Lulzim Basha paraqet programin në Njësinë 9 në Tiranë dhe në Farkë. Ulje taksash, vende të reja pune, dhe mbështetje njerëzve në nevojë  

Lideri demokrat Lulzim Basha u takua me banorë të Njësisë 9 në Tiranë, ku theksoi se Republika e Re vjen për shqiptarët, për të krijuar shtet me një ekonomi të fortë.

“Pika e parë e këtij plani është ulja e taksave, ulja e TVSH-së nga 20 në 15%, do të kthejë në xhepat tuaja dhe në konsumin e ekonomisë shqiptare, 400 milionë euro në vit. Taksa e sheshtë 9% do të çlirojë miliarda euro të tjera. Plani im fiskal, ulja e taksave, ulja e TVSH-së, do të bëjë që paraja të vërshojë në tregjet tona, të rrisë ekonominë, të krijojë vende pune, të rrisë rrogat. 10 mijë stazhe nga Republika e Re për më të mirët që mbarojnë shkollën e lartë. E dini se sa kushton ky program që unë do të vë në lëvizje që në muajin e parë si Kryeministër, për 10 mijë të rinj me 200 mijë lek të vjetër në muaj, stazh për 12 muaj me rradhë? A e dini se sa do i kushtojë Republikës së Re? 25 milionë euro në vit”.

Në Farkë, ku shpalosi programin e Republikës së Re, Basha tha se prioriteti numër një është ekonomia e familjeve shqiptare, punësimi i të rinjve, mirëqenia e fshatit.

“Ekipi im fitues ka një plan ekonomik me vulat e ekspertëve më të mirë të Europës, këshilltarëve ekonomikë të Anxhela Merkel, që erdhën këtu dhe e çertifikuan publikisht para kamerave si një program realist, ambicioz dhe të zbatueshëm”.

Basha tha se të gjitha familjet në nevoje do të kenë ndihmë ekonomike. Fatura deri 300 klv dhe fatura e ujit per konsum familjar do e marrë përsipër buxheti i Republikës së Re, tha Basha.