnë.

Edhe përballë këtyre fakteve dhe provave, Edi Rama mohon atë që e ka marrë vesh e gjithë bota: se Saimir Tahiri është kapur në flagrancë si bashkëpunëtor, mbrojtës dhe përfitues i krimit të organizuar dhe trafikut të drogës dhe armëve.

Arsyeja pse Edi Rama mohon këtë që di e gjithë bota, është e thjeshtë dhe e kuptueshme: Sepse është ai pas Saimir Tahirit, është ai pas cdo Habilaj, është ai pas cdo shefi policie që ka ngarkuar thasët me drogë.

Ai si askush tjetër ka përfituar nga qindra milionë euro që erdhën nga droga dhe kanabizimi i krejt vendit, sepse i duheshin për të blerë votat dhe për të mbajtur pushtetin.

As krimi, as trafiku i drogës, as përfshirja në to dhe as ndarja e pushtetit me kupolën mafioze, nuk mund të bëheshin e nuk janë bërë, pa dijeninë, bekimin, lejen dhe mbrojtjen e Ramës.

Kjo dhe vetëm kjo është arsyeja se pse, në vend që t’i hapin rrugën drejtësisë, Edi Rama po mbron Tahirin me imunitetin parlamentar dhe po i bën gjyqin prokurorisë dhe drejtësisë.

Kjo është arsyeja pse sot një i akuzuar për trafik droge dhe korrupsion, kërcënon prokurorët duke ju thënë unë trafikoj drogë, e vë shtetin në shërbim të krimit të organizuar, dhe ju nuk më bëni dot gjë. Sepse Tahiri dhe Habilajt janë shteti dhe ligji i Edi Ramës.

Në narkoshtetin e Edi Ramës ka dy drejtësi:

Një për qytetarët e thjeshtë, të cilët arrestohen për një faturë dritash, ju prishen shtëpitë me rruspa paligjshmërisht, dhe një drejtësi tjetër për Saimir Tahirin dhe pushtetarë të tjerë që janë të paprekshëm dhe nuk mund t’u afrohesh dot as tek makina edhe kur kryejnë krime të rënda.

Beteja e sotme nuk është për Sajmir Tahirin.

Po, Edi Rama do që Saimir Tahirit të mos ndalohet, të mos i kontrollohen shtëpitë, të mos i kontrollohen pronat, të mos i kontrollohen makinat, të mos i kontrollohen paratë.

Do që Saimir Tahiri të lihet i lirë që të zhdukë provat, të manipulojë drejtësinë, të kërcënojë dëshmitarët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit.

Por mbi të gjitha, kjo është pjesë e një pakti mafioz mes Ramës dhe Tahirit për të mbrojtur të gjithë këtë kupolë mafioze, Ramën dhe ministra të tjerë e kryebashkiakë të tjerë të kapur në flagrancë me fakte dhe prova, përgjime dhe foto nga partnerët, si bashkëpunëtorë të krimit të organizuar të trafikut të drogës.

Edi Rama e di se ai dhe qeveria e tij janë të vdekur politikisht. Para shqiptarëve dhe para syve të gjithë botës ata janë faktuar si të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi.

Nga paniku Edi Rama ka urdhëruar anti-mitingje me sharës dhe delinkuentë për të bërë presion bëjnë presion prokurorëve.

Duke dënuar me forcë këtë akt të paprecedent, i bëj thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga presioni rrugacëror ndaj drejtësisë. E ka kot.

As mbrojtja ndaj Tahirit, as paktet mafioze me të dhe ministrat e tjerë të kapur në flagrancë, as sharjet dhe sulmet ndaj opozitës dhe medias së pakapur, nuk do ta shpëtojnë dot nga e vërteta, nga drejtësia dhe llogaria para qytetarëve.