Lulzim Basha dhe ekipi i tij në Vaun e Dejës: Pensioni minimal 250 mijë lekë, shkolla cilësore deri në orën 16.00 në dispozicion të fëmijëve

Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në Vaun e Dejes. Basha tha se Republika e Re do të jetë e njerëzve të thjeshtë dhe jo e një grushti oligarkësh.

“Çfarë është Republika e Re?! E nesërmja e sigurtë do të thotë pension minimal prej 250 mijë lekësh për çdo pensionist shqiptar, do të thotë ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë ekonomike dhe jo kjo lëmoshë mjerane që jepet sot. Pagesë të energjisë elektrike deri në 300 kilovat për çdo familje, pagesë e faturave të ujit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike. E nesërmja e sigurtë do të thotë shkolla me drekë falas për fëmijët shqiptarë. Republika e Re do të garantojë brenda 4 viteve të para drekën falas për të gjithë fëmijët shqiptarë në sistem arsimor publik dhe pas drekës aktivitete passhkollore deri në orën 16.00. Ju garantoj se në krye të 4 viteve duke anuluar qindra milionë euro të Ilir Beqës dhe Vilma Nushit me shokë, ne do të kemi më shumë shtretë​r në spitale, më shumë mjekë, mjekë më cilësore, aparatura, ilaçet e nevojshme në farmacitë e spitaleve për të mos shkuar jashtë tyre”, tha Basha.

Ai u shpreh se ekonomia është rritur vetëm për miqtë e Edi Ramës, ndërsa për shqiptarët e thjeshtë është rënduar siç e tregoi edhe falsifikimi i shifrave të rritjes ekonomike

“Edi Rama thotë se ekonomia është rritur, ju nuk e kuptoni. Sot në mëngjes vetë INSTAT-i , Instituti i Statistikave të Shqipërisë, i kontrolluar nga i emëruari i Ramës, tha se rritja ekonomike në këto vite është më e ulët se ajo që kishim shpallur. U detyrua të pranonte se rritja ekonomike që kishin shpallur ishte falsifikuar për qëllime politike. Këtë e thotë INSTAT-i por ska nevojë ta thotë. Pyesni xhepat tuaj. Ju e dini më mirë se çdo institut, se çdo institucion kombëtar apo ndërkombëtar, se në çfarë gjendje është ekonomia juaj personale, ekonomia juaj familjare. Nuk ka nevojë as tuaj them unë dhe as Edi Rama. Por fakti se Edi Rama thotë se ekonomia është rritur dhe ju nuk e kuptoni është tregues se sa jashtë realitetit është njeriu që kërkon të jetë prap kryeministër për 4 vitet e ardhshme”, tha Basha.