Lulzim Basha paraqet programin ekonomik në Tiranë. Do hiqet taksa e naftës, do bjerë taksa e shitjes së pronës. Masa për të çliruar ekonominë

Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën programin për zhvillimin e ekonomisë me banorë të Tiranës në njësitë nr 5, 2 dhe 10. Basha tha se programi i tij i hartuar me eskpertët e kancelares gjermane Merkel, do të ulë taksat ku do përfitojnë të gjithë. Basha tha se do të hiqet taksat e karburantit prej 240 lekësh si dhe do të hiqet taksa mbi shitjen e pronës, e cila do te zëvendësohet me një tarifë fikse.

“Sfida e jonë kryesore është ekonomia e cila sot është në ditën më të zezë. Vendimi i parë do të jetë ulja e TVSH-së që të rrisim konsumin, të rrisim prodhimin, rritjen e investimeve, nxitje kreditimit të ekonomisë, vende të reja pune. Shtresa e mesme dhe profesionistët si mjekët, inxhinjerët, juristët, financierët që rëndohen padrejtësisht nga tatimi progresiv do kenë taksën e sheshtë 9%. 320 mijë lekët e para do jetë të patatuara dhe tatimi për pjesën tjetër do jetë 9 dhe vetëm 9%. Dividenti do të zerohet. Edhe taksa e transferimit të pronës do të anulohet, do kemi një tarifë fikse prej 30 mijë lekësh të reja. Shteti makut që përgjon kush shiti shtëpinë, kush shiti apartamentin, kush shet tokën, vetëm për ti marrë taksën, nuk do ta ketë më këtë shans. Dhe xhirimi i vlerave ekonomike që vjen përmes transferimit të pronës nuk do tatohet përveç kësaj tarife fikse. Këto hapa do të çlirojnë jo vetëm miliarda euro por do krijojë një klimë konkuruese dhe favorizuese për investitorët. Ulja e çmimit të naftës dhe eleminimi i taksës prej 240 lekësh për litër karburanti, do të bëjë të mundur që karburanti, gjaku i ekonomisë, të ketë mundësi të ketë një çmim më të ulëtin dhe jo më të shtrenjtin në rajon”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se ky program do të krijojë shanse për shqiptarët për të ecur përpara në jetë siç pati ai mundësi në rini. Të rinjtë do të kenë 10 mijë stazhe të paguara për 1 vit. Pensioni minimal do jetë 250 mijë lekë. Familjet në nevojë nuk do paguajnë faturën e energjisë elektrike nën 300 kilovat dhe të ujit të pishëm. Fermerët do të kenë para në dorë me një fond prej 100 milionë eurosh në vit.