Këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski, vleresoi sot programin ekonomik të Partisë Demokratike, si efikas, të realizueshëm e që do të vërë në lëvizje ekonominë shqiptare.

Ky program, tha Falenski, funksionon cdo ditë në Gjermani, krijon vende pune, dhe do funksionojë edhe në Shqipëri.

Deklaratat e këshilltarit të Angela Merkel, u bënë sot paradite gjatë një takimi të organizuar nga PD me qytetarë të Durrësit.

“Qeveria Rama duhet të ikë dhe kjo është më e thjeshja dhe më e mira. Socialistët nuk mund të bëjë ekonomi dhe nuk mund të menaxhojnë para. Kjo qeveri nuk ia ka arritur dhe nuk e ka bërë këtë. Partia Demokratike në bashkëpunim me Partinë Kristian-Demokratike Gjermane dhe me Fondacionin Kondard Adenauer ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune. Partia Kristian-Demokratike Gjermane së bashku me Angela Merkelin e vërtetojnë cdo ditë që ky program funksionon dhe cdo ditë krijohen vende të reja pune. Prandaj ju them që ky program funksionon ndaj na besoni ne dhe i besoni Lulzim Bashës. Shkoni votoni me 25 Qershor. Ju thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Votoni për ndryshimin e qeverisë dhe do hyni më shpejt në Europë”, tha Falenski.