Dritan Zagani nuk ka qenë kurrë i dënuar nga krimet e rënda. Edi Rama dje gënjeu drejtpërdrejt para miliona shqiptarëve.

Tahiri e arrestoi Zaganin sepse ai nuk heshti por guxoi, ngriti zërin dhe hetoi lidhjet kriminale Tahiri-Habilaj. Sipas kodit mafioz të hakmarrjes kundër atij që flet, Edi Rama dhe Saimir Tahiri kërkuan ta bënin shembull Zaganin për t’i treguar çdo kujt se çfarë i pret nëse flasin.

Por akuzat qesharake të montuara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, një drejtori e Ministrisë së Brendshme nën urdhrat e Tahirit, nuk dhanë asnjë rezultat megjithë presionin e madh që Rama dhe Tahiri ushtruan.

Punonjësit e shërbimit të kontrollit të Ministrisë që arrestuan Zaganin duhet të hetohen dhe të merren të pandehur për montim akuzash dhe konspiracion në mbështetje të krimit. Këtë duhet të bënte Edi Rama, të çonte këta punonjës në prokurori.

Por Edi Rama nuk është më kryeministër. Tani ai është avokati mbrojtës i Tahirit dhe i Habiljave. Sic e shikoni ai merret vetëm me mbrojtjen e krimit dhe me asgjë tjetër. Bredh studio më studio, podium më podium e në çdo vend duke bërë avokatin mbrojtës të Tahirit. Sepse kështu mbron veten e tij.

Edi Rama dhe Saimir Tahiri ndiheshin të plotfuqishëm dhe të pamposhtur deri dje. Sot ata janë në dëshpërim, sepse po ndeshen me të vërtetën dhe sepse kanë humbur çdo kontroll.

Dhe ky është vetëm fillimi. Në ditët e ardhshme do ketë të reja të tjera që zbulojnë përfshirjen e qeveritarëve shqiptarë dhe të Ramës në mbështetje të krimit dhe të trafikantëve të drogës.

Edhe bota tashmë e ka kuptuar dhe nuk mund të lejojë më një shtet të kontrolluar nga krimi në mes të Europës. Dua të përshëndes me këtë rast deklaratën e djeshme të Grupit të Partisë Popullore Europiane, më të madhit dhe më të rëndësishmit në Europë ku drejtojnë shumicën e qeverive të kontinentit.

Tashmë qëndrimi amerikan dhe europian është i qartë: mbështetje për prokurorët dhe gjyqtarët që po hetojnë lidhjet e politikës me krimin, dënim të sulmeve dhe ndikimeve politike ndaj drejtësisë, barazi para ligjit të çdokujt, përfshi edhe politikanët më të lartë.