Prokuroria e Krimeve të Rënda sapo ka njoftuar depozitimin në Kuvendin e Shqipërisë të kërkesës për heqjen e imunitetit, arrestimin dhe kontrollin e banesës të deputetit Saimir Tahiri.

I bëj thirrje Kuvendit të veprojë menjëherë.

I bëj thirrje Kuvendit të mbledhë menjëherë Komisionin e Mandateve dhe seancën plenare për të vepruar pa vonesë.

Çdo minutë, çdo orë vonesë do të shërbejë për shkatërrimin e provave.

Sot është koha që çdo shqiptar i ndershëm, çdo deputet në Kuvendin e Shqipërisë që ndihet përgjegjës para tyre, të veprojë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Arrestimi i Saimir Tahirit është vetëm hapi i parë. Në fakt, që prej këtij momenti, qeverisja e Edi Ramës ka mbaruar de fakto.

Çdo ditë e qendrimit të tij si kryeministër është agoni për të gjithë Shqipërinë. Vetë Edi Rama është sot i vdekur politikisht, një kufomë politike që sillet vërdallë dhe flet si njeri i ç’ekulibruar.

Partia Socialiste është sot në buzë të greminës nëse nuk shkëputet nga Edi Rama dhe grupi kriminal që ai solli në krye të Partisë Socialiste. Thirrja ime është për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Mandateve, dhe të seancës plenare, për të votuar heqjen e imunitetit, që do ti hapë rrugë arrestimit të menjëhershëm të Saimir Tahirit. Thirrja ime është për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Koha nuk pret.