Lulzim Basha dhe ekipi i tij në Cerrik. Republika e Re sjell ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurtë

Lulzim Basha dhe ekipi i tij në Cërrik shpalosën programin ekonomik të Republikës së re. Basha tha programi i tij do ulë TVSh-në për të rritur paratë në xhepat e shqiptarëve, do ketë taksë të sheshtë 9 %, do hapen fabrika për vende pune, 100 milionë euro para në dorë për fermerët dhe stazhe të paguara për të rinjtë e sapodiplomuar për të gjetur shpejt vend pune.

“Vendimi im i parë për të vënë në lëvizje planin tim ekonomik, i cili është hartuar dhe ka vulat e eskpertëve më të mirë të Europës këshilltarëve ekonomik të Angela Merkel që e kanë vlerësuar dhe çertifikuar publikisht. Hapi im i parë do të jetë ulja e TVSh-së, taksa e sheshtë 9 %, ulja e taksës për biznesin e vogël dhe futja në garnizone të ushtrive të inspektorëve dhe tatimorëve, çlirimi i qindra milionë eurove në xhepat tuaj si rezultat i uljes së çmimeve. Me uljen e TVSh-së plot 400 milionë euro të cilat sot përpihen nga oligarkët do të të jenë në xhepat tuaja, në tavolinat tuaja të bukës, do të jenë shpenzimet tuaja, pra të rritjes së fuqisë tuaj blerëse. Do të rritet xhiroja e ekonomisë, do të kthehet besimi tek kreditimi i ekonomisë. Do të mbështetet drejtpërdrejtë sipërmarrja që krijon vende pune. Do t’i hiqet laku nga fyti sipërmarrjes së vogël. Ekonomia do marrë frymë. Do çlirojë energji pozitive dhe do krijojë punësim”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se lufta e tij do jetë hapja e vendeve të punës në veçanti për të rinjtë shqiptarë që do mbështeten direkt nga Republika e Re, përmes financimit të praktikave pune me 200 mijë lekë në muaj për 10 mijë të rinj.