Në një takim me qytetarët në Roskovec, lideri demokrat Lulzim Basha tha se ditën e parë të Republikës së Re, si kryeministër i shqiptarëve, do e nisë me planin ekonomik të çertifikuar nga ekspertët e kancelares Angel Merkel të dërguar posaçërisht pranë Partisë Demokratike.

“Unë nuk do të jem kryeministri i oligarkëve, unë nuk do të jem kryeministri i bankave, unë do të jem kryeministri juaj, i qytetarëve të thjeshtë. Do të jem kryeministri i ekonomisë dhe i punësimit ndaj do ta nis ditën time të parë të punës dhe çdo ditë për realizimin e planit ekonomik të Republikës së Re, hartuar nga ekspertët më të mirë, çertifikuar nga këshilltarët ekonomikë të lokomotivës europiane të ekonomisë, kancelares gjermane Angela Merkel që u dërguan posaçërisht pranë meje dhe Partisë Demokratike për programin tonë ekonomik që siç u shprehën publikisht ata, është realist, ambicioz dhe i zbatueshëm. Do ta nis me uljen e taksave, me uljen e TVSH-së që i merr çdo fëmije, çdo prindi, çdo të riu, 20% për çdo mall dhe shërbim. TVSH-ja do të ulet dhe 400 mln euro më shumë do të rrisin xhiron dhe konsumin, do të rrisin podhimin, do të rrisin kërkesën për më shumë vende pune, investime kapitale, kreditim, ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, do të çlirojë qindra milionë euro në ekonomi. Rritja ekonomike do të sigurojë vende pune. Ky është një model europian. Ka funksionuar atje, funskionon edhe këtu. 75 deri në 90% e të rinjve që ndjekin praktika punësimi gjejnë një vend pune pas kësaj praktike. Nuk është karamele elektorale, nuk është as politikë sociale por është politikë e pastër ekonomike për punësimin e të rinjve dhe të rejave”, tha Basha nga Roskoveci.